
Shqiptarët pa intelektualë: Politikanët shpirtshitës po mbajnë peng kombin!
Shkruan: Fadil Maloku
1. Bota shqiptare sot është pothuajse e privuar krejtësisht nga një qasje intelektuale ndaj fenomeneve dhe proceseve përmes të cilave po kalojnë si Kosova, ashtu edhe Shqipëria. Në fakt, ekziston një bollëk akademikësh e burokratësh, profesionistësh e studiuesish, madje edhe një mori shkencëtarësh e teknologësh që, me arritjet e tyre intelektuale, kanë bërë emër brenda dhe jashtë vendit, por që shquhen më shumë për mungesën dhe indiferencën e tyre të plotë. Sociologjikisht, kjo gjendje shpjegohet edhe nga fakti se shoqëritë tradicionale, që siguruan mbijetesën përmes figurave klasike e historike, ishin në thelb antiintelektuale, e për të mos thënë herë pas here edhe antikombëtare.
2. Themi kështu, sepse shumica e formave dominuese të mendimit kreativ, në periudha të ndryshme të historisë dhe të shoqërisë shqiptare, u ndërtuan, rindërtuan, e madje shpesh u deformuan jo mbi bazën e normave dhe standardeve të akademizmit të mirëfilltë, por përmes servilizmit ideologjik dhe poltronizmit mediokër sociopolitik. Në fakt, duhet thënë troç: “odisejadat” e formimit të tyre intelektual ishin thellësisht antiintelektuale. Pse e themi kështu? Një arsye e fortë mbetet imitimi i verbër i normave dhe standardeve kulturore të pushtuesve të shumtë gjatë historisë sonë të nënshtruar. Kjo histori, në vend që të prodhonte ide, koncepte e korniza me dimensione gjithëkombëtare, u vetëkënaq përkohësisht me imitime dhe me mentalitetin e të qenit rob i sistemeve të huaja vlerore.
3. Pra, mungesa e tipit të intelektualit largpamës bëri që, në emër të përshtatjes me sistemet e huaja të vlerave, ata të mos arrinin të dilnin nga lëvozhga e ndikimit nënshtrues. Tragjika e këtij perceptimi miop dhe e kësaj historie të akomodimit e përshtatjes bëri që edhe sot të mbetemi në të njëjtat “koordinata” servile e poltroniste. Mungesa e tmerrshme e intelektualëve në shoqëritë shqiptare shpjegohet edhe me faktin se edhe ata pak “pretendentë” që ekzistojnë, e kanë tradhtuar misionin e tyre fisnik: në vend se të ndërtojnë vizionin për të ardhmen e kombit dhe shtetit mbarëshqiptar, ata vetëkënaqen me avokime ideologjike dhe me gjykime shekullariste të kohës.
4. Në definimin e intelektualit largpamës shqiptar duhet sqaruar se nuk po themi që ky tip intelektuali duhet të shndërrohet në një krijesë mitike dhe tëhuajsuese, që udhëhiqet vetëm nga joshjet dhe ngarkesat praktike e pragmatike të politikës dhe bartësve të saj. Përkundrazi, bëhet fjalë për një tip që kupton, emancipohet dhe, mbi bazën e kësaj përvoje, ndërton, skicon, kornizon e projekton të ardhmen e kombit dhe shtetit tonë të përbashkët. Intelektuali shqiptar i sotëm nuk duhet të kërkojë ide të reja thjesht për hir të ideve si nevojë sublime, por të hulumtojë ide që çojnë kah reformat, ngritja e mendimit kritik, gjykimi politik, synimet gjeopolitike dhe ambiciet gjeostrategjike të kombit.
5. Këtë mision intelektuali shqiptar mund dhe duhet ta ushtrojë pavarësisht ndikimeve të përditshme, me një qëndrim butësisht kurioz e rreptësisht vizionar. Intelektualit të ditëve tona nuk i duhet fuqia politike apo ideologjike për t’i realizuar këto ide fisnike kombëtare e shtetërore, sepse ai duhet ta ndjejë këtë jo si detyrë të imponuar, por si obligim kombëtar dhe shtetëror. Elitat aktuale politike duhet të mësojnë të hapin jo vetëm sytë e mendjen, por edhe sensorët e intuitës. Intelektuali sot duhet të “qëndisë” në xherdanin e tij si menynë praktike e pragmatike, ashtu edhe një “road map” udhërrëfyese kombëtare për politikanët servilë e konformistë që u frikësohen projekteve madhore për bashkimin dhe unifikimin e potencialeve ekonomike e ushtarake të kombit. Të gjitha këto parapërgatitje duhet të futen në funksion të kalkulimeve të sakta të sfidave gjeopolitike e gjeostrategjike që po lëvizin me shpejtësi të paparë.
6. Thënë më thjesht: Intelektualët nuk duhet të kenë vetëm mendje përvetësuese e analitike, por edhe mendje kritike, imagjinuese, kreative dhe transformuese. Në thelb, “proletariati akademik” dhe “ai politik”, kur janë në pyetje interesat kombëtare e shtetërore, nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe të presin zgjidhje vetëm nga qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Ata duhet të shndërrohen në nismëtarë të padiskutueshëm të projekteve madhore. Sepse ende kemi fërkime e polarizime evidente politike, fetare, e sidomos ndëretnike (me serbët). Dhe është e pamundur të fitojmë këto “beteja” pa qendrat globale të vendimmarrjes, edhe pse edhe atyre u janë lëkundur si interesat, ashtu edhe fuqia e ndikimit mbi partnerët e aleatët e dikurshëm.
7. Duhet kuptuar gjithashtu se kalimi nga socializmi shtetëror në kapitalizmin postkomunist në shoqëritë shqiptare, sidomos në Kosovë, ka hapur plagë të shumta socioekonomike dhe ka krijuar tensione politike me Serbinë. Në këtë ambient, “aristokracia” shkencore postkomuniste shqiptare, përkundër sfidave të shumta, nuk arriti të ndërtojë një diskurs të ri dhe një vizion të qartë e ambicioz, ku të shfrytëzoheshin racionalisht të arriturat e ndikimit vleror perëndimor në dekadat e fundit. Përkundrazi, ajo u mbyll dhe u vetëkënaq në “kështjellën” e privilegjeve dhe ambicieve statusore, ekonomike e politike. Botën sot po e udhëheqin teknokratë të zhveshur nga ndjenjat kombëtare, sociale, fetare e sidomos politike. I vetmi tipar që u ka mbijetuar ende këtyre teknokratëve megalomanë është identiteti kulturor e vleror, që po riformësohet nga globalizmi i ri korporativ i arkitektëve të Donal Trump…
Si përfundim; “proletariati ynë akademik” dhe “ai politik”, kur janë në pyetje interesat kombëtare e shtetërore, nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe të presin zgjidhje vetëm nga qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Ata duhet të shndërrohen në nismëtarë të padiskutueshëm të projekteve madhore. Sepse ende kemi polarizime të theksuara politike, fetare e ndëretnike (sidomos me Serbinëdhe Greqinë), dhe është e pamundur t’i fitojmë këto “beteja” pa qendrat globale të vendimmarrjes, edhe pse edhe atyre u janë lëkundur si interesat, ashtu edhe fuqia e ndikimit mbi partnerët e aleatët e mëhershëm. Intelektualët shqiptar, në këto kohëra të zymta duhet ta marrin rolin e “kirurgut” dhe me “briskun” e tyre t’u servojnë, ide koncepte dhe një trase më të qartë e me faza; afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata politikanëve aktual, dhe atyre që janë të gatshëm ta qojnë më tej procesin bashkimit të kombit shqiptar në Ballkan…