
‘S’shoh dhe s’pres ndonjë zgjidhje në ditët e mbetura të afatit kushtetues, kjo është gjendja fatkeqe e Kosovës’
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti “nuk sheh nguti për të bërë zgjidhje politike”.
Ai ka thënë se LV-ja “nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, e as fjalës së lirë të deputetëve, nëpërmjet uzurpimit edhe të ulëses së Kuvendit”.
Abdixhiku ka thënë se nuk pret se do të ndryshojë diçka deri më 26 korrik, datën deri kur Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që të përfundojë seanca konstituive.
“Nuk shoh dhe nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura”.
“Ajo që pritet, është që pas afatit 30-ditor të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Por ne një interpretim e kemi, siç e kemi edhe një mosrespektim të saj, që do të thotë, kemi përmbysje të rendit kushtetues. Kjo është gjendja fatkeqe e Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Më tutje, Abdixhiku, ka thënë se “është e qartë se pas 30 ditëve, ky Kuvend, në qoftë se nuk konstituohet, ka hequr afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet një interpretim i ri sepse nuk ka përcaktuar as gjykata se çfarë do të ndodhë”.
Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka zgjidhur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i detyroi deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo ka vendosur që deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
Lëvizja Vetëvendosje është duke e hedhur në votim çdo të dytën ditë një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme.
Partitë tjera shqiptare argumentojnë se ky aktgjykim e përjashton votimin e fshehtë, por në LV kanë thënë se ai e lejon këtë mënyrë.
Përpjekja e partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta bërë votimin të fshehtë erdhi pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.