Standardet e dyfishta të reagimit të presidentes Osmani dhe ish-ministres së Drejtësisë Haxhiu në raport me gjykatësit serbë dhe sigurinë kombëtare

10 gusht 2025 | 16:47

Shkruan: Muharrem Mahmutaj

Para disa ditësh, presidentja Osmani, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ngriti alarmin e kuq për gjykatësin serb Llaban, në Gjykatën Kushtetuese, i cili sipas burimeve të saj përbën rrezik për sigurinë kombëtare. Interesi dhe siguria kombëtare janë mbi gjithçka, prandaj edhe shqetësimi dhe reagimi i presidentes ishte legjitim. Pas saj reagoi edhe ish-ministrja Haxhiu.

Por, a kanë përdorur të njëjtin standard reagimi presidentja Osmani dhe ish-ministrja Haxhiu, si dhe eksponentë të VV-së, në raste të tjera kur gjykatës serbë kanë marrë vendime në çështje edhe më të ndjeshme? Fatkeqësisht jo!

Po e përmend vetëm një rast.

Në prill të vitit 2022, Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim rastin e veteranëve të UÇK-së, ku gjeneral Agim Çeku dhe anëtarët e tjerë të komisionit verifikues ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Paradoksi është se vendimin për ta kthyer në rigjykim lëndën e veteranëve dhe për t’ua marrë pafajësinë Agim Çekut dhe të tjerëve e mori një gjykatës serb i Apelit, z. Petroviç.

Në biografinë zyrtare të gjyqtarit Petroviç, që mund ta gjeni në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, shkruan qartë se ai, para lufte, ka punuar si polic dhe inspektor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe gjykatës, në kohën e regjimit të Millosheviqit.

A nuk kishte ndonjë gjykatës shqiptar në Apel për të trajtuar këtë çështje kaq të ndjeshme?!

As presidentja Osmani, e as ish-ministrja Haxhiu, nuk reaguan për faktin se dosjet e luftëtarëve të UÇK-së iu lanë në dorë një ish-polici e gjykatësi të kohës së Millosheviqit. Këto dosje, fare lehtë, nga duart e gjyqtarit Petroviç, mund të përfundonin në Beograd dhe të përdoreshin për arrestimet e paligjshme të qytetarëve tanë që kalojnë në Serbi.

As presidentes, e as ish-ministres së Drejtësisë, nuk iu ndie zëri për këtë fakt! Për to, nuk ishte shqetësues fakti që një ish-polic e gjykatës i kohës së Millosheviqit të vendosë për fatin e luftëtarëve të UÇK-së.

Pse nuk thanë asnjë fjalë për këtë çështje, zonja Presidente dhe ish-ministre Haxhiu?! Apo ndoshta, sipas standardeve të tyre, gjykatësit serbë janë profesionalë dhe nuk përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare kur marrin vendime për njerëzit e UÇK-së?!

Njerëz të vegjël dhe politikanë dhjetëfytyrësh!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke folur në një konferencë për shtyp, Benjamin Netanyahu pretendon…