
Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik se gjatë ditës së djeshme (9 qershor 2025) Radio Televizioni i Kosovës dhe disa media tjera kanë publikuar informata që i referohen raportit të auditimit për komunën e Prishtinës të hartuar nga ZKA-ja. Me këtë rast, dëshirojmë ta njoftojmë publikun dhe mediat se publikimi i këtij dokumenti nuk është autorizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Procesi i auditimit është i ndërtuar mbi standarde profesionale dhe rregulla të qarta që parashohin hapa të caktuar deri te publikimi i raportit përfundimtar.
Prandaj, publikimi i parakohshëm i raportit të auditimit dhe ende pa u miratuar nga Auditorja e Përgjithshme mund të dëmtojë procesin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional që ZKA-ja gëzon me institucionet që janë subjekt i auditimit si dhe të çojë në interpretime të pjesshme apo të pasakta për publikun.
Raportet përfundimtare të auditimit të nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme pasi t’i dorëzohen subjektit të audituar dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në nenin 23, paragrafi 1, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, publikohen në faqen elektronike të ZKA-së dhe janë i vetmi qëndrim zyrtarë i ZKA-së.
Si medium publik RTK-ja do të duhej të respektonte mandatin kushtetues dhe ligjor të ZKA-së. Respektimi i tyre i mundëson ZKA-së të punojë në pajtim të plotë me kërkesat ligjore si dhe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe të shmang çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike.
ZKA-ja mbetet e përkushtuar për një proces të hapur dhe transparent në shërbim të llogaridhënies dhe interesit publik si dhe e gatshme për bashkëpunim me mediat dhe palët e interesuara për ofrimin e informatave të sakta dhe të verifikuara.