Sonte fillon edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK

06 nëntor 2025 | 08:13

Sonte në orën 21:00 nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, i cili do të zgjasë për tre net, ku do të ngjiten në skenë artistë të njohur dhe talente të reja. Në garë janë 20 këngë nga artistë brenda dhe jashtë Kosovës, duke dëshmuar interesimin e madh për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore.

Gjatë provave të fundit, drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, ka theksuar se gjithçka është e përgatitur nga punëtorët e RTK-së, duke përfshirë dizajnin, grafikën, skenën dhe skenografinë, e cila kombinon elemente tradicionale me ato moderne.

Ai po ashtu ka theksuar se sivjet është zbatuar një qasje e re organizuese, ku gjithçka që do të shfaqet në skenë është prodhim i drejtpërdrejtë i RTK-së.

“Në tri netët festive në kryeqytet do të dëgjojmë zërat e të rinjve, që lindin nga tradita por shkojnë drejt së ardhmes”, ka deklarar Gërvalla.

Ai gjithashtu ka theksuar se Organizata Evropiane e Transmetuesve (EBU) i ndjek me vëmendje, duke vlerësuar organizimin e festivalit dhe përgatitjet për pjesëmarrjen e Kosovës në garën evropiane të këngës, Euro Song.

“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’. Pavarësisht sfidave rajonale, në takimet me EBU-në ata na përcjellin me shumë vëmendje dhe janë të kënaqur që një vend i ri me një televizion publik në kushte të vështira financiare ka arritur kaq shpejt”, ka shpjeguar ai.

Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, ka theksuar se festivali ka krijuar një platformë të fortë artistike dhe teknike për artistët:

“Festivali i Këngës është krijuar si institucion dhe është diçka e jashtëzakonshme për vendin tonë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e ndërtimit të këtij institucioni”, ka thënë ai.

Skenaristi i edicionit të tretë, Genc Salihu, bëri të ditur se sivjet festivali do të fokusohet më shumë te muzika, duke zvogëluar elementet dramaturgjike, dhe do të përfshijë një retrospektivë për historinë e këngës në Kosovë.

“Nga ky vit do të ndahet edhe Çmimi për Vepër Jetësore, ‘Okarina e Artë’, për dikë që ka rrugëtuar muzikalisht shumë vite”, tka deklaruar Salihu.

Festivali sivjet do të moderohet nga Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj.

Festivali do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Prishtinë, ku 20 artistë do të konkurrojnë për 5 çmimet kryesore, ndërkohë që një artist do të nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore, “Okarina e Artë”.

Programi televiziv do të jetë maratonik, duke siguruar tre net spektakolare për shikuesit e RTK-së, ndërsa rezervimet për biletat për publikun e pranishëm kanë nisur tashmë.

20 këngët garuese të ‘Fest 3’ me emrin e artistit dhe të këngës:

Almir Kraba – “Nuk ka si ti”

Arjeta Palushaj – “Andrra”

Arsi Bako – “Rreze Zjarr”

Art Lokaj – “Ty”

Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”

Dea Berisha – “Afër”

Egzon Pireci – “Kënga Jonë”

Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”

Florent Abrashi – “Unë dhe ti”

Kiara Juba – “Nirvana”

Klea Dina – “At”

Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”

Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”

Santino de Bartolo – “Naze Naze”

Semi Tafaj – “Vazhdoj”

Teutë Halili – “Amin”

Vlera Kastrati – “Nanë”

Vjosa Shehu – “Alo”

Xuxi – “Identitet”

Zergjina Hasanaj – “Pres”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Vicente Battista Përktheu: Bajram Karabolli Antropologët e Universitetit Duke…