
Shqipëria shpërndan 27 mijë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në diasporë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se ka nisur shpërndarja e mbi 27 mijë teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare në shkolla jashtë territorit të Shqipërisë.
“Mbi 27 mijë tekste janë shpërndarë për nxënësit e shkollave dhe klasave të gjuhës shqipe anembanë botës, 70% më shumë se një vit më parë”, ka shkruar Rama.
Sipas Ramës, kjo shifër përfaqëson një rritje prej 70% krahasuar me një vit më parë dhe është pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjen e fëmijëve shqiptarë me gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar, kudo ku ndodhen në botë.
“Rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen me gjuhën amtare dhe rrënjët tona tek brezat e rinj”, ka shkruar kryeministri Rama.