Sonte gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve Inter – Barcelona, Lewandowski kthehet në fushë

06 maj 2025 | 09:08

Pas një ndeshjeje emocionuese javën e kaluar, gjigandët evropianë Inter dhe Barcelona takohen sërish sonte (e martë) për ta zhvilluar gjysmëfinalen e dytë në Ligën e Kampionëve, ku edhe do të mësohet finalisti i parë i kësaj gare.

Pasi luajtën ndeshjen e parë 3-3 në Spanjë, ata do të përballen sërish në “San Siro”, me Interin që synon të afrohet edhe një hap më shumë drejt titullit të katërt kontinental, ndërsa Barcelona kërkon trofeun e gjashtë. Në përballjen në mes të mbrojtjes më të fortë dhe sulmit më shpërthyes, u zhvillua një ndeshje kaotike në Katalonjë javën e kaluar. Interi e eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale edhe në vitin 2010, kur fituan Ligën e Kampionëve me trajnerin Jose Mourinho, duke mposhtur Bayernin në finale. Skuadra aktuale e Simone Inzaghit ka një moshë mesatare të ngjashme me atë të vitit 2010 dhe mbetet e fortë në shtëpi: janë të pamposhtur në 15 ndeshjet e fundit në “San Siro” në Ligën e Kampionëve, duke fituar 12 prej tyre. Historikisht, Interi ka fituar 9 nga 11 gjysmëfinalet e fundit evropiane në shtëpi – një tjetër fitore do t’i çonte përballë Arsenalit ose PSG-së në finale.

Megjithatë, forma e fundit nuk është perfekte: fitorja e zbehtë 1-0 ndaj Veronës të shtunën ndali një seri prej pesë ndeshjesh pa fitore, dhe ndonëse janë kampionët e Italisë, ata janë pas Napolit në garën për titullin e Serisë A. Ndërkohë, Barcelona e udhëhequr nga Lamine Yamal ka ambicie për tripletë. Pas fitores ndaj Real Madridit në finalen e Kupës së Mbretit dhe Superkupës së fituar më herët këtë sezon, ata janë gjithashtu në krye të La Ligës, me katër ndeshje të mbetura pas triumfit 2-1 ndaj Valladolidit. Barcelona ka fituar 24 nga 30 ndeshjet e fundit – me humbjen e vetme ndaj Dortmundit në çerekfinale, ku rezultati ishte thuajse i vendosur që në ndeshjen e parë – dhe sulmi i tyre është një makth për kundërshtarët.

Barcelona me trajnerin Hansi Flick në stol – fitues i këtij turneu me Bayernin, kërkon ta arrijë finalen për herë të parë që nga viti 2015. Por historia nuk është në anën e tyre: ata kanë humbur katër gjysmëfinale të fundit jashtë fushe dhe kanë fituar vetëm dy ndeshje në këtë fazë larg shtëpisë, duke humbur plot 11 herë.

Për më tepër, Barcelona ka fituar vetëm një nga gjashtë përballjet me Interin në “San Siro”, pjesë e një rekordi të dobët kundër skuadrave italiane: vetëm pesë fitore në 24 ndeshje në Itali në Ligën e Kampionëve. Interi pritet të jetë pa golashënuesin më të mirë, Lautaro Martinez si dhe mbrojtësin Benjamin Pavard. Jules Kounde dhe dhe Alejandro Balde janë mungesat e Barcelonës për këtë ndeshje.

Formacionet e mundshme

Inter: Sommer; Bisseck, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Arnautoviq, Thuram.

Barcelona: Szczesny; Garcia, Araujo, Cubarsi, Martinez; De Jong, Pedri; Yamal, Olmo, Raphinha; Torres.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Studenti indian Vishwaa Rajakumar (20) fitoi Kampionatin Botëror të Kujtesës…