SINDIKA(pi)T(u)A(llimi)

06 dhjetor 14:14

Altin N. Ademi

Viti 2020, Prishtinë. Jemi në fund të muajit maj. Janë bërë tashmë dy muaj e disa ditë, prej kur se të gjitha sindikatat e punëtorëve të sektorit privat janë bërë bashkë dhe po protestojnë në shenjë solidariteti me punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë.

Mjaftoi hedhja poshtë si e pabazë nga gjykata, e një padie të një punëtori ndërtimtarie, për të nxitur tërë këtë valë solidariteti e apeli për drejtësi.

Protestat e punëtorëve paralizuan çdo gjë dhe e rrëzuan një kryeministër që s’ua vuri veshin fuqisë së apelit të tyre. Kryeministri i ri, ndonëse ua kuptoi fuqinë, që nga dita e parë ka qenë tërësisht i paaftë për të ofruar një zgjidhje që e nxjerrë vendin nga kjo situatë.

E gjithë jeta publike dhe aktiviteti ekonomik është paralizuar. Por kjo paralizë, në fakt, po mirëpritet simanifestim i emancipimit të kulturës sonë sociale e politike. Tashmë është bërë e qartë se punëtorët e Kosovës dhe sindikatat e tyre, kanë hapur një front të përgjithshëm dhe nuk e kanë ndërmend të tërhiqen, pa e arritur qëllimin për t’ia njohur punëtorit, para së gjithash, statusin e plotë të qytetarit.

Ata duan me çdo kusht që sot dhe përgjithmonë, përballë gjykatave tona, të mos dalë një punëtor kundër një kapitalisti, por dy qytetarë të barabartë me pretendimet e tyre përkatëse.

Pra ky angazhim sindikal, nuk po merret me kërkesat e rëndomta. As me pagën, as me pushimin, as me mirëqenien, as me sigurimet shëndetësore. Të gjitha këto, sindikatat tona i kanë arritur me kohënga kooperimi i vazhdueshëm me qeverinë dhe punëdhënësit.

Kësaj radhe sindikatat po sjellin diçka të re në mes nesh. Ato po na e dëftojnë të gjithë ne pjesëtarëve të kësaj shoqërie demokratike, se vetëm barazia e plotë para ligjit, është alternativa që mundëson barazinë në mes punëtorit e punëdhënësit, mes profesionistit dhe kapitalistit. Mbi të gjitha, në mes të një rendi social që po i baraspeshon si të pa alternativë, të drejtat dhe përgjegjësitë e secilës palë.

Në fakt, kështu do të mund të ishte, por nuk është. Nuk jemi në muajin maj. Jemi në dhjetor të vitit 2020, të rrethuar me tema socio ekonomike nën efektin e ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Secila prej këtyre temave ka protagonistët e vet politik, ekonomik dhe institucional. Megjithëse i kemi parë të gjitha palët, askund nuk i kemi parë dhe as që presim se do t’i shohim sindikatat.

Koncepti sindikal në Kosovë nuk është se s’ka traditë, por tradita e tij nuk është zhvilluar dhe s’ka zënë vend në ekonominë e hapur që drejton sot forcat e tregut. Me gjithë respektin ndaj konceptit sindikal, punëtori e ka humbur plotësisht respektin për sindikatat. Ato sot paraqesin asgjë më shumë se një mbetje periferike të një të kaluare të mjegullt, që në vend se ta stimulojnë, shpesh herë përpiqen ta pengojë pulsin ekonomik e institucional të zhvillimit.

Degradimi i konceptit sindikal në Kosovë, nuk ka ndodhur për shkak të tërheqjes së fuqisë sindikale në epokën e interaktivitetit ekonomik global. Ky degradim ka ndodhur për shkak të flirtimit seç herë e në rritje të sindikatave me politikën, duke e postuar në periferi kauzën.

Siç duket, ky raport subordinues e flirtues, i ka vënë çmim sindikatave. Sipas ligjit organik të çmimit, ky po tregohet të jetë çmim i arsyeshëm, aq sa të mjaftojë si kompensim për kauzën. Pra atë çfarë sindikatat s’kanë arritur ta bëjnë për punëtorët, e kanë bërë për vetën e tyre.

Është e habitshme se si në këtë periudhë pandemie, ne kemi parë organizimin e bizneseve për të kërkuar të drejtat dhe kompensimin e tyre përballë masave kufizuese të qeverisë, ndërsa nuk kemi parë asnjë angazhim sindikal që kërkon mirëmbajtjen dhe përfaqësimin e të drejtave të punëtorëve, përballë këtyre kufizimeve qeveritare.

Përderisa një gjendje pandemie si kjo është në masë të madhe një përvojë e re e të gjithë neve, ajo megjithatë nuk solli kurrfarë përvoje e risie për sindikatat, anëtarët e të cilave ishin dhe janë edhe sot në qendër të dëmit më të madh ekonomik e social nga pandemia.

Pra sindikatat kanë heshtur përballë këtij zhvillimi në pandemi. E kanë lënë punëtorin në mëshirën e aranzhimit të qeverisë dhe bizneseve.

E gjithë beteja për masat ekonomike kundër pandemisë, ka qenë betejë politike që është zhvilluar në Kuvend, ku përfaqësohen larmi interesash, e më së paku ato për të cilat sindikatat thirren se përfaqësojnë. Por sindikatat që s’janë pjesë e Kuvendit, s’kanë zhvilluar asnjë lloj beteje me mjetet e tyre legjitime jashtë sallës së tij.

Beteja politike e zhvilluar në Kuvend, së fundmi e ka gjetur disi një formulë për t’iu përgjigjur ekonomisë në pandemi dhe pas saj. Por mungesa e formulës sindikale përballë kësaj goditje pandemike, i ka lënë sindikatat dhe punëtorët pa betejë.

Ky trend, siç duket i ka dhënë vulën kapitullimit të plotë sindikal, edhe ashtu aspak të dobishëm për kategoritë që pretendohej se përfaqësonte. Ndoshta ky kapitullim de fakto iu bën dobi sindikatave. Ato, ose duhet të reflektojnë thellë për të marrë përgjegjësi dhe pronësi mbi kauzat e tyre, ose duhet t’i hapin rrugë të plotë marrëveshjeve të lira e të pa mbikëqyrura në mes punëtorëve dhe punëdhënësve. Edhe ashtu, pandemia i ka bërë të gjithë më të vetëdijshëm për rreziqet, duke qenë pothuajse të vetëm e pa asnjë adresë ku të kërkojnë shpëtim.

Situata e tillë e bën të nevojshme shqyrtimin e këtyre raporteve të reja me organizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ekonomia jonë e hapur, kryesisht mirëmbahet dhe gjenerohet nga kapitali privat. Pavarësisht rendimentit jo të drejtë e absolutisht të pamjaftueshëm për punëtorin e zakonshëm të Kosovës, në të cilin përfshihen paga e ultë, puna jashtë orarit, mungesa e sigurimit shëndetësor, mungesa e kontratave të vlefshme e në rastin tjetër, mungesa totale e zbatimit të kontratave, gjithsesi se modeli aktual është vendqëndrim progresiv ekonomik që megjithatë mundëson lëvizjen kundrejt stagnimit.

Është evidente se që nga pas lufta, ekonomia kosovare e ka rritur kapitalin e vet real dhe në këtë drejtim, sektori privat sado që sponzoron shkeljet e lartpërmendura, sërish është gjeneruesi i kësaj rritje.

Peshën e këtij sektori po e shohim pikërisht tani në periudhën e pandemisë. Mosfunksionimi  i sektorit ekonomik privat si shkak i pandemisë COVID-19, po tregohet si rrezik pararendës i mosfunksionimit të sektorit publik, i rënies ekonomike si dhe i rënies së nivelit të mirëqenies.

Pra sot, jemi gjithmonë e më afër momentit për të konstatuar se ekonomia kosovare ka arritur në atë shkallë të zhvillimit, ku shteti nuk mund ta zëvendësojë me asnjë gjë dhe me asnjë mënyrë, atë çfarë kapitali privat e stimulon në përditshmëri.

Kjo natyrisht se ndikon edhe nëkonceptimin e raportit të së drejtës mes punëtorëve dhe punëdhënësve. Në radhë të parë, ndikon në shuarjen e iluzioneve për një drejtësi autonome e të kudondodhshme. Ndikon po ashtu edhe në shuarjen e iluzionit për ndikimin e sindikatave, fuqia e të cilave u mat, jo ndryshe veçse nga heshtja totale e tyre që i parapriu miratimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Por çlirimi nga këto iluzione, e shtron si nevojë ngjizjen e një iluzioni të domosdoshëm mbi këtë realitet të ri. Tashmë sindikatave iu imponohet një detyrë për të cilën ato duhet të përpiqen deri në fund. Kjo është detyra e drejtësisë si paanshmëri. Pra, angazhimi që mundëson ballafaqimin mes punëtorit e kapitalistit si palë të barabarta, barazinë në mes të cilëve e mundëson njohja në radhë të parë e statusit të qytetarit për të dyja palët.

Kjo përsiatje nuk ka zënë shkak për të sulmuar sindikatat, për shkakun e vetëm se ato janë të ekspozuara ndaj sulmit si pasojë e pafuqisë së tyre. Kjo përsiatje është një përpjekje orientuese që sindikatat duhet ta marrin në konsideratë.

Kjo pra është sfida e re që i pret sindikatat tona. Ato duhet të këndellen nga mjegulla e të kuptojnë drejt se si funksionojnë sot agjensët ndërveprues ekonomik dhe ta ripozicionojnë kauzën e tyre në njohjen e këtij statusi për punëtorët e çfarëdo niveli e çfarëdo sektori.

Meqenëse na u bë e qartë se sindikatat sot, nuk janë më të afta për t’iu kundërvënë trendit ekonomik dhe kodeve që e lëvizin atë, si dhe nuk janë mëtë afta e as kredibile për ta ndikuar agjendën e operatorëve ekonomikë në dobi të punëtorëve, ato duhet të aftësohen për t’iu kundërvënë padrejtësisë si shprehje e si realitet. Kjo është beteja e vetme që i mbanë ata gjallë si koncept sindikal.

Megjithëse e suprimuan përgjegjësinë e tyre në këtë kohë pandemie, sindikatat duhet ta projektojnë të ardhmen e punëtorit kosovar pas pandemisë. Çështje e probleme të këtij dimensioni ekzistojnë me bollëk. Prandaj krejt çfarë sindikatat duhet të bëjnë në të ardhmen, është që të çlirohen nga politika e t’i rrokën materializimit të drejtësisë që e ka përcaktuar ligji.

Lista e ligjeve që ekzistojnë e nuk zbatohen, është tepër e gjatë. Për të qenë edhe më tej të tilla, sindikatat duhet ta heqin çdo ditë nga një ligj prej kësaj liste.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mario Balotelli nesër e hënë do t’i kryejë testet mjekësore…