Skleroza multiple, shenjat e para që mund të dallohen në gjak
Skleroza multiple mbetet një nga sëmundjet neurologjike më komplekse dhe ende pa kurë përfundimtare, por zbulimet e fundit rreth antitrupave dhe biomarkerëve në gjak po hapin horizonte të reja për diagnostikim të hershëm dhe trajtim më të personalizuar.
Skleroza multiple (MS) është një sëmundje autoimune dhe neurologjike kronike që ndikon në trurin dhe palcën kurrizore. Në këtë gjendje, sistemi imunitar sulmon gabimisht mbështjellësen mbrojtëse të fibrave nervore (mielinë), duke shkaktuar inflamacion, dëmtime të qelizave nervore dhe ndërprerje të sinjaleve elektrike ndërmjet trurit dhe pjesëve të tjera të trupit.
Kjo shkakton simptoma të ndryshme, si dobësi muskulare, mpirje, humbje ekuilibri, lodhje kronike, turbullim shikimi dhe probleme në përqendrim. Sëmundja zakonisht përparon gradualisht dhe shfaqet tri herë më shpesh tek gratë sesa tek burrat.
Diagnoza zakonisht bëhet pas shfaqjes së simptomave të para, përmes analizave neurologjike, rezonancës magnetike (MRI) dhe testimeve të lëngut cerebrospinal.
Megjithatë, studiuesit kanë zbuluar se personat që më vonë zhvillojnë MS prodhojnë një grup të veçantë antitrupash shumë vite para se sëmundja të shfaqet klinikisht. Këta antitrupa mund të zbulohen përmes testimeve serologjike edhe para se të shfaqen simptomat, transmeton Telegrafi.
Skleroza multiple – shenjat para simptomave
Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko kanë krahasuar 250 persona me MS dhe 250 persona pa MS (grup kontrolli), duke marrë parasysh moshën, gjininë, racën/etninë dhe vitin e mbledhjes së serumit. Ata analizuan profilin molekular të autoantitrupave dhe dëmtimit nervor në mostrat e pjesëmarrësve, duke matur nivelin e zinxhirëve të lehtë neurofilamentor në serum (sNfL), për të identifikuar dëmtimin e qelizave nervore.
Tek personat që më vonë u diagnostikuan me MS, niveli i sNfL ishte dukshëm më i lartë se tek grupi kontroll, shumë vite përpara shfaqjes së simptomave të para, duke treguar se dëmtimi i qelizave nervore fillon shumë më herët se sa sëmundja bëhet e dukshme.
Përveç kësaj, studiuesit analizuan modelet e antitrupave te personat me dhe pa MS, duke zbuluar se shumë prej atyre që më vonë zhvilluan sëmundjen kishin një model specifik autoantitrupash, të quajtur “klaster imunogjenik”. Ky model ka mbetur i qëndrueshëm me kalimin e kohës dhe nuk është gjetur tek grupi kontroll.
Një mundësi e re për zbulim të hershëm të sklerozës multiple
“Sipas specifikës që tregon ky model për MS, si përpara ashtu edhe pas diagnozës, testi serologjik për autoantitrupat mund të përdoret për monitorimin e pacientëve me rrezik të lartë për zhvillimin e MS ose gjatë episodit të parë neurologjik të izoluar”, shpjeguan autorët e studimit për Medical News Today.
Marijana Korteze, shkencëtare e lartë në Departamentin e Ushqyerjes pranë Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit T.H. Chan në Boston, e cila nuk ka marrë pjesë në studim, shtoi se ky profil antitrupash mund të ketë përdorime të tjera të mundshme: “Do të ishte gjithashtu interesante të shihej nëse këta antitrupa mund të shërbejnë si tregues i ashpërsisë së sëmundjes dhe të ndihmojnë në shpjegimin e variacioneve mes pacientëve me MS, në aspektet klinike, gjenetike, patogjenetike dhe në përgjigjen ndaj trajtimit”, tha Korteze.
Edhe pse diagnoza e hershme mund të ndihmojë shumë persona të shmangin simptomat e rënda të sklerozës multiple, Kaitlin Astbury, drejtuese e komunikimeve shkencore në Shoqatën Britanike për Sklerozën Multiple, theksoi se kjo nuk është prioriteti i vetëm për pacientët që jetojnë me këtë sëmundje:
“Ky zbulim nuk do t’i ndihmojë shumë njerëzit me formën progresive të MS, të cilët kanë mundësi shumë të kufizuara ose aspak për trajtim. Ne kemi nevojë urgjente për zhvillimin e terapive të reja, në mënyrë që të gjithë ata që jetojnë me MS të mund të përfitojnë nga diagnoza e hershme”, deklaroi ajo.



