
Sot fillon gjysmëvjetori i dytë
Sot do të rinisë mësimi në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës e Republikës së Kosovës (SBAShK) përmes një komunikate për media ka njoftuar se mësimi do të nisë në të gjitha shkollat, duke mohuar çdo lajm që bëhet thirrje për grevë.
“Këtyre ditëve në selinë e SBAShK-ut kemi marrë shumë telefonata nga individë, por edhe nga disa medie të nderuara e që kanë të bëjnë me gjysmëvjetorin e dytë, për t’i hequr shqetësimet e prindërve dhe për t’ua pamundësuar individëve të caktuar, që me apo pa dashje të shpërndajnë dezinformata,
SBAShK-u u drejtohet të punësuarve në arsimin parauniversitar dhe nxënësve të nderuar me urimin për rifillim të mbarë të betejës për dije të reja. Pra, më 13 janar do të rinisë mësimi në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës dhe SBAShK-u pret që të përmbyllet në tërësi aktiviteti i nisur nga anëtarësia për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e kërkesave në Qeverinë e Kosovës dhe tek institucioni i Avokatit të Popullit, me kërkesën që ata t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për revokimin e vendimit të masës së përkohshme për pezullimin e Ligjit të pagave”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
Këshilli Drejtues, kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të universiteteve, bashkë me kryesinë e SBAShK-ut, kanë uruar që sa më parë ta fillojnë punën institucionet e dala nga vota e 6 tetorit dhe të rinisë dialogu për shumë çështje në arsim.
“SBAShK-u vepron në bazë të zërit të punëtorëve në tërë arsimin e Kosovës dhe sa herë që anëtarësia vlerëson se dialogu nuk po jep rezultate të duhura, atëherë fillohet me veprime sindikale”, është theksuar në komunikatën e SBAShK-ut.