Specialja shpall të papranueshme ankesat e mbrojtjes për Juridiksionin dhe “Ndërmarrjen Kriminale të Përbashkët”

14 qershor 2022 | 20:36

Një panel i Gjykatës Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara në Hagë ka shpallur të papranueshme ankesat e ekipeve mbrojtëse të krerëve të UÇK-së lidhur me juridiksionin e Gjykatës dhe çështjen e “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” – me të cilën ngarkohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Parashtruesit ishin ankuar për shkeljen e të drejtave themelore të të akuzuarve lidhur me procedimin penal kundër tyre, duke argumentuar se atyre po shkelen të drejtat themelore të garantuara me Nenet 33, 19, 24 dhe 55 të Kushtetutës së Kosovës, me Nenet 7 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe Nenet 15 dhe 26 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Sipas panelit të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, palët mund të ankohen vetëm nëse dënohen dhe kanë mospajtim me ligjshmërinë e vendimit. Pra, që fillimisht duhet t’i kalojnë të gjitha shkallët, e pastaj të ankohen në Gjykatën Kushtetuese.

Por, ndërkohë që ka deklaruar të papranueshme kërkesën, Gjykata megjithatë ka bërë disa komente dhe ka vendosur të shprehet “paraprakisht” për një nga argumentet e mbrojtjes, me arsyetimin se çështja është e rëndësishme – duke përbërë kështu një rast të paprecedent.

Përse Gjykata nuk e deklaroi kërkesën të pranueshme dhe të zgjidhte themelin e problemit në mënyrë të plotë?

Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje.

Më 26 tetor 2020, Gjykatësi i Procedurës paraprake kishte konfirmuar aktakuzën me të cilën katër figurat e larta të UÇK-së akuzoheshin për krime lufte për periudhën mars 1998 – shtator 1999, duke i ngarkuar ata me doktrinën e “Ndërmarrjes kriminale të Përbashkët”.

Mbrojtja ka argumentuar se zbatimi i drejtpërdrejtë i të Drejtës Ndërkombëtare Zakonore, të cilën Gjykata Speciale po synon ta përdorë në proces gjyqësor për ta aplikuar “Ndërmarrjen Kriminale të Përbashkët”, është në kundërshtim me Nenin 33 të Kushtetutës dhe Nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata ka vendosur që t’i anashkalojë këto argumente.

Nenin 33 i Kushtetutës së Kosovës shprehimisht thotë se – askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër, e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dhënë mbështetje…