Sqarim lidhur me propozimin për faljen e taksës komunale të operimit në Komunën e Drenasit

04 maj 2025 | 12:11

Nga Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit

Komuna e Drenasit i ka planifikuar me kujdes dhe përgjegjësi të lartë projektet kapitale për vitet 2025, 2026 dhe 2027, duke u bazuar në të hyrat vetanake, ndër të cilat një pjesë e rëndësishme janë të ardhurat nga taksa komunale e operimit.

Këto mjete janë në funksion të realizimit të projekteve infrastrukturore, sociale dhe ekonomike që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe mbështesin zhvillimin lokal.

Çdo kërkesë për falje të kësaj takse, duhet të trajtohet me kujdes, pasi një vendim i tillë, i paarsyetuar mbi bazë ligjore dhe pa analizë financiare, do të kishte pasoja direkte negative për buxhetin komunal, dhe si rrjedhojë, për realizimin e projekteve të planifikuara për vitet në vijim.

Pas propozimit në Asamble për faljen e taksës komunale të operimit në Komunën e Drenasit, konsideroj se kërkesa ishte e paarsyetuar dhe pa vlerësuar efektet negative në projektet e planifikuara për vitin 2025, 2026 dhe 2027, prandaj sqaroj se:
• Falja e kësaj takse minon qëndrueshmërinë financiare të komunës;
• Krijon një precedent të rrezikshëm që nxit mos pagesën dhe ul ndjenjën e përgjegjësisë ligjore e qytetare;
• Mund të sjellë mosbalancim buxhetor dhe pamundësi për të zbatuar projektet që prekin drejtpërdrejtë qytetarët, siç janë Pagesat për lehonat, Pagesat për OJQ, Subvencionimin për bujqit, Ndihmë pacientëve dhe të sëmurëve nga kanceri dhe kategoritë tjera me nevojë, investimet në arsim, shëndetësi, rrugë dhe mbrojtje të mjedisit, etj.

Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë bizneset dhe qytetarët me masa të balancuara dhe të përgjegjshme, duke përfshirë lehtësira të mundshme vetëm në përputhje me ligjin dhe në situata të veçanta sociale apo ekonomike.

Në kohën e pandemisë, kemi përkrahur bizneset duke ua falur detyrimet për vitin 2020 dhe 2021, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia (mbi 1.2 milion euro).

Po ashtu, në vitin 2024, kemi lehtësuar bizneset duke ua falur detyrimet nga viti 2000 deri në vitin 2019 (mbi 2 milionë euro).

Nga përfaqësuesit në Kuvendin Komunal kërkohet që propozimet të jenë të harmonizuara me interesin e përgjithshëm publik dhe me planifikimet që i shërbejnë të gjithë qytetarëve, duke mos qenë propozime për interes të politikës ditore dhe propozuesit të mos jenë të përfshirë në konflikt interesi.

Pasi është dhënë propozimi pa specifikuar afatet dhe efektet e propozimit, në mbledhjen e Kuvendit, kam shprehur mendimin se kjo çështje mund të shqyrtohet në një seancë të veçantë, ku do të trajtohej Rregullorja për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba e cila nëse do të hiqej kjo taksë e operimit, mund të zbatohet jo para vitit 2027.

Të gjitha bizneset në komunën e Drenasit janë të barabarta para ligjit dhe ofrohen kushte, mundësi dhe klimë maksimale për ushtrimin e veprimtarisë së tyre ekonomike në pajtim me ligjin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi dhe Luis Suarez janë rikthyer te golat, por…