
Sonte “luftë” kundër mizave dhe mushkonjave në Prishtinë
Në komunën e Prishtinës nga sonte do të fillojë procesi i dezinsektimit hapësinor, bëri të ditur Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se ky proces do të përfshijë zhdukjen e insekteve si mizat dhe mushkonjat që mund të bartin sëmundje ngjitëse, duke mbuluar rreth shtatë mijë hektarë në kryeqytet dhe zonat përreth.
“Pas përgatitjeve të realizuara, sot me 18 qershor fillon procesi i dezinsektimit hapësinor në kryeqytet. Është një proces, i cili bën zhdukjen e insekteve: mizave dhe mushkonjave, të cilat mund të jenë bartëse të sëmundjeve ngjitëse. Qëllimi është që të sjellim situatën në kufi epidemiologjikë me qëllim që të mos krijohen sëmundje të ndryshme, duke pasur parasysh që numri i insekteve gjatë periudhës së verës është shumë më i lartë.
Procesi zgjat në gjashtë faza, secila fazë është nga gjashtë ditë dhe janë të përfshira rreth shtatë mijë hektarë në kryeqytet dhe fshatrat përreth, ku bëhet dezinsektimi hapësinor. Një faktor shumë i rëndësishëm janë kushtet klimatike, pasi prania e reshjeve e pengon procesin për arsye se lagështia është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e insekteve, ndërsa koha e nxehtë nuk është faktor i rëndësishëm”, tha Sadiku.
Në dy javët e fundit, kushtet atmosferike kanë qenë në favor të dezinsektimit që të përgatitemi si duhet, vë në dukje Sadiku. Dezinsektimi do të zhvillohet në gjashtë faza, secila nga gjashtë ditë.
“Ne jemi të interesuar të ruajmë shëndetin publik. Ditën e parë do të fillojë nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orët e vona. Qëllimi është që të kryhet sa më vonë për të pasur sa më pak prezencë të njerëzve. Situata nuk është e ngarkuar, pasi këtë vit në qershor nuk kemi pasur shi dhe ka qenë e favorshme për të pasur efektet e dezinsektimit”, tha për EO , Sadiku.