SHTËPIA E VERDHË – VMA

23 nëntor 2020 | 11:28

Shkruan: Ragip Shala

Në qershor të vitit 1999, me luftën e UÇK-së, Kosova u çlirua nga terrori i luftës konvencionale serbe, por nuk u çlirua nga terrori i luftës speciale të shërbimeve inteligjente të UDB-së dhe KOS-it. Terrori i luftës konvencionale serbe zë fill me spastrimet etnike në krahinat e Toplicës dhe Kosanicës, kurse vazhdon të rritet në mes dy luftërave botërore dhe kulmoi me krimet e gjenocidit gjatë luftës në vitet 1998/99. Ndërsa terrori i luftës speciale vazhdon ta terrorizojë Kosovën në forma dhe metoda më të sofistikuara nga lëmi i kësaj lufte. Serbia me propagandë përmes mjeteve të komunikimit masiv, librave, kinematografisë dhe diplomacisë, ka arritur ta ngujojë dhe ta kryqëzojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Dinakëria serbe përmes luftës speciale ka arritur të shpifë aq mjeshtërisht kundër UÇK-së saqë edhe Dick Marty, i dehur nga “poklloni” i shlivovicës serbe, “hëngri sapunin për samun”!
E tërë veprimtaria e luftës speciale serbe përmes propagandës ka kulmuar me trillimin e “Shtëpisë së Verdhë” në malet e Kukësit, si një “poliklinikë” në të cilën gjoja janë kryer transplantime të organeve njerëzore. Nën ndikimin e shërbimeve inteligjente serbe, Dick Marty hartoi një raport me të cilin denoncoi UÇK-në për “transplantim”’ dhe “trafikim organesh njerëzore” në Këshillin Evropian që rezultoi me themelimin e Gjykatës Speciale me një fond prej 350 milionë dollarësh. Duke u bazuar në definimet e shkencave të mjekësisë se: Ç’është transplantimi? Cilët kirurgë mund të operojnë? Në çfarë rrethanash? Me çfarë pajisje? Në cilat klinika? Atëherë na shpalosen dy klinika transplantësh: Njëra në “Shtëpinë e Verdhë” në Kukës, tjetra në Batajnic të Beogradit.

No description available.

Foto: Spitali Ushtarak në Batajnicë

E para është “klinikë” fiktive e Dikck Martyt, kurse e dyta është klinikë reale e gjeneralëve vrastarë serbë: R. Mlladiqit, N. Pavkoviqit, V. Llazareviqit, S. Llukiqit në krye me Millosheviqin, të gjithë këta gjakatarë të dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
“Klinika” e Dick Martyt në “Shtëpinë e Verdhë” në Kukës është një objekt banimi me ndërtim tejet të vrazhdë, pa rrugë, pa rrymë, pa ujë në majë të bjeshkës, në të cilin “klinikë”, sipas Martyt, janë “transplantuar organe” serbësh që pastaj janë “trafikuar” përmes portit të Durrësit dhe aeroportit të Tiranës.
Kjo “klinikë” në “Shtëpinë e Verdhë”, si e tillë, është një absurd që vret jo vetëm në ndërgjegjen racionale të “shlivovicqanit” Marty, por dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropian. Ky absurd do të trokasë gjithsesi në dyer të drejtësisë për terrorin psikologjik ndaj popullit të Kosovës. E dyta shtëpi e verdhë ndodhët në Batajnicë të Beogradit. Nuk është klinikë absurdi, por është reale dhe hyn ndër klinikat më moderne në kontinentin evropian. Kjo “Shtëpi e Verdhë”, VMA (Vojna Medicinska Akademija) Akademia e Mjekësisë Ushtarake, është departament i Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Serbisë. Përbëhet prej 30 klinikave dhe 20 instituteve shkencore për hulumtime të ndryshme në lëmenjtë ushtarakë. Që nga viti 1978 në këtë qendër poliklinike ushtarake janë praktikuar transplantimet e organeve njerëzore, prandaj për këtë konsiderohet një ndër klinikat e para në Evropë. Në këtë qendër mjekësore ushtarake janë formuar mijëra kirurgë ushtarakë dhe civilë të cilët kanë pasur për ligjërues edhe shkencëtarin dhe kirurgun e famshëm për transplantime, prof. dr. Vladimir Petroviq. VMA (Vojna Medicinska Akademija) Akademia e Mjekësisë Ushtarake në Batajnicë të Beogradit, për dallim të “Shtëpisë së Verdhë” në Kukës, është një metropol në vete i kompletuar me pajisje aparaturash më moderne dhe personel mjekësor më të specializuarit, infrastrukturë adekuate për transplantime, në të cilën për çdo muaj kryhen disa dhjetëra operacione transplantimesh me organe njerëzore: zemra, veshkë, mëlçi, të tëra këto në mënyrë të “ligjshme”?!

No description available.

Foto: Demonstrata e prindërve të fëmijëve të humbur

Karla del Ponte është “përbiruar për birë të gjilpërës” për t’i vërtetuar shpifjet e terrorit të luftës speciale serbe. Në mungesë provash, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka ndërprerë hetimet ndaj “klinikës” së Martyt në “Shtëpinë e Verdhë” në Kukës. Shërbimeve inteligjente serbe, shpifjeve tejet të sofistikuara të tyre nuk i ndihmuan as 350 milionë dollarët e taksapaguesve evropianë për t’ia lënë kopilin te dera “UÇK-së, me sajesën e klinikës” së Dick Martyt.
Përkundrazi, “Shtëpia e Verdhë” në Kukës tani është çelësi që do ta hapë portën e ferrit mbushur me krimet më të tmerrshme, krimet më makabre në VMA të Beogradit, poliklinikë kjo në të cilën u janë shkulur dhe trafikuar organet mijëra personave jo vetëm gjatë luftës në Bosnjë dhe Kosovë. VMA e Batajnicës në Beograd është industri kriminale, emblemë e kriminalitetit më të organizuar në nivel global me protagonistë gjeneralë, politikanë, mjekë, klerikë që për decenie kanë kryer këto krime të “ligjshme”. Në zbulimin e këtyre krimeve janë së paku tri pista: a) “Vetëvrasjet” e Rekrutëve Shqiptarë në APJ, b) Shoqata e Prindërve të Foshnjave të Humbura (Udruzenje Roditelja Nestalih Bebe), c) Të “Zhdukurit” shqiptarë gjatë luftës në Kosovë 1998/99.
“Vetëvrasjet” e rekrutëve shqiptarë gjatë shërbimit ushtarak në APJ kanë ndodhur pas Pranverës Republikane të ’81-s, sidomos në prag të shpërbërjes së RSFJ-së.
Janë mbi 100 rekrutë shqiptarë që gjoja kanë bërë “vetëvrasje” në kazermat ushtarake anembanë RSFJ-së. Çuditërisht pas “vetëvrasjeve” të gjithë atyre u janë bërë ekspertizat mjeko-ligjore në VMA të Batajnicës, nga aty pastaj familjarët e ngushtë kanë tërhequr arkivolet e mbyllura hermetikisht, duke i varrosur nën përcjelljen e policisë ushtarake? Këto krime të padënuara të gjeneralëve serbë kërkojnë drejtësi dhe adresa të zbardhjes së tyre, që nuk është askund tjetër pos në “Shtëpinë e Verdhë” të Batajnicës në Beograd.
Shoqata e Prindërve të Foshnjave të Humbura në Serbi është themeluar në vitin 2005, kryetar i së cilës është Vlladimir Qiqareviq, e cila shtrihet në tërë Serbinë (Vojvodinë) dhe, së fundmi, në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut. Numëron rreth 10 000 anëtarë, prindër të foshnjave të zhdukura gjatë disa decenieve të kaluara.
Sipas të dhënave të kësaj shoqate, rezultojnë 30 000 foshnja të humbura, që janë rrëmbyer nëpër spitale gjinekologjike, duke i mashtruar prindërit se “u ka vdekur foshnja”?!
Që nga viti 2013 në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, prirë nga Zorica Jovanoviq, janë paraqitur qindra padi kundër shtetit serb për foshnjat e zhdukura. Gjykata ka vendosur në favor të prindërve, duke ngarkuar shtetin serb që t’i ekzekutojë aktgjykimet. Meqë shteti serb ka vazhduar të mos ekzekutojë aktgjykimet, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i ka kërkuar shumë herë Serbisë t’i ekzekutojë aktgjykimet, madje Këshilli i Evropës ka miratuar edhe Rezolutë për këtë çështje. Nën presion të Këshillit të Evropës, të Gjykatës së Strasburgut, Kuvendi i Serbisë më 29 shkurt 2020 ka votuar Ligjin për Foshnjat e Zhdukura. Në bazë të ligjit, shteti serb obligohet t’i kompensojë prindërit e fëmijëve të zhdukurve me nga 10 000 euro, por çështja nuk ka mbaruar këtu. Prindërit nuk duan kompensim. Ata kërkojnë të njoftohen me të vërtetën se çfarë ka ndodhur me fëmijët e tyre.
Në tetor të vitit 2020 shoqata organizoi protestë para VMA-së duke akuzuar politikanë, eprorë ushtarakë, mjekë, klerikë fetarë të shtetit serb për zhdukjen e fëmijëve të tyre, transplantim dhe trafikim organesh. Akuza e Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve të Zhdukur shpalosi një krim të pashembullt në nivel global: vjedhjen e foshnjave të sapolindura nga lehonat, shitjen e foshnjave, transplantimet e organeve dhe trafikimin e tyre për disa dekada me radhë.
Të zhdukurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë 1998/99 përbën kapitullin më të dhimbshëm të çlirimit të Kosovës. Përbën pistën kryesore për të “aterruar” në bazën e krimit më të organizuar shtetëror serb: VMA në Batajnicë të Beogradit.
Përderisa të vrarit civilë: fëmijë, gra, pleq, viktima të krimit të gjenocidit serb janë varrosur në varreza të Prekazit, Reçakut, Krushës së Madhe, Rezallës, Izbicës, Mejës, të “zhdukurit” një pjesë pas zhvarrosjeve nga Serbia janë varrosur në Kosovë, kurse pesa tjetër e të “zhdukurve” edhe pas 21 vjtëve varret u kanë mbetur akoma të zbrazët.
Të “zhdukurit” shqiptarë: fëmijë, adoleshentë, gra, burra dhe pleq, përbëhen nga dy kategori: Të vrarët dhe të rrëmbyerit, të cilët nuk janë zhdukur në Kosovë, por në Serbi deri në 500 kilometra largësi nga vendlindja e tyre, nga vendrrëmbimi i tyre.
Të vrarët janë tërhequr nga vende-masakrat e Kosovës dhe bartur në Serbi, disa trupa të tyre u janë djegur në shkritoret e Zveçanit dhe Borit, disa janë varrosur ndër punishte anembanë Serbisë. Të “zhdukurit” nga kategoria e të rrëmbyerve janë transportuar të gjallë deri në Kazermën ushtarake të Batajnicës dhe kjo kategori e të “zhdukurve” përbën kulmin e krimeve të gjenocidit shtetëror serb ndaj shqiptarëve. Në Batajnicë deri tani janë zbuluar 1 200 trupa të personave të “zhdukur”, kurse përskaj Batajnicës në Lumin Danubë janë zbuluar edhe 1 000 trupa në kamion ushtarak.
Batajnica përbën varrin më të madh masiv të shqiptarëve të “zhdukur” për dallim nga varret e tjera masive anembanë Serbisë.
Pse gjeneralët serbë i bartën të “zhdukurit” (të vrarët dhe të rrëmbyerit) nga rajone të ndryshme të Kosovës për në Batajnicë, në një distancë prej 500-600 kilometrash?
Meqë donin t’i zhduknin provat e krimeve ndaj civilëve, atëherë pse nuk i varrosnin diku më afër, p. sh., në Kurshumli, Prokuple, Nishë, por në Batajnicë?!
Pse mbetjet mortore të të “zhdukurve” janë kthyer me etapa, kohë pas kohe?!
Pse në formularët e identifikimit të mbetjeve mortore mungon rubrika: Koha e vdekjes. A nuk e përcakton shkenca e mjekësisë ligjore saktë, pos shkakut, edhe kohën e vdekjes?!
Përgjigjet jo vetëm nga këto pyetje, por edhe në qindra të tjera provojnë katërçipërisht se në Qendrën Poliklinike VMA të Batajnicës në Beograd janë kryer krimet më makabre nga gjeneralët serbë. Transplantime të organeve prej të “zhdukurve” shqiptarë dhe trafikimi i tyre i “ligjshëm”, mbase edhe përtej atlantikut.
“Shtëpia e Verdhë” nuk është në Kukës. Është në VMA të Batajnicës në Beograd. Atje fshihet krimi më i rëndë, më i veçantë që pas Luftës Dytë Botërore. Krim i gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë.
“Shtëpia e Verdhë” VMA e Batajnicës në Beograd kërkon Dick Martyn!
Ku është Dick Marty?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krenari dhe dhimbje nga lufta, Vasfije Krasniqi sjell videon e…