
Si ia refuzoi Gjykata Speciale kërkesën prokurorisë për kufizimin e vizitave të Thaçit në paraburgim?
Gjykata Speciale me seli në Hagë, ia ka refuzuar një kërkesë Prokurorisë. Ndër të rrallat herë kur ndodh kjo, pasi në 99 për qind të rasteve ato pranohen.
Fjala është për kufizimin e disa vizitave të Hashim Thaçit në Qendrën e Paraburgimit.
Kërkesa e njëjtë që ishte bërë në rastin ku ish-presidenti akuzohet për pengim të drejtësisë, është përsëritur edhe në rastin e krerëve të UÇK-së.
Lista për ndalimin e vizitave nga Thaçi përfshinte 14 persona, përfshirë tre vëllëzërit e tij, Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër të tjerëve që nuk dihen.
Kërkesa nuk ishte pranuar për vëllezërit e Thaçit, por për të tjerët po.
Trupi gjykues ka theksuar se kërkesa e njëjtë pasi ishte bërë kohë më parë te rasti tjetër, nuk ka arsye të aprovohet pasi tashmë ka vendim.
Vendimi për kufizimin e vizitave ishte marrë kohë më parë, por prokuroria ka tentuar ta zgjerojë listën.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, \[REDAKTUAR], \[REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, \[REDAKTUAR] dhe \[REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, është thënë në vendim.
Vendimi ishte marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e kishte arsyetuar me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin tek dëshmitarët.
Ata kanë pretenduar se këta persona mund të ndalohen të vizitojnë Thaçin për arsye legjitime. Veç kësaj, edhe nëse iu ndalohet vizita tre vëllezërve të Thaçit, Prokuroria thotë se i akuzuari i ka edhe dy të tjerë që mund ta vizitojnë.
Mbrojtja e Thaçit e kryesuar nga Sophie Menegon kishte thënë se kufizimet e kërkuara janë të panevojshme dhe cenojnë të drejtat themelore të Thaçit për jetën private dhe familjen.
Veç kësaj, prokuroria kishte kërkuar që të diskutohet gjatë vizitave për çështjen për krime lufte ose atë kundër administrimit të drejtësisë. Ndërsa, mbrojtja thotë se Thaçi nuk duhet të ndalohet të diskutojë ato që janë në domenin publik. /Nacionale