Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë vende të garantuara në Kuvend

06 nëntor 2025 | 15:31

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në emër të shqiptarëve në Mal të Zi, u ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian në Podgoricë, duke kërkuar që përfaqësuesit e kësaj pakice të kenë vende të garantuara në Parlamentin malazez.

Në letër është theksuar se shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë pakicën kombëtare dhe gjuhësore autoktone dhe të vetmen jo-sllave, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe identitetin e vendit për shekuj me radhë.

Forumi Shqiptar ka njoftuar se i ka dërguar letër të gjitha ambasadave të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, delegacionit të BE-së në Mal të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve partnere – ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me “njërën nga çështjet kyçe të zhvillimit demokratik të Malit të Zi: sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të qëndrueshëm politik të popujve pakicë, veçanërisht të komunitetit shqiptar”.

“Megjithatë, përfaqësimi politik i shqiptarëve ende varet nga një prag elektoral dhe fragmentimi i votave, pa asnjë garanci kushtetuese apo ligjore. Një zgjidhje e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe paraqet një burim të vazhdueshëm të paqëndrueshmërisë politike”, është thënë në letrën e Forumit Shqiptar.

Ata kanë theksuar se praktika evropiane “tregon shembuj të qartë”.

Në Slloveni, pakicat italiane dhe hungareze, që së bashku përbëjnë më pak se 0.5 për qind të popullsisë kanë secila nga një vend të garantuar në parlament dhe të drejtë vetoje për ligjet që prekin të drejtat e tyre (neni 64 i Kushtetutës), ndërsa në Kroaci, pakica serbe me rreth 4.4 për qind të popullsisë gëzon tre mandate të garantuara, kurse të gjitha pakicat e tjera kanë edhe pesë vende shtesë.

“Prandaj, në shtetet anëtare të BE-së, edhe komunitetet më të vogla kanë mbrojtje institucionale të fortë dhe përfaqësim të sigurt politik”, është thënë në letrën e Forumit Shqiptar.

Forumi ka theksuar se shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth pesë për qind të popullsisë, dhjetë herë më shumë se pakicat italiane dhe hungareze së bashku në Slloveni, “por megjithatë nuk kanë vende të garantuara në parlament”.

“Përfaqësimi i tyre është reduktuar në një rezultat kalkulimesh zgjedhore, që nuk pasqyron peshën e tyre demografike dhe historike, e as standardet evropiane që Mali i Zi synon t’i arrijë”, ka përfunduar letra e Forumit Shqiptar.

Ata kanë propozuar që, përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, shqiptarëve t’u sigurohen të paktën katër mandate të garantuara parlamentare në Kuvend, si dhe e drejta e vetos nga shumica e deputetëve shqiptarë për ligjet dhe aktet që rregullojnë drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e pakicave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tajfuni Kalmaegi ka goditur pjesën qendrore të Vietnamit të enjten,…