
Status quo
04 shtator 2020
| 18:14
Erich Fried
Status quo
Kush do
Që bota
Të mbetet
Ashtu si është
Ai nuk do
Që bota të mbetet
Shembull i vogël
Edhe jeta e pajetuar
Merr fund
Ndoshta më ngadalë
Se një bateri
Në një llambë dore
Që s’përdoret kurrë
Por kjo nuk ndihmon shumë:
Kur njeriu
(Supozojmë)
Pas vitesh të tëra
Do ta ndezë atë llambë ajo
Nuk nxjerr asnjë rreze drite
Dhe nëse ti e ndez atë
Has vetëm në kockat e tua
E nëse nuk ke fat
Edhe ato
Do të jenë të brejtura
Ndërkaq që ti
Po aq mirë
Do të mund të kishe ndriçuar
Një parakusht shtesë
Nuk është
Vetëm e rëndësishme
Që një njeri
Të mendojë drejt
E rëndësishme është
Gjithashtu
Që ai që mendon drejt
Të jetë njeri
(Përktheu: Ismet Daci. Marrë nga revista “Akademia”, nr. 7)