
SPAK-u publikon të dhënat për shkeljet zgjedhore
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë publike të dhënat e fundit mbi hetimet për krime zgjedhore për 11 majin.
Sipas raportit, janë administruar gjithsej 156 materiale kallëzuese, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme kanë kaluar në fazën e hetimit penal.
Denoncimet elektronike dhe sinjalizimet
SPAK-u ka marrë 50 denoncime në mënyrë elektronike përmes portalit Denonco Krimin Zgjedhor dhe adresës zyrtare të email-it ([email protected]), si dhe 5 sinjalizime në numrin e gjelbër.
Procedime penale të regjistruara
Deri tani janë regjistruar 39 procedime penale, të ndara sipas veprave penale në këtë mënyrë:
33 raste për korrupsion aktiv në zgjedhje (neni 328 i Kodit Penal),
4 raste për korrupsion aktiv dhe pasiv (neni 328 dhe 328/b),
1 rast për përdorim të funksionit publik për qëllime politike (neni 328/a),
1 rast tjetër për shkelje të nenit 328/a dhe nenit 248 (shpërdorim detyre).
Administrimi i materialeve kallëzuese
Nga 156 materialet e administruara:
39 janë procedime të hapura penale,
25 janë mbyllur me vendim për mosfillim të hetimit penal,
24 janë transferuar për kompetencë në prokuroritë e rretheve,
17 janë dërguar për verifikim shtesë në Policinë Vendore,
1 është bashkuar me një çështje ekzistuese.
Sipas SPAK-ut, pjesa e mbetur është ende në proces verifikimi./A2CNN