Si i shpëtoi halla Dudë mbi 50 demonstrues shqiptarë gjatë vitit 1989

27 korrik 2021 | 14:54

Sahit (Halit) Dragidella ka lindur në fshatin Novolan, Komuna e Vushtrrisë. Sipas dëshmitarëve dhe sipas deklaratës së të ndjerit, Sahiti ishte i lindur në vitin 1912 dhe ka vdekur në muajin dhjetor të vitit 2015 në moshën 102-vjeçare.

Bashkëshortja Dudë (Kozmaqi) Dragidella e lindur në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit. Ajo ka vdekur më 1 shtator 2017, në ditën e festes së Bajramit të Vogël.

Këta dy bashkëshortë i kanë pasur shtatë djem (vajza nuk kanë pasur), tani janë gjashtë pasi që djali i katërt Ibrahimi ka vdekur në vitin 1987.

I ndjeri mixha Sahit me profesion ishte vozitës deri në pensionim dhe ishte njëri ndër traktoristët e parë në Kosovën e asaj kohe.

Është shumë vështirë të përshkruhen vuajtjet e këtyre dy bashkëshortëve pasi që i ndjeri mixha Sahit merrte një pagë shumë të ultë dhe ishte shumë vështirë t’i ushqente dhe t’i shkollonte shtatë fëmijë.

Mixha Sahit (siç e quanin qytetarët e Vushtrrisë) ishte vozitës në ndërmarrjen tregtare  “Voqar” në Prishtinë dhe në vitin 1981 dhe duke iu referuar situatës politike të asaj kohe ai ndalohet nga njësitet e veçanta policore të ish- RSFJ-së  me pretekstin se kamioni i tij po tymon tejmase dhe ia konfiskojnë patentëshoferin, por arsyeja ishte se në kokën e tij shkëlqente plisi i bardhë dhe pas një kohe zyrtari policor shqiptar, Ismajl Dibrani ia kthen patentëshoferin.

Në ndërkohë njëri nga djemtë e mixhës Sahit, Ramadani punësohet si punëtor krahu dhe në fund të viteve ’80-ta pas diplomimit në Fakultetin Juridik punësohet edhe djali Salihu  dhe paksa zbutet gjendja ekonomike e familjes.

Mirëpo në vitin 1990 mixha Sahit pensionohet e në të njëjtën kohë nga pushteti serb largohen me dhunë nga puna pasi nuk i pranuan masat serbe edhe të dy djemtë e tij Salihu (Operativi i Sekretariatit të Punëve të Brendshme) dhe Ramadani ku prapë përballen me vështirësi ekonomike të familjes sepse nuk kishin kurrfarë të ardhura.

Fati deshi që tre djemtë e vegjël të mixhës Sahit të emigrojnë në Gjermani (sepse kërkoheshin për shërbimin ushtarak të ish-RSFJ-së, të cilin shërbim e refuzuan) dhe të tre filluan të punojnë dhe dukshëm e përmirësuan gjendjen ekonomike në familje. Mixha Sahit dhe halla Dudë shtrinë dorën e bamirësisë dhe filluan të ndihmojnë shumë familje skamnore në atë kohë. Familja Dragidella ka kontribuar në aspektin financiar edhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo mund të vërtetohet nga aktivistët e këshillit financiar të asaj kohe në Vushtrri .

Vlen të theksohet se familja Dragidella ka kontribuar me ndihma materiale edhe për shumë anëtarë të Sindikatës së ish-Policisë në Kosovë pasi djali i madh, Salihu ishte aktivist i asaj sindikate, tani pjesëtar i Policisë së Kosovës. Këtë mund të vërtetojnë edhe udhëheqësit dhe aktivistët kësaj sindikate.

Gjithashtu familja Dragidella e sidomos të tre djemtë e mixhës Sahit që punonin në Gjermani, financiarisht kanë kontribuar edhe për luftën e UÇK-së.

Është e vlefshme të ceket një ngjarje në nëntor të vitit 1989 kur shpërthyen demonstratat e fuqishme për demokraci si pasojë e brutalitetit nga pushteti i Serbisë ndaj popullatës shqiptare, dhe këto demonstrata u përhapen gjithandej në Kosovë duke përfshirë edhe qytetin e Vushtrrisë.

Një ditë nëntori të atij viti në Vushtrri situata eskaloi në afërsi të kooperativës bujqësore ku forcat policore serbe vepronin në tokë kundër demonstruesve, ndërsa nga ajri vepronin helikopterët ushtarakë duke gjuajtur me gazë lotsjellës e dikur duke përdorur edhe municion luftarak, duke tentuar t’i shpërndanin demonstruesit.

Demonstruesit duke vërejtur se janë të rrezikuar nga gjuajtjet me armë nga helikopteri ushtarak tentojnë të shpërndahen, mirëpo e keqja ishte se ishin të rrethuar nga forcat policore speciale te ura e “hekurit” dhe në afërsi kooperativës bujqësore.

Në ato momente halla Dudë (siç e quanin qytetarët e Vushtrrisë) duke vërejtur nga oborri situatën e vështirë për pjesëmarrësit e demonstratave pa hezitim dhe me guxim të pashoq e ka hapur derën e oborrit të shtëpisë së saj, duke i futur dhe strehuar brenda në shtëpi rreth 50 demonstrues. Shumica e demonstruesve kanë pasur probleme me frymëmarrjen për shkak të gazit lotsjellës, dhe atëherë halla Dudë i ka shërbyer me qepë dhe pije freskuese.

Dikur në orët e vona të mbrëmjes me qetësimin e situatës demonstruesit në grupe të vogla ka ndalur nga shtëpia dhe janë larguar drejt vendbanimeve të tyre.

Dëshmitarë të atyre ngjarjeve ka pasur shumë persona të cilat tash e kanë edhe një moshë e në mesin e tyre ishte Ismajl Maloku nga Vushtrria (babai i të cilit, Sadik Maloku ishte edhe i burgosur politik), i cili tani vepron dhe jeton në Austri.

Salihu si operativ i SPB-së me të përfunduar punën rreth orës 02:00 pasmesnatës kthehet në shtëpi dhe vëren se ambienti në shtëpi është i çrregulluar dhe e pyet bashkëshorten se çka ka ndodhur? Bashkëshortja i përgjigjet “patëm mysafirë” bëhet fjalë për demonstruesit.

Kur djali Salihu e ka pyetur nënën Dudë se a ka mundur ta dijë se çfarë pasojash mund të kishin pasur si familje, lokja Dudë është përgjigjur:  “Nuk e kisha lejuar askënd të hyjë dhe të kontrollojnë shtëpinë sepse e kisha mbrojtur pragun e shtëpisë”, ndërsa Salihu vetëm kishte qeshur.

Në mars të vitit 1995 nga një ekspeditë e forcave serbe u bastis shtëpia e mixhës Sahit duke i  maltretuar anëtarët e familjes dhe demoluan pothuajse gjithçka që hasen. Në njërën nga dhomat vërejtën fotografitë e Skënderbeut, Bajram Currit, Shotë Galcës, të Azem Bejtës, Hasan Prishtinës dhe të patrioteve të tjerë shqiptarë. E pyetën mixhën Sahit në gjuhen serbe “kush janë këta në fotografi”, i njëjti ju përgjigj policisë serbe:  “Këta kanë qenë luftëtarë”,  ata ia kthyen “se këta ishin ballist”. E urdhëruan mixhën Sahit t’i largon ato fotografi, por i njëjti refuzoi t’i largojë duke e sugjeruar se kur do të vijnë herën tjetër mos t’i gjejnë ato fotografi.

Në këtë situatë të pakëndshme në familjen Dragidella ishte mysafirë  Ibrahim Ferati (veteran i UÇK-së) nga fshati Bare, Komuna e Mitrovicës, tani pjesëtar i Policisë së Kosovës.

I ndjeri mixha Sahit edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk e ka larguar plisin nga koka ku me 22 maj 1999 te varrezat e qytetit të Vushtrrisë nga ana policëve serb ishte rrahur me shkop bejsbolli, vetëm me arsyen e bartjes së plisit të bardhë.

Këto janë disa ngjarje të cilat i ka përjetuar familja Dragidella nga Vushtrria.

* Ky shkrim është rrëfim nga familja Dragidella

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur sot për herë të parë takimi i bordit…