
Spalletti zgjedh 11 lojtarët më të mirë që ka stërvitur në karrierë
Trajneri italian, Luciano Spalletti, ka zgjedhur 11-shen më të mirë të futbollistëve që ka stërvitur gjatë karrierës së tij.
Trajneri aktual i Italisë, i cili ka pasur një karrierë të pasur në pankinat e futbollit evropian, përfshirë periudhat te Roma, Napoli, Inter dhe Zenit, foli për Tuttomercato dhe u ngarkua të përzgjidhte formacionin e tij ideal me lojtarët që ka drejtuar ndër vite — duke përjashtuar futbollistët e përfaqësueses italiane.
“Do të zgjidhja një formacion 4-2-3-1,” tha Spalletti. “Nuk do të përdor lojtarë të kombëtares, përndryshe do të ishte shumë e lehtë të filloja me Donnarumma-n. Në Romë, ishte e vështirë për mua të zgjidhja midis Alisson dhe Szczesnyt. Do të zgjedh Szczesnyn, edhe pse është e vështirë ta shkruash këtë”, shtoi ai me humor.
Mbrojtja dhe mesfusha
Më tej, Spalletti foli për mbrojtjen dhe mesfushën, ku përfshiu emra të njohur nga periudhat e tij te Roma, Napoli dhe Interi.
“Panucci apo Di Lorenzo? Do të vendosja Di Lorenzon. Në të majtë kisha Emerson, Jankulovski, Riise, të gjithë shumë të fortë. Gjithashtu Tonetto, Juan dhe Mexes. Do të vendosja Jankulovskin, ai ishte tepër i fuqishëm. Në zemër të mbrojtjes kisha Kim, Koulibaly, Chivu. Do të vendosja Koulibaly dhe Chivu”.
“Në mesfushë, padyshim Pizarro dhe De Rossi. Ata janë dy lojtarë të cilët kuptojnë lojën më mirë se kushdo tjetër që kam stërvitur”, vazhdoi ai.