Si shkoi Misioni Vëzhgues i OSBE-së në Reçak, më 16 janar 1999?!

14 janar 18:12

Shkruan: Skender Asllani

Në mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999 qyteti i Shtimes u zgjua i trishtueshëm nga artileria e rëndë, që forcat serbe granatonin fshatin Reçak. Sulmet ishin të tmerrshme dhe të pandërprera. Një pjesë e lagjes sonë u grumbulluan në shtëpinë tonë (shtëpia jonë është në lagjen e 5-të të qytetit të Shtimes), pasiqë ajo është rrëzë një kodre dhe kati përdhes është e ndërtuar me gur, kështu që dukej më “e sigurt” së paku nga breshëritë e plumbave. Por, forcat paramilitare serbe nuk gjuanin nga ne. Ata ishin drejtuar drejt fshatit Reçak. Një pjesë e njerëzve të lagjes si: Smajl Seferi, Nuredin Rexhaj, Agim Seferi, Rizah Bajrami, Hysri Gashi, Haxhi Haxha etj., dolën në kodër të lagjes, rrëzë murit të “Bali Hajrizit”, ku vërehet mirë Çesta e Reçakut për të parë se çfarë po ndodhte… Çfarë të shihnin?! Forca të shumta policore e ushtarake serbe me artileri të rëndë e kishin mbuluar Çestën duke shkuar në drejtim të Reçakut…
Në ndërkohë rreth orës 9 në shtëpinë tonë vjen një grua, që dukej e trembur, e trishtuar e cila i kishte duart e përgjakura. Ajo ishte inxhia Hatë (gruaja e xhaxhait të babit tim dmth e xhaxhit Beqë), e cila kishte shtëpinë m’u në Çestë të Reçakut. Ajo dukej e trishtuar dhe tregoi se si forcat serbe ia vranë djalin e saj Mustafën që në orët e hershme të mëngjesit me një breshëri plumbash në prani të saj, gruas së Musafës zonjën Kumrie, e cila ishte edhe shtatzënë dhe vajzës së tij dy vjeçare Mejremen. Ndërsa, këto i kishin futur brenda dhe i kishin thënë që mos të dilnin nga shtëpia. Më vonë dy ushtarë serbë duke i fyer iu thonë që të ikin sa më parë nga këtu… rrëfente mes lotësh inxhia Hatë.
Nënë ime, bashkë me tetën Nifë (Hanife) mundoheshin që ta qetësonin, duke i thënë se ndoshta veç e kanë plagosur Mustafën…(disi plagosja ishte si një lloj ngushëllimi), por, më kot, ajo sa mund të qante. Unë fluturimthi shkova në kodër për t’i treguar babait tim. Erdhën shumë njerëz. Asnjë nuk kishte se çfarë të bënte.

Edhe pse në Reçak zhvillohej luftë e pandërprerë dhe ishte e pamundur që të shikosh madje edhe prej murit të “Bali Hajrizit” (i cili mur edhe sot është ndoshta me një gjatësi prej 200 metrash), inxhia Hatë kishte një kërkesë nga babai im (Rifat Asllani) dhe tërë njerëzit që ndodheshin aty
“O në mujshi veç me varros Mustafen, se ai asht i mbulum me gjak dhe kanë me hanger qent”. Ishte vërtet gjendje e rëndë!
Duke dëgjuar granatimet, pastaj breshëritë e mitrolozëve, që zhvilloheshin mes forcave serbe dhe ushtarëve të UÇK- së, po ashtu duke u marrë disi me inxhen Hatë ra terri dhe luftimet “pushuan”, por kërkesa e saj nuk pushonte…
Të nesërmen në mëngjes, më 16 janar 1999 inxhia Hatë nuk ndodhej në shtëpi! Kishte dalë! E ku mund të shkonte? Ajo kishte shkuar për ta ruajtur djalin e saj që mos ta hanë qentë! Babai im Rifati bashkë me bacin Muharrem (Muharremi, është kushëriri i babait, pra djalë i xhaxhait edhe i babit tim, por edhe i Mustafës) shkuan në zyrat e LDK-së (natyrisht duke ndjekur rrugicat me kujdes maksimal, ku zyra e tyre ndodhej në rrugën e Prishtinës) për t’i pyetur mos kanë ndonjë kontakt me ndërkombëtarët (OSBE), me qëllim që të shkojnë ta varrosin Mustafën së paku në oborrin e shtëpisë së tij, por ata thonë se nuk mund të bëjmë gjë, madje duke i sugjeruar që as vet mos të shkojnë se është rrezik që edhe këta të përfundojnë si Mustafa…
Pasi dalin nga zyra, shohin një veturë me ngjyrë të portokalltë të OSBE-së. Gëzimi i tyre! I dalin përpara! Në atë çast ai i thotë, –
“Moment! Probllem!” Këta ja kthejnë – “Problem”!

Por, ai flet në gjuhën angleze dhe nuk ka përkthyes me vete. Baci Muharrem flet në gjuhën sllovene, por ai nuk e kupton. Atëherë ai anëtari i OSBE-së, flet në telefon. Duke ju drejtuar këtyre “moment!” vjen një vetura tjetër, po ashtu me ngjyrë të portokalltë e Misionit Vëzhgues të OSBE-së, në të cilën ndodhet një përkthyese. Këta i tregojnë ngjarjen se çfarë kishte ndodhur dhe kërkojnë prej tyre, nëse mund veç të na siguroni që ta varrosim djalin e xhaxhait, i cili dje është vrarë nga forcat serbe në oborrin e shtëpisë së tij në prezencë të familjes. Në ato çaste Misionit Vëzhgues i OSBE-së, fillimisht nuk mund të garantojë siguri, por ata flasin me telefon, pas pak, përkthyesja i drejtohet babit tim, – ti do të vish me ne, por duhet të rrish poshtë karrige i kërrusur (i strukur) që mos të shohin forcat serbe, sepse qendra e qytetit të Shtimes ishte e mbushur me ushtarë e polic serbë.
Me të shkuar në Çestë, në oborr ndodhej inxhia Hatë, e cila i kishte larë fytyrën djalit të saj Mustafës dhe kokën e tij e kishte vënë në preherë duke ja krehur flokët… siç tregon babi im ishte çast shumë i rëndë për të, pastaj përkthyesen dhe për përfaqësuesin e OSBE- së, i cili menjëherë nxjerr aparatin dhe e fotografon viktimën (Mustafën) dhe flet me dikë në telefon. Por, kur banorët e Reçakut shohin veturën me ngjyrë të portokalltë, vijnë shpejt dy djem të rinj duke treguar tmerrin që forcat serbe kishin vrarë e masakruar rreth 50 njerëz, kryesisht fëmijë, gra e pleq. Ai, përfaqësuesi i OSBE-së sërish flet në telefon. Përkthyesja i thotë babit tim se është duke i thirrur që të vijnë nga Prishtina që të vijnë sa më parë në Reçak. Aty babai im bashkë me ta, pra z. Edvard Sullivan (emrin e të cilit e kemi mësuar pas lufte kur ka ardhur ta vizitojë babin tim, e që ne e njohim me emrin “Edi”) natyrisht pa e ditur që ai ishte një ndër njerëzit kryesor të Misionit Vëzhgues të OSBE- së), shkojnë bashkë në fshatin Reçak dhe aty kishin parë tmerrin e vërtetë. Kishin parë atë që nuk mund as të imagjinohej…


Derisa përkthyesja, z. Edvard Sullivan dhe babai im Rifati ishin në vendin e ngjarjes, ata kishin parë një helikopter me derë të hapur dhe dy njerëz duke fotografuar që silleshin mbi kokat e turmës. Për çdo gjë përfaqësuesi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së njoftonte qendrën e tyre.
Në ekzaminimin e kufomave ishte ekipi mjekësor i UÇK- së i Zonës Operative të Nerodimës, dr. Veziri, Mevlidja, Nerxhivanja dhe motra ime Vlora Asllani. Me këtë ekip ishin edhe shumë ushtarë e ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pastaj, për çështjen e varrimit të Mustafës, është marrë ekskluzivisht baci Muharrem, pasi që trupin e pajetë të tij dhe të masakruarave të banorëve të tjerë të Reçakut, forcat barbare serbe i dërgojnë në Prishtinë, pasi kishin nis sërish luftën, më 17 janar për t’i marrë kufomat, me qëllim që ta zhduknin krimin që kishin bërë, por nuk mund ta zhduknin se atë krim e kishin parë përfaqësues të Misionit Vëzhgues të OSBE- së, në krye me shefin e këtij Msionin z. William Valker, pastaj shumë gazetarë etj., dhe lajmi kishte marrë dheun në media të ndryshme…
Lavdia u takon të rënëve !
Nderi familjarëve të tyre!
Respekti të gjithë atyre që kontribuuan në çlirimin e Kosovës!
P.s
Pas lufte amerikani, z. Edvard Sullivan ka qenë dy herë në familjen tonë për ta takuar babin tim Rifatin. Së fundmi në shenjë respekti, z. Edvard Sullivan, babait tim ja dhuroi një flamur amerikan të cilin e mbajmë me krenari dhe respekt. Ai na tregoi se janë duke e shkruar një libër të historisë për Reçakun, i cili libër do të jetë një histori e vërtetë e Kosovës dhe e popullit të saj.
P.s
Mustafa pas vetës ka lënë nënën e tij (e cila ka ndërruar jetë pas lufte), gruan e tij dhe dy fëmijë Mejremen dhe Fitimin (që është lindur pas lufte dhe inxhia Hatë e ka pagëzuar me emrin Fitim).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit ka njoftuar të enjten se i është…