
Sot nis Java e Bibliotekës në Kosovë “Mes traditës dhe inovacionit”
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nga sot e deri më 12 tetor 2025 organizon edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës, i cili këtë vit ka përmasa ndërkombëtare.
Edicioni i sivjetmë i javës do të nisë sot në orën 17:00.
Për herë të parë në këtë ngjarje marrin pjesë ekspertë nga bibliotekat kombëtare më të mëdha të rajonit dhe të Evropës, duke sjellë përvoja unike përmes prezantimeve mbi praktikat dhe zhvillimet më të reja në fushën e bibliotekarisë.
Përmes programit ndërkombëtar, ngjarja sjell përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të Bullgarisë, të Turqisë, të Maqedonisë së Veriut si dhe prezantimin e veçantë të bibliotekës personale të profesorit austriak Karl Kaser.
Me temën “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit”, këtë vit aktiviteti vjen me një koncept të ri, duke vënë theksin te roli i bibliotekës si urë lidhëse mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimeve moderne.
Në edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës do të mbahen aktivitete si:
Lansimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës (48 biblioteka të lidhura në një sistem të unifikuar);
Ekspozita “Trashëgimia orientale në Kosovë” me dorëshkrime dhe botime të rralla nga fondet e Bibliotekës Kombëtare;
Sesione shkencore mbi: digjitalizimin, ruajtjen e trashëgimisë, teknologjinë dhe identitetin kulturor, promovimin e leximit, përkthimin e letërsisë shqipe dhe qasjen ndërkombëtare, të drejtën e autorit dhe rolin e bibliotekave;
Përurim i katalogut “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës” dhe hapje të ekspozitës po me këtë titull;
Diskutime mbi Inteligjencën Artificiale dhe bibliotekat, me ekspertë kombëtar;
Përkujtim për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes;
Program kulturor e letrar me lexime, promovime librash dhe diskutime me shkrimtarë e përkthyes;
Shfaqje filmash nga kinematografia e Kosovës çdo mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare;
Java e Bibliotekës do të shtrihet edhe në qytete si Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Suharekë, me aktivitete të posaçme për fëmijë, të rinj dhe lexues të apasionuar.