‘S’ka arsye që Hysni Gucati të mbahet në paraburgim’

07 prill 2021 | 11:37

Jonathan Rees, avokat i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar sërish që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi. Rees ka vlerësuar se nuk ka më arsye për mbajtjen e Gucatit në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Avokati i Gucatit, në parashtresën e radhës të dërguar te gjykatësi Nicolas Guillou, nuk ka shkruar më shumë se katër faqe, pasi e ka konsideruar të panevojshme që të argumentohet më shumë për lirimin e klientit të tij.

Ai ka thënë se beson se Gjykata Speciale ka barrë të madhe për ta arsyetuar vazhdimin e mbajtjes së Gucatit në paraburgim.

“Mbrojtja përsërit se sa më gjatë që personi të mbetet në paraburgim, aq më e madhe është barra për Dhomat e Specializuara për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit. Supozimi i qartë është në favor të të akuzuarit të jetë në liri. Paraburgimi mund të zgjatet vetëm (i) kur kushtet e rrepta të Nenit 41 (6) të Ligjit vazhdojnë të plotësohen dhe (paraburgimi mbetet rreptësisht i domosdoshëm dhe proporcional duke konsideruar nëse masa të tjera më pak të rrepta sesa paraburgimi mund të ishin të mjaftueshme”, është thënë në parashtresën e avokatit të Gucatit.

Ai ka thënë se nuk kanë ndryshuar provat dhe arsyetimet e Prokurorisë dhe Gjykatës për ta mbajtur Gucatin ende në paraburgim.

“Sidoqoftë, ZPS tani e ka bërë të qartë se, në gjykim, nuk do, dhe nuk mund, të prodhojë në provë një dokument të vetëm për të cilin ata pretendojnë se z. Gucati ishte përgjegjës për shpërndarjen, i cili nuk ishte tashmë në domenin publik”, është thënë në këtë parashtresë.

Në shtator, dy ish-krerët e OVLUÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj janë arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata janë duke u akuzuar për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dielli shkëlqen në Kaliforni dhe motrat Kardashian janë të vendosura…