S’ka hapësirë ligjore për ta kontestuar presidentin ta udhëheqë dialogun

23 mars 2018 | 11:32

Këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku, ka thënë të mërkurën se temë e takimit të radhës në mes të presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq do të jenë çështjet politike të cilat ndërlidhen me gjetjen e modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se kjo marrëveshje i hap dyert për integrime euroatlantike, normalizim dhe pajtim në mes dy vendeve.

“Nuk jam matematikan të bëj kalkulime se cili është probabiliteti i arritjes së marrëveshjes së tillë. Nuk funksionojnë kështu negociatat. Në çdo rrethanë jam 100 për qind i bindur se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme prosperuese për të dy shtetet”, ka deklaruar Çollaku.

Ai ka folur edhe për kontestimin që po i bëhet presidentit Thaçi nga opozita për udhëheqjen e dialogut, duke thënë se legjitimiteti i presidentit për ta udhëhequr këtë proces, bazën ligjore e ka fillimisht tek Kushtetuta dhe tek legjitimiteti i Kuvendit të Kosovës i cili e ka zgjedhur atë si president.

Në këtë aspekt, Çollaku ka thënë se nuk ka asnjë hapësirë ligjore për ta kontestuar presidentin në udhëheqjen e dialogut.

“Në anën tjetër, përfaqësimi i Kosovës në këtë proces është krejtësisht i harmonizuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kryeministrin dhe të gjitha partitë parlamentare që janë të interesuara për t’u përfshirë dhe për ta dhënë kontributin e tyre në të mirë të shtetit tonë”, është shprehur ai.

Çollaku ka vlerësuar se dialogu është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen, prandaj në fazën e tij finale duhet të përfshihen të gjithë aktorët kryesorë.

Ai ka thënë se moszbatimi i disa prej marrëveshjeve të arritura nuk mund ta vë në pikëpyetje vazhdimin e procesit të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes obliguese për të dyja vendet.

“Prandaj, është absurde të vihen në pikëpyetje dialogu dhe marrëveshja eventuale kur dihet se kjo i shërben paqes dhe stabilitetit tonë shtetëror dhe rajonal”, ka deklaruar Çollaku.

“Epoka e re”: Z. Çollaku, të premten do të vazhdojë dialogu në nivel presidentësh. Cilat do të jenë temat e takimit në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq?

Çollaku: Takimi i radhës në nivel të presidentëve nënkupton takim në nivelin më të lartë politik ndërshtetëror. Kjo rrjedhimisht nënkupton se temë e takimit është diskutimi për çështje politike të cilat ndërlidhen me gjetjen e modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Epoka e re”: Përfaqësimi i Kosovës në këtë dialog nga presidenti Hashim Thaçi po kontestohet nga opozita. Sipas partive opozitare, Kuvendi ka autorizuar Qeverinë dhe jo presidentin që ta përfaqësojë vendin në këtë dialog. Ka legjitimitet apo jo Thaçi për ta drejtuar këtë proces?

Çollaku: Kosova në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, përfaqësohet në nivelin më të lartë politik. Po në të njëjtin nivel përfaqësohet edhe pala tjetër. Legjitimiteti i presidentit për ta udhëhequr këtë proces, bazën ligjore e ka fillimisht tek Kushtetuta jonë dhe, po ashtu, tek legjitimiteti i Kuvendit të Kosovës i cili e ka zgjedhur atë si president. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë hapësirë ligjore për ta kontestuar presidentin nga askush. Në anën tjetër, përfaqësimi i Kosovës në këtë proces është krejtësisht i harmonizuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kryeministrin dhe të gjitha partitë parlamentare që janë të interesuara për t’u përfshirë dhe për ta dhënë kontributin e tyre në të mirë të shtetit tonë.

“Epoka e re”: Tash në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi, a do të ketë gjithëpërfshirje ashtu siç është premtuar? Si do ta bindni opozitën të bëhet pjesë e këtij procesi?

Çollaku: Patjetër se po. Ky është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen tonë euroatlantike dhe për ta përmbyllur kapitullin e luftës dhe të konflikteve me Serbinë. Prandaj, natyrshëm se kërkohet që të gjithë aktorët kryesorë të shoqërisë sonë duhet të jenë të përfshirë. Presidenti nuk duhet ta bindë askënd për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Rëndësia që paraqet ky proces për interesin tonë nacional dhe shtetëror është ajo çfarë duhet ta bindë opozitën dhe gjithë aktorët e tjerë që të jenë të përfshirë në këtë proces me qëllimin më të mirë.

“Epoka e re”: Deri më tani një pjesë e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut nuk janë zbatuar. Pse është i nevojshëm vazhdimi i tij përderisa nuk zbatohen marrëveshjet?

Çollaku: Ju po u referohuni marrëveshjeve të natyrës teknike të cilat janë në faza të ndryshme të zbatimit, ndërsa unë jam duke folur për pjesën përfundimtare të këtij procesi që nënkupton një marrëveshje politike dhe ligjore të obligueshme për të dy shtetet. Tekefundit, nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut dhe arritjes së marrëveshjes sepse bëhet fjalë për mbylljen e një shekulli të konflikteve ndërmjet dy shteteve. Prandaj, është absurde të vihet në pikëpyetje dialogu dhe marrëveshja eventuale kur dihet se kjo i shërben paqes dhe stabilitetit tonë shtetëror dhe rajonal.

“Epoka e re”: Sa ka gjasa që dialogu me Serbinë të përfundojë me një marrëveshje obliguese me anë të së cilës Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës?

Çollaku: Nuk jam matematikan të bëj kalkulime se cili është probabiliteti i arritjes së marrëveshjes të tillë. Nuk funksionojnë kështu negociatat. Në çdo rrethanë, jam 100 për qind i bindur se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme për të ecur përpara të dy shtetet. Vetëm marrëveshja hap dyert për integrime euroatlantike, për normalizim dhe për pajtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të enjten një…