Shqipëria synon të ofrojë ID digjitale në fillim të vitit 2026

20 tetor 2025 | 13:53

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se projekti i identitetit digjital do të jetë gati për publikun në fillim të vitit të ardhshëm.

Këtë deklaratë Rama e ka bërë gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin e prezantimit të identitetit digjital, një projekt që, sipas tij, do të vendosë qytetarin në qendër të marrëdhënies me shtetin përmes teknologjisë.

“Një tjetër moment i shumëpritur dhe mirëpritur, sepse prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë dhe ambicie për të krijuar identitetin digjital”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama, ka theksuar se sistemi do të jetë gati për të gjithë qytetarët në fillim të vitit të ardhshëm. “Çfarë po demonstrohet sot do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit, shtetit dhe ekonomisë sonë në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë kryeministri Rama.

Rama është ndalur edhe tek krahasimi me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë në këtë drejtim.

“BE-ja po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur është që në vitin 2027 qytetarët e BE-së të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një hap më para”,  është shprehur Rama.

Kryeministri e ka quajtur këtë nismë “një bekim të kohës moderne”, duke theksuar se teknologjia digjitale po i mundëson Shqipërisë të kapërcejë pengesa historike në shërbime publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani është pyetur të hënën në lidhje me…