Shqiptarët më shumë se kurrë duhet të vërshojnë në protestën e Shkupit
Shkruan: Hanife Salihu
Shqiptarët sot kanë më shumë se kurrë nevojë të jenë pranë njëri-tjetrit, të ngrihen bashkë dhe të flasin me një zë e me nje zemër.
Protesta në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm një tubim, është një thirrje e shpirtit, është zëri i historisë sonë, është kujtesa e çdo sakrifice që është bërë për këtë komb.
Dhe pikërisht tani, kur duhej të ishim si gishtat e dorës, të shtrënguar fort në një grusht të vetëm, po shfaqet një ndarje që dhemb… dhemb sepse nuk ka arsye të ekzistojë.
Sot, shqiptarët në Ballkan po jetojnë një realitet që dikur dukej i paarritshëm: liri më e madhe e veprimit, hapësirë më e madhe politike dhe zë më i fuqishëm në shoqëri është arritur falë Luftës Çlirimtare. Por, për ironi të fatit, pikërisht në një kohë kur duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, po vërehet një distancim dhe një përçarje që nuk e meriton as historia jonë, as gjaku i derdhur, as aspiratat tona të përbashkëta.
Pyetja që lind natyrshëm është: pse po krijohet ky hendek mes shqiptarëve? Kush po ushqen këtë ndasi artificiale? Si është e mundur që edhe në një protestë ku kërkohet mbrojtja e vlerave çlirimtare, të dilet me qëndrime të kundërta, të fragmentuara dhe të dobësuara?
A kaq pak ka mbetur nga ideali i përbashkët? A kemi harruar se çdo arritje madhore e jona ka ardhur vetëm atëherë kur jemi ngritur krah për krah, pa u ndarë në kampe, parti apo interesa të vogla?
A është kaq e vështirë të kuptojmë se çdo përçarje i shërben dikujt tjetër, por kurrë neve?
Është e dhimbshme të shohësh se si, në vend që të ecim drejt njëri-tjetrit, po largohemi. Në vend që të ngrihemi krah për krah për vlerat tona çlirimtare, po lejojmë hije të huaja, zëra të padukshëm dhe interesa të vogla të na copëtojnë shpirtin.
Si është e mundur që një popull që ka kaluar aq shumë shtypje e robëri të lejojë që një protestë, një moment i shenjtë i reagimit tonë, të kthehet në arsye për ndasi?
Ku është ajo dashuria që kemi pasur dikur për njëri-tjetrin?
Ku është ai zjarri i brendshëm që na bënte të mbroheshim pa u menduar dy herë?
Ku është ai besim i pathyeshëm se shqiptarët, kudo ku janë, gjithmonë janë vëllezërit tanë?
Është e rëndë të shohësh se si krijohen hendekë brenda një kombi që e ka pasur gjithmonë vetëm një mundësi për të mbijetuar permes bashkimit.
Sepse ne nuk kemi luksin të jemi të ndarë.
Ne nuk kemi as të drejtën morale të jemi të larguar nga njëri-tjetri.
Çdo ndarje është plagë, është hidhërim, është tradhti ndaj sakrificës së brezave para nesh.
Është koha të ndalemi dhe të pyesim veten me sinqeritet:
Kush po na ndan? Kush po përfiton nga përçarja jonë? Pse lejojmë që dikush tjetër të na prekë aty ku jemi më të brishtë, në unitetin tonë?Shqiptarët e kanë treguar gjithmonë se kur zemrat bashkohen, asgjë nuk i ndal.
E kanë treguar në luftë, në liri, në sfida, në çdo epoke të historisë.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë se jemi një komb, një shpirt, një gjak.
Dhe është momenti t’i japim vetes një premtim:
Nuk do të lejojmë që vlerat tona çlirimtare të sulmohen ndërsa ne të heshtim. Nuk do të lejojmë të na ndajnë. Nuk do të lejojmë të na thyejnë.
Sepse e vërteta është e thjeshtë:
Të bashkuar jemi forcë. Të ndarë jemi dobësi.
Dhe këtë e dinë të gjithë, edhe ata që na duan të përçarë. Vetem të bashkuar e forcojm identitetin tonë kombëtar!



