SPAK-u godet rrjetin e ‘Call Center’-ave, miliona euro nga aktiviteti kriminal

31 korrik 2025 | 16:25

Një operacion i gjerë policor, i koduar “Pandora”, ka çuar në goditjen e një skeme të sofistikuar kriminale që vepronte përmes “call center”-ave të rremë në Tiranë, duke mashtruar qytetarë gjermanë me miliona euro.

Hetimet kanë zbuluar një grup të strukturuar kriminal mshtronin persona që kishin humbur investimet në platformat “Forex”, raporton “Euronewsal”.

Në një deklaratë për mediet, prokurori i SPAK-ut, Ened Nakuçi, ka deklaruar: “Nën drejtimin e SPAK, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit Kibernetik, Policinë e Shtetit, BKH-në dhe Policinë Gjermane, janë ekzekutuar masat e sigurisë për autorët e dyshuar të krimit kompjuterik në ‘call center’-a në Shqipëri, në kuadër të një procedimi penal ndërkombëtar”.

Sipas tij, hetimet nisën në dhjetor të vitit 2023 nga autoritetet gjermane, të cilat regjistruan një procedim penal pas indicieve për veprimtari të paligjshme që kishte lidhje me Shqipërinë.

“Grupi kriminal vepronte përmes ‘call center’-ave në Tiranë, duke u paraqitur si oficerë policie të rremë. Ata telefononin qytetarë gjermanë që kishin humbur investimet në ‘Forex’ dhe i bindnin se mund t’i rimerrnin paratë e humbura, kundrejt pagesave të mëtejshme apo dhënies së të dhënave personale.”-u ka thënë Nakuçi.

Provat e mbledhura pas kontrollit në një prej “call center”-ave në Tiranë kanë qenë vendimtare për zbardhjen e skemës. Sipas prokurorit, hetimet kanë treguar qartë strukturimin dhe organizimin e grupit në funksione të ndara dhe me role të përcaktuara, tipike për një organizatë kriminale.

“Gjykata ka vendosur masat e sigurisë ‘arrest me burg’ për 5 shtetas dhe ‘arrest në shtëpi’ për 3 të tjerë. Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj mashtrimeve ndërkombëtare që kryhen përmes teknologjisë dhe që cenojnë sigurinë dhe besimin e qytetarëve evropianë”, ka thënë Nakuçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bizneset në Kosovë nuk kanë raportuar shkyçje nga rrjeti energjetik,…