Shqiptarët në vitin 1981 i kishin dy mundësi: ose të heshtnin ose të reagonin

07 gusht 2025 | 13:29

Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (3)

Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e tretë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re” ka theksuar se shqiptarët në vitin 1981 i kishin dy mundësi: ose të heshtnin përballë dhunës që ushtrohej ndaj tyre, të nënshtroheshin dhe të dorëzoheshin, ose të reagonin. Abazi ka thënë se populli kryengritës i vitit 1981 veproi si duhet dhe historia i ka dhënë të drejtë, sepse u martirizua për të tregua atë që asokohe askush nuk e shihte – ngjalljen e bishës serbomadhe; kurse, sipas Abazit, pushtetarët komunistë shqiptarë vepruan ashtu që nuk e përmbushën as mbrojtjen e autonomisë e lëre më që ta avanconin atë.

“Epoka e re”: Shqiptarët e Kosovës i dekonspiruan ndërmarrjet e serbomëdhenjve të Beogradit, i komprometuan duke ua nxjerrë në shesh politikën e dhunës agresive. Cilat, sipas teje, ishin mundësitë e veprimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1981?
Hajdin Abazi: Shqiptarët i kishin dy mundësi: ose të heshtnin përballë dhunës që ushtrohej ndaj tyre, të nënshtroheshin dhe të dorëzoheshin, ose të reagonin.
Të reagonin për t’i treguar tërë popullit, pra edhe atyre që kishin iluzione se ishte liri ajo që e kishin shqiptarët, se duhej t’i shihnin vuajtjet e qindra e mijëra familjeve shqiptare nga regjimi komunist. Ato ishin një lloj peticioni publik drejtuar udhëheqjes komuniste të Kosovës që t’i hapnin sytë e të shihnin se ç’po ndodhe te populli shqiptar, dhe t’i dilnin zot e ta ndalnin uraganin serbomadh që po hidhej në sulm.
Pjesa e qytetarëve të persekutuar zgjodhën qëndresën, reagimin dhe revoltën me gjithë se e dinin se do të përballeshin me një dhunë policore të egër, edhe më keq se ajo e vitit 1968.
Revolta buronte nga brenda, nga mosdurimi i dhunës shtetërore, që kombi të zgjohej, t’i kuptonte rreziqet serbomëdha dhe të mobilizohej për t’u vetëmbrojtur nga zezonat e dhunës policore.
Këtë zhvillim mund të mos e kishin shumëkush të qartë asokohe, dhe ishte e natyrshme pasi që pozitat e pushtetit gjithnjë ushqejnë shpresën se mund të frenohet e keqja nga brenda, në rrugë institucionale. Por të mos pranohet edhe pas kaq dekadash se ishte e pamundur të frenoheshin serbomëdhenjtë me mënyrën si u reagua prej pushtetarëve të Kosovës – duke u tërhequr e duke lozur në taktin e diktuar nga Beogradi, në vend që kjo të përpiqet të shpjegohet, A. Vllasi vazhdoi avazin e vitit 1981 duke e devalvuar kryengritjen popullore të vitit 1981 me insinuata – të cilat ngjarjet e më pasme deri te çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999, i kanë demantuar, është mbetje rob i iluzioneve që nuk kanë asnjë mbështetje reale dhe mbajtja e dioptrisë ideologjike edhe kur ajo tashmë është qelbur!
Populli kryengritës i vitit 1981 veproi si duhet dhe historia i ka dhënë të drejtë, sepse u martirizua për të tregua atë që asokohe askush nuk e shihte – ngjalljen e bishës serbomadhe; kurse pushtetarët komunistë shqiptarë – vepruan ashtu që nuk e përmbushën as mbrojtjen e autonomisë e lëre më që ta avanconin atë.
Nëse shihet finalja – e ajo mund të shquhej qysh asokohe e sidomos tash pas më shumë se katër dekada – e asaj se çka arriti lëvizja e protestave dhe e revoltave qytetar të marsit-prillit 1981 mund të përmblidhet si vijon: tregoi se serbomëdhenjtë ishin riforcuar tashmë dhe se ata nuk mund të injoroheshin e as të zbuteshin, sepse ata po e vinin në veprim dhunën ndaj qytetarëve; kështu, pra, protestat e demonstratat e vitit 1981 realisht u kanë treguar popujve të tjerë të Jugosllavisë një rrezik kur askush nuk e besonte e që do të shfaqej, po që do të tregohej profetik ky alarm i ardhur nga Kosova.
Për ta rrumbullakosur, edhe po qe se revoltat e marsit-prillit 1981 ishin skenar ruso-serb – kjo nuk është aspak relevante, po kruciale është në çka ato çuan, cilat ishin rrjedhojat dhe si u profilizuan ato kombëtarisht në lëvizjen për Republikë. Për të folur me dorë në zemër, pa ekzagjerime madje, po qe se sekush u soll sipas skenarëve serbë, ata ishin udhëheqja komuniste e Kosovës, të cilët nuk qenë në gjendje të ngriheshin në lartësinë e përgjegjësisë që kishin, po kaluan në pozicione “defensivë” që në fillim duke i hapur rrugë serbomëdhenjve të suprimonin autonominë dhe tërë strukturën që ishte krijuar; dhe vepruan gjithnjë në vetëmbrojtje deri sa i flakën nga pushteti, i shkarkuan dhe disa edhe i arrestuan, ndër ta edhe vetë A. Vllasin.
Përderisa komunistët e Kosovës nuk arritën t’i dilnin zot as autonomisë dhe t’i rezistonin ndopak serbomëdhenjve, populli, ato shtresat qytetare, ajo rini studentore e gjimnaziste, ato masa punëtore e fshatare, arritën ta orientonin politikisht drejt revoltën duke e nxjerrë në terren të pastër kombëtar, dhe kështu e kthyen në një kryengritje popullore paqësore me platformën për Republikën e Kosovës. Kësisoj, masat qytetare dhe lëvizja atdhetare zgjodhën mundësinë e vetme historikisht të drejtë.

“Epoka e re”: A mos je paksa tendencioz ndaj pushtetarëve të atëhershëm komunistë të Kosovës kur thua se “lozën me taktin e diktuar nga serbomëdhenjtë”?
Hajdin Abazi: Le ta shohim.
Se Beogradi kishte një skenar anti-autonomi (“Libri i kaltër”) që në vitin 1974 e përmend edhe A. Vllasi. E aty “ishte ai dreqi i madh” i Rrahman Morinës, ai ishte ai skenari i njohur nga udhëheqja e atëhershme jugosllave e edhe nga ajo e Kosovës.
Ishte strategjia serbomadhe që t’i mvisheshin etiketimet lëvizjes së rezistencës shqiptare, të tilla që ta shtrembëronin edhe realitetin e edhe të pretendonin se ato ishin kundër rendit federativ.
Ajo ishte një luftë speciale, në petk ideologjik e politik, kundër vetë shqiptarëve, që bëhej përmes aparatit partiak, sigurimit të shtetit e mjeteve të informimit.
Duke i përvetësuar ato etiketime, duke i pranuar që të gjitha edhe udhëheqja jugosllave e edhe ajo e Kosovës, ranë në kurthin serbomadh, sepse ajo arriti t’ia paraqes si rrezik diçka që nuk ishte realisht rrezik, kurse ta fshihte rrezikun e vërtetë që ishte vetë shovinizmi serbomadh.
Mbi ato etiketime, udhëheqja komuniste e Kosovës bëri diferencimet politiko-ideologjike ndaj shqiptarëve që kërkonin Republikë. Fill pas demonstratave të vitit 1981, me mijëra të punësuar janë larguar nga puna, kuadro të mirëfillta janë shkarkuar nga pozitat drejtuese në Lidhjen komuniste dhe në pushtetin shtetëror. Diferencimi – u bë një proces i përçarjes, i shtypjes e i dhunës shtetërore nga komunistët shqiptarë ndaj bashkëkombësve të tyre, si dhe me dhjetëra mijëra të rinj e të reja janë dënuar me burg vetëm pse shkruanin akronimin “KR” (Kosova-Republikë).
Nuk ka qenë e pamundur të demantoheshin ato etiketime duke u kapur nga kërkesa qendrore për Republikë. Moskundërshtimi e pajtimi me ato të pavërteta shpërfaqte dobësinë e pavendosmërinë e udhëheqësve komunistë. Kjo ishte mungesa e madhe, mangësia katastrofike e pushtetarëve komunistë, të cilët nuk arritën të mbronin çështjen kombëtare që po e artikulonte populli nëpër demonstrata më 1981.

“Epoka e re”: Për cilat etiketime e ke fjalën?
Hajdin Abazi: E kam fjalën për etiketimet si “irredentizëm”, “nacionalizëm”, “separatizëm”, “reaksionare”, “kundërrevolucionare”, “antijugosllave” të cilat iu vunë rezistencës kombëtare të shqiptarëve, e që jo vetëm nga komunistët e Serbisë po edhe nga ata shqiptarë të Kosovës u konsumuan në bashkërendimin e luftës kundër shqiptarëve.

“Epoka e re”: Ato u patën bërë si refren, si përsëritje e papagallit, që thuaja në çdo mbledhje shqiptoheshin. Po, ç’peshë kishin ato dhe si synonin ta komprometonin revoltën popullore të vitit 1981. Dhe a do të mund të demantoheshin?
Hajdin Abazi: Për ta kuptuar thelbin mashtrues dhe shtrembërues e njollosës të tyre, le t’i shohim veç e veç.
Irredentizëm domethënë politika e një shteti për të aneksuar territore të një shteti tjetër. Lëvizja atdhetare e vitit 1981 nuk kërkonte që ndonjë shteti tjetër t’i merreshin territoret, nuk ishte në atë pozitë që ta bënte. Po flasim për revoltën e mars-prillit të vitit 1981. Nuk ka dominuar askund ndonjë parullë irredentiste. Përse atëherë kjo etiketë? Kishte disa objektiva njëherësh: së pari, për të aluduar te Shqipëria si pretenduese për aneksim territoresh nga Jugosllavia, gjë që në asnjë rast nuk mund të dëshmohej kjo sepse nuk ishte e vërtetë. Sigurisht se mund ta kenë dëshiruar bashkimin kombëtar, por nuk e kishin shprehur me sa di unë në asnjë rast, të paktën jo në periudhën për të cilën po bëjmë fjalë. Në anën tjetër, mund të aludohet te aspirata e lëvizjes atdhetare për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në ish-Jugosllavinë, dhe kjo mund të ishte pjesërisht e vërtetë, edhe pse vetëm në vitin 1982 kjo do të shtrohet si program kombëtar dhe sidomos nga LPK duke aspiruar bashkimin e trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi në një republikë – në Republikën e Kosovës (teza Kosova me viset shqiptare nën Maqedoni, Serbi (Lugina e Preshevës)e Mal të Zi). Po qe se mendohet te aspirata për bashkim kombëtar, atëherë ai nuk është irredentizëm, por është separatizëm. Por as kjo nuk ishte reale, sepse në revoltën e vitit 1981 parulla e vetme dominuese ishte Kosova-Republikë. Dhe kjo mund ë demantohej asokohe kaq mirë, le të themi duke dalluar lëvizjen atdhetare si kërkesa të tilla kurse kërkesat e popullit për Republikë të mbroheshin si legjitime, me çka do të bëhej një ndarje midis “popullit” dhe “lëvizjes atdhetare” që do t’u jepte pushtetarëve komunistë pretekst, bazë dhe kontekst për të mbrojtur popullin e për ta atakuar “armikun”. Por atyre ju mungonte guximi politik, gatishmëria për sakrificë për të mbrojtur popullin.

“Epoka e re”: Po etiketa nacionaliste?
Hajdin Abazi: As kjo nuk ishte reale. Nuk i përgjigjej së vërtetës jo vetëm për periudhën e vitit 1981 e këtej, por realisht asnjëherë historikisht. Emërtimi nacionalizëm ka konotacion negativ, kur politikisht synohet ekskluziviteti kombëtar dhe mohimi i të tjerëve. Shqiptarët kanë pasur program kombëtar, por jo nacionalist në konotacionin negativ. Madje, në revoltën e vitit 1981 me kërkesën kryesore për Kosova-Republikë, nuk kishte asgjë nacionaliste në të, sepse nuk kërkoheshin të drejta vetëm për shqiptarët, por për të gjithë banorët e Kosovës. Për më tepër, Republika e Kosovës, kryesisht e perceptuar në kufijtë e krahinës autonome, nuk ishte aspak nacionaliste, pasi që i linte shqiptarët dhe trevat e tyre etnike ashtu sikurse ishin – në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Mund të ketë pasur ndonjë organizatë atdhetare me pretendime të tilla, por ato nuk ishin kërkesa që u artikuluan nga masat e revoltuara në vitin 1981. Serbia me strategjinë e vet antishqiptare e lansoi këtë etiketë për t’i krijuar një imazh negativ rezistencës sonë kombëtare. Me etiketën “nacionaliste” Serbia po thoshte se vetëm shqiptarët po kërkonin avancimin e krahinës në Republikë, se këtë nuk e kërkonin serbët e malazezët, dhe duke qenë ajo kërkesë e shtruar vetëm prej shqiptarësh – si e tillë na qenkësh nacionaliste! Por pse ishte kërkesë vetëm e shqiptarëve aspak nuk ishte me karakter nacionalist, por, sipas asaj kohe, do të ishte si Republikat e tjera. Edhe këtu, pushtetarët komunistë mund të refuzonin e demantonin këtë etiketë për masat e revoltuara, duke nxjerrë në pas se Republika që po e kërkonte populli do të ishte njëlloj e të gjithë qytetarëve të saj pavarësisht përkatësive etnike e kombëtare.
Njëlloj edhe etiketa separatiste – as kjo nuk shprehte realitetin e revoltës së vitit 1981. Separatizëm domethënë lëvizje politike për shkëputje nga një shtet. Në këtë kuptim, do t’i binte që kërkesa për Republikë ishte kërkesë për shkëputje nga Jugosllavia. E kjo, absolutisht nuk ishte e vërtetë, aspak për vitin 1981 e deri te viti 1989. Ajo që ishte realitet ishte se kërkohej avancimi i statusit të krahinës autonome në Republikë, në të njëjtët kufij, dhe në kuadër të Federatës Jugosllave. Në aspektin e Federatës, kërkesa për Republikë nuk ishte kërkesë separatiste. Ajo ishte e tillë vetëm në raport me Serbinë. Po, kjo po. Statusi i Republikës për Kosovën nënkuptonte ndarjen me Serbinë. Ishte shkëputje, pavarësi nga Serbia, por jo nga Jugosllavia. Dhe kjo kërkesë edhe juridikisht, edhe konstitucionalisht ishte vetëm divorcim nga Serbia. Serbia e kishte pushtuar Kosovën në vitin 1945 me dhunë, e kishte aneksuar dhe e kishte mbajtur po me pa dëshirë e pavullnetshëm, dhe tash shqiptarët po kërkonin vullnetshëm t’i shkëputeshin Serbisë, por të mbeteshin brenda Jugosllavisë. Një korrektim i butë i historisë krejtësisht legjitim kombëtarisht, në frymën konstitucionale të federatës jugosllave dhe madhe edhe në përputhje me qëndrimin e OSBE-së për mos ndryshimin e kufijve të shteteve (Jugosllavia nuk i ndryshonte kufijtë e jashtëm, por një rikonfigurim i lehtë i brendshëm). Pra, kishte mundësi reale të mbroheshin qytetarët e revoltuar dhe të justifikohej kërkesa e tyre për Republikë, duke dëshmuar karakterin jo separatist të kësaj kërkesë, por as këtë nuk e kishte pasur guximin ta bënte pushteti komunist i asaj kohe.
Lëvizja atdhetare ishte etiketuar edhe si reaksionare. As kjo nuk i shkonte lëvizjes atdhetare të rezistencës kombëtare. Reaksionar në terminologjinë komuniste ishte një lëvizje e cila kvrkonte kthimin pas, restaurimin e regjimeve të vjetra, antikomuniste ose jo-komuniste. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Edhe në rastin e organizatave atdhetare që kërkonin bashkim kombëtar – ai bashkim ishte me Shqipërinë, e cila po ashtu ishte socialiste, komuniste dhe prandaj nuk ishte reaksionare si e tillë. Nga këndvështrimi komunist mund të ishte lëvizje reaksionare lëvizja atdhetare e shqiptarëve në ish-Jugosllavi sikur Shqipëria të ishte mbretëri ose vend kapitalist dhe ne të kërkonim shkëputjen nga socializmi jugosllav e bashkimin me një mbretëri ose shtet kapitalist. Por kjo nuk ishte gjendja. Për më tepër, sidomos revolta e vitit 1981, absolutisht nuk kishte asgjë reaksionare në të, pasi që ishte në tabanin ideologjik, politik, partiak, e rregullimin ekzistues shtetëror federativ të ish-Jugosllavisë, dhe thelbi përmblidhej te avancimi i statusit të Krahinës Autonome në status të Republikës. Dhe këtë, gjithsesi, kanë mundur ta kundërshtojnë pushtetarët komunistë, duke treguar se kërkesa për Republikën ishte me gjithçka sipas rregullimit federativ të Jugosllavisë dhe në kuadër të saj. Duke mos e kundërshtuar edhe këtë etiketim, duke e kaluar në heshtje ose miratim madje, pushtetarët komunistë jo vetëm toleronin etiketimin e pavend dhe të shtrembër të lëvizjes kombëtare, por në instancë të fundit edhe të tërë shqiptarëve si komb, si popull.
Edhe etiketa kundërrevolucionar ishte krejtësisht e pa bazë, pa asnjë mbështetje fare. Kundërrevolucionar në terminologjinë e asokohshme komuniste kishte kuptimin e përmbysjes së revolucionit jugosllav, duke referuar te Lufta Antifashiste, te përmbysja e mbretërisë parlamentare dhe te vendosja e rendit socialist. Kjo, realisht, asokohe, ishte një etiketë totalisht fake. Republika e Kosovës nuk kërkohej të ishte as mbretëri, as mbretëri parlamentare e as kapitaliste. Ajo do të ishte, thënë thjesht, si secila republikë tjetër e ish-Jugosllavisë. Në aspektin real, avancimi i statusit të Kosovës në Republikë do të ishte përmbushje e revolucionit antifashist, duke e çliruar Kosovën nga vargonjtë e Serbisë. Pra, do të ishte revolucionare, dhe në asnjë kontekst kundërrevolucionare. Madje, statusi i Republikës do ta çlironte edhe Serbinë nga pretendimet serbomëdha dhe kështu do ta kuronte kancerin e revolucionit të luftës antifashiste, do ta kuronte pjesërisht, vetëm në raport me Kosovën, por jo edhe me shqiptarët në tërësi në ish-Jugosllavi. Me këtë etiketë, serbomëdhenjtë donin ta pikturonin lëvizjen shqiptare si shembëse e revolucionit jugosllav, gjë që donte të thoshte se avancimi i shqiptarëve ishte kundërrevolucionar. Dhe për këtë, po të kishin guximin politik, pushtetarët komunistë mund ta kishin argumentuar e demantuar se kërkesat e popullit për Republikë nuk ishin aspak kundërrevolucionare, po do të ishin një korrektim i padrejtësisë së bërë që në themelimin e Federatës jugosllave kur shqiptarët ishin lënë në Republikën e Serbisë – do të duhej ta kuptonin se e vërteta duhej të thuhej me qëllim që të kuptohej se shqiptarët po kërkonin barazinë e premtuar kombëtare (ani se e kufizuar vetëm në kuadër të Krahinës Autonome të Kosovës) dhe asgjë më tepër.
Po etikete antijugosllav? Kur është fjala për revoltën e vitit 1981 kjo ishte një shpifje dhe një gënjeshtër publike. Madje, edhe programet e organizatave para vitit 1981 për bashkim kombëtar nuk kishin karakter antijugosllav. Të jesh antijugosllav kishte kuptimin të jesh kundër atij shteti. Shqiptarët nuk ishin kundër vetë shtetit, kjo ishte çështje që u përkiste popujve të ndryshëm sllavë si slloven, kroat, boshnjak, serb, maqedonas e malazez. Shqiptarët që ishin për bashkim kombëtar me Shqipërinë e donin vetëm këtë, e jo edhe shkatërrimin e Jugosllavisë. Një popull ka të drejtë ta dojë ose jo të qenit në një shtet, pa qenë domosdoshmërisht kundër atij shteti. Porse në kontekstin e revoltës së vitit 1981, absolutisht nuk ishte e vërtetë se kërkesa për Republikë ishte antijugosllave. Nuk ishte aspak, nga që Republika kërkohej të konstituohej në kuadër të Federatës jugosllave. Madje do të ishte e kundërta. Statusi i Republikës për Kosovën mund ta përforconte vetë Jugosllavinë, respektivisht rregullimin federativ. Madje, edhe lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, sipas së cilës në këtë Republikë do të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi – përsëri nuk ishte antijugosllave, pasi që konstituimi i saj kërkohej të bëhej brenda ish-Jugosllavisë. Dhe këtu, pushtetarët komunistë mund t’i bënin një mbrojtje të hapur revoltës qytetare të shkurt-mars-prillit të vitit 1981, duke e vënë në spikamë kërkesën kryesore politike për Republikë dhe duke argumentuar se ajo aspak nuk ishte antijugosllave, por se do ta forconte rregullimin federativ, për çka kishte plot e përplot argumente. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ardon Jashari i afrohet shumë Charles De Ketelaere në rekordin…