Spalletti paralajmëron minutazhë për Zhegrovën

26 janar 2026 | 15:37

Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova pritet të ketë hapësirë më të madhe te skuadra e Juventusit, ka paralajmëruar trajneri Luciano Spalletti.

Zhegrova nuk është shfrytëzuar fare nga Spalletti në dy ndeshjet e fundit të Juventusit, fitoren 2:0 ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve dhe kundër Napolit 3:0 në kuadër të Serie A.

Sulmuesi i krahut, prejse iu bashkua Juventusit nga Lille për 20 milionë euro, në total ka regjistruar 302 minuta lojë për ekipin italian në të gjitha garat.

10 paraqitje i ka në Serie A, 4 në Champions dhe një në Kupën e Italisë, ku prej 15 paraqitjeve në vetëm dy ndeshje ka qenë startues.

Pas ndeshjes me Napolin, Spalletti është pyetur nëse Juventusi do të forcohet në janar por trajneri ka bërë me dije se do të fokusohet tek lojtarët që nuk kanë pasur minutazhë deri më tani.

“Nuk pres asgjë nga afati kalimtar dhe këtë e them për shkak se kemi potencial në ekip. Kam disa lojtarë të fortë jashtë, të cilëve nuk u kam dhënë hapësirë dhe mezi pres ti aktivizojë për të luajtur”, është shprehur Spalletti.

Zhegrova ka kontratë me skuadrën e Juventusit deri në verën e vitit 2030.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) paralajmëron se bllokadat kufitare të…