Sindikatat si “Pushteti i katërt i shoqërisë moderne”

07 nëntor 2025 | 20:43

Shkruan: NAZMI JUSUFI

Kur zëri i punëtorëve bëhet pjesë e demokracisë

Në çdo shoqëri demokratike, forca e demokracisë matet jo vetëm me zgjedhjet e lira apo institucionet shtetërore, por edhe me mënyrën se si qytetarët organizohen për të mbrojtur interesat e tyre. Sindikatat nuk janë thjesht organizata profesionale; ato janë zëri i organizuar i punëtorëve, një mekanizëm që siguron që kërkesat e qytetarëve të zakonshëm të dëgjohen dhe të kenë ndikim në vendimmarrje. Në këtë kuptim, ato mund të shihen si një “pushtet i katërt”, që mban ekuilibrin midis qeverisë, ekonomisë dhe shoqërisë civile.

Partnerë, jo kundërshtarë

Roli i sindikatave nuk është kundër qeverisë apo biznesit. Një sindikatë e pjekur nuk pengon zhvillimin ekonomik; përkundrazi, ajo kontribuon në stabilitet, transparencë dhe dialog të ndërsjellë. Ajo është ura që lidh interesin individual të punëtorit me interesin e përgjithshëm të shoqërisë, duke siguruar që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Pavarësia dhe llogaridhënia,
parakusht për besueshmëri

Forca e sindikatave nuk matet me ndikim politik të pamatur, por me aftësinë për të përfaqësuar ndershmërisht anëtarët e tyre dhe për të negociuar me argumente. Pavarësia, transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet që i ruajnë ato të respektuara dhe efektive në proceset demokratike.

Mësime nga eksperienca ndërkombëtare

Vendet që kanë ndërtuar modele të forta dialogu social dhe sindikata të fuqishme, si ato në shumë vende të bashkimit evropian gëzojnë stabilitet shoqëror, produktivitet të lartë dhe besim qytetar më të madh. Kjo tregon qartë se bashkëpunimi, jo konfrontimi, është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm.

Dhe fare në fund mund të themi se një demokraci e plotë nuk mund të funksionojë pa sindikata.
Sindikatat janë zëri i heshtur që mban demokracinë gjallë. Pa sindikata dhe rolin aktiv të tyre, barazia sociale rrezikohet dhe DEMOKRACIA mbetet e cunguar. Një shtet që i respekton dhe bashkëpunon me sindikatat, investon në drejtësi sociale, stabilitet dhe të ardhme të qëndrueshme për qytetarët e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se dy ditë…