‘Sinjalizuesi’: A ka udhëheqës që janë të gatshëm ta luftojnë korrupsionin?

18 korrik 2025 | 17:00

Projekti “Sinjalizuesi” ka dalë me një thirrje publike që synon të testojë seriozitetin e udhëheqësve institucionalë në Kosovë përballë korrupsionit.

Në një deklaratë të publikuar të premten, projekti në djalë ka ngre një pyetje thelbësore: Cili udhëheqës është i gatshëm ta luftojë korrupsionin pa dallim, pa përjashtim dhe pa kompromis?

Sipas “Sinjalizuesit”, një lider i vërtetë nuk duhet ta ndajë luftën kundër korrupsionit sipas vijave politike – në pozitë apo opozitë, në të kaluarën apo të tashmen.

“Korrupsioni është korrupsion. Nuk ka ngjyrë politike dhe nuk njeh asnjë justifikim. Lufta kundër korrupsionit sot po zhvillohet vetëm mes partive politike, si armë për sulme dhe përfitime politike. Asnjë lider nuk po e lufton korrupsionin brenda strukturave të veta – dhe kjo është dëshmia më e qartë se askush nuk është vërtet i përkushtuar për ta luftuar korrupsionin. Ajo që po ndodh është luftë ndaj korrupsionit të “tjetrit”, por jo ndaj korrupsionit të vet”, është thënë në deklaratën e “Sinjalizuesit”.

Deklarata ka theksuar se qytetarët nuk presin vetëm fjalë, por garanci konkrete: që udhëheqësi të ndërmarrë masa ndaj kujtdo që përfshihet në korrupsion – pa vonesa, pa ndikime politike dhe pa asnjë kompromis.

Si hap i parë, “Sinjalizuesi” ka ftuar çdo lider në nivel qendror apo lokal që ta dëshmojë këtë përkushtim përmes një deklarate publike me përmbajtjen e mëposhtme:

“Unë shpall zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe zotohen se do të veproj pa hezitim ndaj çdo rasti, kudo që ndodh dhe kushdo që përfshihet. Por pyetja kryesore mbetet: Cili udhëheqës do ta nënshkruajë këtë deklaratë? Cili udhëheqës është me të vërtetë i përkushtuar për ta luftuar korrupsionin – edhe atë brenda stafit dhe strukturave të veta?”, është thënë në këtë deklaratë.

Në përfundim, “Sinjalizuesi” u ka bërë thirrje qytetarëve të kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë nga liderët e tyre, duke i inkurajuar që të “tagojnë” publikisht udhëheqësit që mendojnë se duhet të mbajnë këtë qëndrim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka…