
Socialistët dhe demokratët evropianë dënojnë pjesëmarrjen e Vuçiqit në paradën e Putinit
Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në paradën ushtarake të mbajtur më 9 maj në Moskë, e organizuar nga regjimi i Vladimir Putinit për të shënuar të ashtuquajturën “Ditë e Fitores”.
Në një deklaratë publike të shpërndarë në platformën “X” (ish-Twitter), eurodeputetët e qendrës së majtë e cilësuan këtë gjest si “rrreshtim të hapur të Serbisë përkrah agresionit rus ndaj Ukrainës” dhe si “një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj vlerave dhe politikave të Bashkimit Evropian”.
“Jo më biznes si zakonisht! Rreshtimi me Vladimir Putinin e dëmton Serbinë, rajonin dhe të gjithë procesin e zgjerimit. @kajakallas, @MartaKosEU, @vonderleyen – ju thatë se do të ketë pasoja. Atëherë veproni tani!”, thuhet në postimin zyrtar të grupit S&D.
Pjesëmarrja e Vuçiqit, sipas eurodeputetëve, përbën një provokim të qartë ndaj Bashkimit Evropian dhe minon përpjekjet për stabilitet dhe dialog në Ballkanin Perëndimor.
Ata kërkojnë që BE-ja të marrë masa konkrete, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.
Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve është një nga blloqet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, i përbërë nga parti të qendrës së majtë të vendeve anëtare të BE-së. Ata luajnë një rol kyç në formulimin e qëndrimeve të përbashkëta të BE-së, veçanërisht në çështjet gjeopolitike.
Reagimi i tyre i fundit sinjalizon një rritje të pakënaqësisë brenda institucioneve evropiane ndaj sjelljes së Serbisë dhe kërkesën për një qëndrim më të ashpër të Brukselit në raport me devijimet nga linja evropiane.