Spanca: 129 punëtorë të komunitetit serb janë paguar 800 mijë euro pa shkuar në punë fare

03 tetor 2023 | 13:27

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë opinion të kualifikuar rreth raportit financiar vjetor të buxhetit të shtetit, i cili është audituar nga kjo zyre.

Arsyet e kualifikimit të opinionit kanë qenë për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale.

Kështu ka thënë të martën auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Sipas Spancës, shpenzimet në vlerë rreth 10 milionë e 400 mijë euro janë klasifikuar në kategori joadekuate.

Prej tyre, si rezultat i buxhetimit joadekuat janë keq klasifikuar 5 milionë e 600 mijë  euro, për shkak të vendimeve gjyqësore afër 3 milionë e 800 mijë euro, ndërsa si të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 1 milion euro. Megjithatë, në raport me vitin paraprak kishte përmirësime në vlerë prej 3 milionë euro.

“Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente dhe detyrimeve të papaguara të raportit financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale”, ka thënë Spanca.

Më tutje, Spanca ka treguar edhe për punëtorët serbë që paguhen nga buxheti i shtetit pa shkuar fare në punë.

Ajo ka thënë se këtë punëtorë i kanë kushtuar buxhetit 800 mijë euro për 129 punonjës.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800 mijë euro për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë. Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri”, ka thënë Spanca, teksa ka folur edhe për borxhin shtetëror.

“Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022, kishte arritur në vlerë 1 miliard e  753 milionë e 200 mijë euro apo rreth 20 për qind e BPV-së (40 për qind është e lejuar me ligj). Borxhi i brendshëm ishte 1 miliard e 112 milionë  euro, ndërsa borxhi ndërkombëtar ishte 641 milionë e  200 mijë euro. Në raport me vitin e kaluar borxhi i përgjithshëm ka shënuar rritje për 4 për qind. Sfidë mbetet mosefikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore. Niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi ndërkombëtar mbetet i ulët  (për shtatë projekte/kredi në vlerë prej 177 milionë e 900 mijë euro të ratifikuara përgjatë viteve 2017-2022 nuk janë tërhequr fare mjetet financiare). Në këtë nivel të ulët të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera. Në vitin 2022, të hyrat e buxhetit ishin në vlere prej 2.6 miliardë euro  që krahasuar me vitin 2021 ishin rritur rreth 6 për qind”, ka thënë ajo.

Më tutje, Spanca ka treguar edhe për humbjet që kanë ndërmarrjet publike. Sipas saj, nga 12 prej tyre, pesë kanë operuar me humbje, raporton “EO”.

“Nga analiza e bërë për 12 ndërmarrje publike, mbi rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se, pesë prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë prej mbi 10 milionë euro, ndërsa shtatë  tjerat kanë realizuar një fitim prej mbi 110 milionë euro. Pjesën më të madhe të humbjeve për vitin 2022 e kishte Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) në shumën prej 4.3 milionë euro, kurse fitimin më të madh e kishte realizuar KEK-u në shumën prej mbi 105 milionë euro. Sidoqoftë, krahasuar me vitin paraprak në katër ndërmarrje publike vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve, nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës. Ndërsa gëzon fakti se përveç NPB-së, asnjë nga ndërmarrjet tjera nuk ka treguar elemente të rritjes materiale te nivelit të humbjes”, ka thënë Spanca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stadiumi “Fadil Vokrri” mund të mos rinovohet fare dhe të…