Smaka: Jemi unikë që të mos ratifikohet demarkacioni

09 mars 2018 | 17:23

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, Riza Smaka, ka bërë me dije se qëndrimi unanim i këtij komisioni është që Projektligji për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të mos ratifikohet, pavarësisht se brenda tij është inkorporuar si dokument orientues raporti i këtij komisioni. Ai ka thënë se të gjithë anëtarët mendojnë se kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Smaka ka thënë se deklarata e dy presidentëve për rishikimin e kësaj marrëveshje nuk ka asnjë vlerë. “Absolutisht po. Qëndrimi unik i të gjithë anëtarëve të komisionit është të mos ratifikohet kjo marrëveshje sepse është e dëmshme për vendin. Asnjë anëtar nuk ka ndonjë dilemë rreth kësaj”, ka thënë Smaka. Ai kundërshtuar edhe deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, e cila jep garanci se kjo marrëveshje do të rishikohet. Sipas Smakajt, deklarata e dy presidentëve nuk ka sanksione dhe nuk e obligon juridikisht asnjërën palë. “Prandaj, po them se ajo deklaratë është politike dhe jo ndonjë dokument juridik dhe, si e tillë, nuk ka vlerë. Po të isha deputet do të kisha votuar kundër ratifikimit të këtij projektligji”, është shprehur ai.

Smakaj, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka paralajmëruar veprime të komisionit nëse kjo marrëveshje ratifikohet në Kuvend. “Nëse kjo marrëveshje ratifikohet dhe nuk përfillet raporti ynë, i cili ka argumente materiale dhe juridike që tregojnë për gabimet që janë bërë në këtë marrëveshje, ne do ta rishikojmë pozicionin tonë”, ka deklaruar Smaka.

“Epoka e re”: Z. Smaka, jemi në prag të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Si anëtar i komisionit që ka kundërshtuar këtë marrëveshje, si duhet të veprojnë deputetët në këtë rast?
Smaka: Së pari, nuk është fjala për ratifikimin e demarkacionit të kufirit, por për ratifikimin e ridemilitacionit të kufirit. Që do të thotë, se ish-komisioni është dashur që, në bazë të kufirit ekzistues të vijës administrative nga viti 1945-1946, të vazhdojë me linjën ndërkombëtarisht të vlefshme të caktuar me vendimin e Komisionit të Badinterit për arbitrazh në vitin 1991. Pra, është dashur që, në bazë të asaj linje, Çakorr, Mokna, Hajlë dhe Kullë, ta bënte demarkimin e kufirit apo shënimin e kufirit në terren. Ish-komisioni nuk e ka bërë shënimin e kufirit, por caktimin e kufirit pa qenë i autorizuar për këtë dhe në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit, e cila ka saktësuar se duhet të përfillet kufiri administrativ. Ky është një gabim i rëndë që këtë marrëveshje e bën nule nga aspekti juridik dhe politikisht të dëmshme. Madje, në këtë marrëveshje, në nenin 9, nëse nuk gaboj, shkruan: pas ratifikimit do të bëhet demarkimi brenda dy vjetësh, që do të thotë se po mashtrohen qytetarët dhe deputetët se, kinse, fjala qenka për ratifikimin e demarkacionit e që, në fakt, nuk është. Pra, edhe sipas tekstit të marrëveshjes, nuk qenka fjala për ratifikim të demarkacionit, por ratifikim të ridemilitacionit të paautorizuar dhe të gabuar.

“Epoka e re”: Jeni kundër marrëveshjes së partive të koalicionit me LDK-në që kjo marrëveshje të ratifikohet?
Smaka: Mendimi im është se kjo marrëveshje nuk do të duhej të ratifikohej, pra do të duhej të refuzohej ratifikimi i saj, pastaj të hapej mundësia për rinegocim të kësaj marrëveshje, duke e përfillur kufirin administrativ dhe jo atë kadastral.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe zyrtar i AAK-së dhe, siç dihet, kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia që drejton kanë pranuar se kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend, meqenëse tashmë në projektligjin e saj janë përfshirë raporti i komisionit dhe deklarata e dy presidentëve për korrigjim të marrëveshjes?
Smaka: Është e vërtetë se jam anëtar i Kryesisë së AAK-së, mirëpo jam edhe anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit. Ky komision unanimisht ka konstatuar se ish-komisioni ka gabuar rëndë. Ne dhjetë anëtarët e këtij komisioni, së bashku edhe me pesë ekspertët e tjerë, kemi bërë raportin tonë që tashmë është publik. Atë raport ia kemi dorëzuar Qeverisë, e cila më pas e ka miratuar dhe i është përcjell Kuvendit. Tash unë do të bëhesha hipokrit nëse do të dilja kundër pikëpamjeve të komisionit, sepse ato pikëpamje janë të mbështetura në argumente dhe në fakte bindëse. Mendimi im dhe i komisionit është se kjo marrëveshje nuk duhet të ratifikohet. Prandaj, për hir të korrektësisë profesionale dhe të integriteti personal, manifestoj qëndrimin e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, i cili është që të refuzohet ratifikimi i projektligjit të kësaj marrëveshje.

“Epoka e re”: Por, arsyetimi i kryeministrit për ratifikimin e kësaj marrëveshje është se deklarata e përbashkët midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ofron garanci të mjaftueshme se kjo marrëveshje do të rishikohet në të ardhmen?
Smaka: Ajo është një deklaratë politike ndërmjet dy presidentëve, e jo deklaratë juridike. Deklarata e dy presidentëve nuk ka sanksione dhe nuk e obligon askënd dhe, si e tillë, nuk premton asgjë. Teksti i asaj deklarate qëndron edhe në marrëveshje. Madje edhe mos të ishte ai tekst, ai është një standard juridik që, nëse në ndërkohë të dyja palët pajtohen, mund të bëjnë korrigjime të caktuara. Këtu nuk është fjala për korrigjime, por për përfilljen e kufirit administrativ dhe demarkimin sipas kufijve administrativë. Nëse do të realizohej kjo deklaratë e dy presidentëve, i bie se nëse ne kemi shkuar 500 metra në anën e Malit të Zi, do të duhej t’ia lëshojmë Malit të Zi atë hapësirë. Prandaj, po them se ajo deklaratë është politike dhe jo ndonjë dokument juridik dhe, si e tillë, nuk ka vlerë. Përfundimisht, po të isha deputet, do të kisha votuar kundër ratifikimit të këtij projektligji.

“Epoka e re”: Këtë qëndrim ia keni treguar kryetarit tuaj të partisë dhe kryeministrit aktual, Ramush Haradinajt
Smaka: Ai është kryeministër dhe unë nuk jam i inkuadruar në Qeveri. Ai ka vizionet e veta politike. Por, po të pyetesha unë, atëherë do t’ia tregoja qëndrimin tim që thashë. Ne ia kemi dorëzuar raportin dhe këtë qëndrim. Më pas atë raport e ka votuar Qeveria, i cili thotë se kjo marrëveshje nuk duhet të ratifikohet.

“Epoka e re”: Mendojnë njëjtë si ju të gjithë anëtarët e komisionit?
Smaka: Absolutisht po. Qëndrimi unik i të gjithë anëtarëve të komisionit është të mos ratifikohet kjo marrëveshje sepse është e dëmshme për vendin. Asnjë anëtar nuk ka ndonjë dilemë rreth kësaj. Ne nuk kemi kurrfarë qëllimi ndaj askujt, sepse kush punon mund të gabojë. Ia shohim për të madhe këtyre të ish-komisionit dhe pushtetarëve që nuk po e pranojnë se është gabuar. Është e pakuptueshme për ne si ata me aq rezistencë këmbëngulin në atë, ani pse e dinë se është marrëveshje e gabuar në dëm të integritetit territorial të vendit tonë. Çuditërisht ata vazhdojnë të thonë se kjo marrëveshje duhet të ratifikohet për hir të liberalizimit të vizave, kur dihet se vizat nuk do të liberalizohen së paku brenda një viti.

“Epoka e re”: Nëse kjo marrëveshje do të ratifikohet në Kuvend, përkundër thirrjes së komisionit që kjo të mos ndodhë, çfarë do të bëni ju anëtarët e këtij komisioni?
Smaka: Nëse kjo marrëveshje ratifikohet dhe nuk përfillet raporti ynë i cili ka argumente materiale dhe juridike që tregojnë për gabimet që janë bërë në këtë marrëveshje, ne do ta rishikojmë pozicionin tonë. Ne si komision mendoj se do të veprojmë në mënyrë unike dhe profesionale. Ndoshta nuk ratifikohet kjo marrëveshje. Por, nëse ratifikohet, do ta rishikojmë statusin tonë dhe këtë do ta bëjmë publike.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar vrasjen e dy…