Statusi juridik i familjes Jashari sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare: Civilë, vrasja e tyre, krim lufte dhe krim kundër njerëzimit (II)

02 qershor 2021 | 17:56

Të gjithë anëtarët e familjes Jashari, me përjashtim të Adem dhe Hamëz Jasharit, e gëzojnë statusin e “civilëve” në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, rrjedhimisht duhet të trajtohen si viktima të luftës dhe t’u ofrohet drejtësi. Vrasja e tyre, ndërkaq, përbën “krim lufte” dhe “krim kundër njerëzimit” në akordancë me ligjin ndërkombëtar

Sebahate J. Shala

Konventa e Katërt e Gjenevës i definon personat e mbrojtur si ata “që në një moment të caktuar” e gjejnë veten në duart e një “pale në konflikt ose një force pushtuese” dhe të cilët, në çdo kohë, duhet të “trajtohen njerëzisht” dhe të mbrohen, veçanërisht kundër “të gjitha akteve të dhunës ose kërcënimeve të përdorimit të saj, dhe kundër fyerjeve dhe kuriozitetit publik”. Në rastet e konfliktit të brendshëm të armatosur, siç e parasheh Konventa, palët në konflikt duhet t’i mbrojnë dhe t’i trajtojnë njerëzisht të gjithë “personat që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi”, si dhe t’i respektojnë në të gjitha rrethanat pesë parimet e mishëruara në Protokollet Shtesë I dhe II, përfshirë parimin e dallimit ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve, të sulmeve pa dallim, të masave paraprake në sulm, të kufizimit të përdorimit të forcës dhe mjeteve të luftimit, dhe parimin e proporcionalitetit të sulmit.

Civilëtsipas përshkrimit të Protokollit Shtesë I, dhe siç kishte vendosur Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi në rastin Blaškić në vitin 2000, janë “personat të cilët nuk janë anëtarë të forcave të armatosura”, ose që “(nuk) janë më anëtarë të forcave të armatosura”, prandaj ata gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare nga dhuna dhe kërcënimet e dhunës ose sulmet e drejtpërdrejta ushtarake në një konflikt të armatosur. “Drejtimi i qëllimshëm i sulmeve kundër popullatës civile” ose kundër individëve që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi, siç përcakton Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP/ICC), përbën “krim lufte në konflikte të armatosura ndërkombëtare”.

Sidoqoftë, civilët në konfliktet e armatosura ndërkombëtare dhe jondërkombëtare, siç parasheh Protokolli I (Neni 51.3), e humbin mbrojtjen e tyre në momentin dhe, për aq kohë sa “marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi”, dispozitë kjo që është respektuar nga Mbretëria e Bashkuar me rastin e ratifikimit të Konventës mbi Armë të Caktuara Konvencionale, si dhe nga Tribunali i Hagës në rastin Blaškić. Ndërsa në disa praktika, personi civil e humb mbrojtjen nga sulmet ushtarake kur merr pjesë aktive në armiqësi, megjithatë, siç argumenton Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), ai person civil nuk bëhet automatikisht luftëtar, së këndejmi i burgosur i luftës dhe, pas kapjes nga forcat kundërshtare, ai mund t’i nënshtrohet ligjit penal për të vetmen arsye – pjesëmarrje në konflikt.

Ky artikull diskuton statusin juridik të familjes Jashari nga Prekazi i Ulët, dhe duke e aplikuar të drejtën ndërkombëtare humanitare në kontekst të konfliktit në Kosovë, argumenton se të gjithë anëtarët e familjes Jashari, me përjashtim të Adem dhe Hamëz Jasharit, e gëzojnë statusin e civilëve përkitazi me Konventën e Katërt të Gjenevës, prandaj duhet të trajtohen si viktima të luftës dhe t’u ofrohet drejtësi. Për më tepër, artikulli, duke iu referuar Statutit të GjPN-së/ICC, konkludon se vrasja e familjes Jashari përbën krim lufte dhe krim kundër njerëzimit në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

 Familja Jashari: civilë, të mbrojtur ndërkombëtarisht   

Më 5 mars 1998 forcat policore serbe sulmuan kullën e Adem dhe Hamëz Jasharit, duke vrarë, pas tri ditësh luftime, 54 anëtarë të familjes së tyre të gjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Të gjithë anëtarët e familjes Jashari, me përjashtim të Adem dhe Hamëz Jasharit, ishin civilë, kategori kjo e mbrojtur me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin ndërkombëtar humanitar. Sepse ata nuk i takojnë asnjërës nga gjashtë kategoritë e luftëtarëve të përshkruara në Konventën e Tretë të Gjenevës, përkatësisht ata nuk iu përkisnin “banorëve të një territori jo të pushtuar të cilët, me afrimin e armikut, në mënyrë spontane, kapin armët për t’u rezistuar forcave pushtuese” dhe, megjithëse nuk kishin pasur kohë të organizoheshin në njësi të rregullta ushtarake, “ata mbajnë armët publikisht dhe respektojnë rregullat dhe zakonet e luftës”; e as nuk përfaqësonin personat të cilët e humbin mbrojtjen e tyre pasi “marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi”, siç specifikon Neni 51.3 i Protokollit I.

Jasharët i takonin një populli që ra në duart e një pale në konflikt ose një force okupuese, ata ishin banorë të një territori të pushtuar, Kosovës, i integruar ilegalisht në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), Serbisë dhe Malit të Zi, pas shpërbërjes së Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (RSFJ) në vitin 1992. Ata, përveç Adem dhe Hamëz Jasharit, nuk ishin pjesëtarë të forcave ose grupeve të armatosura, pra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), as nuk u organizuan, spontanisht, në një njësi të rregullta ushtarake, as nuk morën pjesë drejtpërdrejt në luftime. Nëse ndonjë anëtar i familjes ishte përfshirë në njëfarë forme në armiqësi, ai e kishte bërë atë për ta mbrojtur veten, familjen, pronën dhe atdheun e tyre. Siç kish rrëfyer Besarta Jashari, e mbijetuara e vetme e familjes Jashari, me të filluar sulmi, gratë, fëmijët dhe të moshuarit ishin mbyllur në një dhomë në bodrum – për t’u mbrojtur nga granatimet. Në disa raste, sidoqoftë, disa anëtarë të familjes, si Adilja, gruaja e Adem Jasharit, kishin ndihmuar burrat duke sjell municion, ose të rinjtë, Kushtrimi, Blerimi dhe Igballi, të cilët mbushnin karikatorët ose luftonin së bashku me Ademin dhe Hamzën (Hamzaj dhe Hoti, 2003).

Më tutje, përveç Adem dhe Hamëz Jasharit dhe dajës së tyre Osman Geci, të moshuarit Ali, Faik, Sinan, Shaban dhe Sherif Jashari, si dhe të rinjtë Besim, Blerim dhe Fitim Jashari, ndonëse figurojnë si anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ligjërisht nuk mund të trajtohen si luftëtarë. Kjo pasi që kategoria e parë ishte mbi të gjashtëdhjetat, ndërsa e dyta nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, e bazuar në ligjin e ish-RFJ-së, të gjithë burrat e moshës 18 deri 55 vjeç ishin të obliguar të paraqiteshin si rezervistë në rast lufte ose të kërcënimit të menjëhershëm me luftë. Përderisa mosha mesatare varion, janë vetëm ata që janë rekrutuar ndërkaq që, sipas KNKK-së, llogariten si luftëtarë. Prandaj, duke e aplikuar ligjin e ish-RFJ-së, Ali, Faik, Sinan, Shaban dhe Sherif Jashari dhe Besim, Blerim dhe Fitim Jashari nuk i plotësonin kriteret e moshës për t’u rekrutuar në rast të luftës ose të kërcënimit me luftë, rrjedhimisht ata nuk mund të konsiderohen si luftëtarë, që i përkisnin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës anëtarësia e së cilës ishte vullnetare.

Kjo nënkupton se të gjithë anëtarët e familjes Jashari, përveç Adem dhe Hamëz Jasharit dhe Osman Gecit, e gëzojnë statusin e civilëve në përputhje me Konventën e Katërt të Gjenevës, së këndejmi duhet të trajtohen si viktima të luftës dhe t’u ofrohet drejtësi.

 Definicionet: Vrasje masive, krim kundër njerëzimit, krim i luftës 

Në diskursin publik, akademik dhe politik, vrasjes së familjes Jashari i referohet kryesisht si masakër ngjashëm si 186 masakrat e tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë, një term ky që nuk duhet të përdoret – për dy arsye. Një, sepse nuk ekziston një përkufizim ligjor mbi masakrën siç ekziston për gjenocidin, për shembull; masakra dhe gjenocidi, siç sugjerojnë Dwyer dhe Ryan, shpesh përdoren si zëvendësim për njëra-tjetrën, veçanërisht në studimet e gjenocidit, dhe shumë pak studiues bëjnë dallimin ndërmjet masakrësvrasjes masive dhe gjenocidit. Dy, masakra nuk paraqet kategori të veçantë të krimit si gjenocidi ose krim kundër njerëzimit e, madje, nuk është as nënkategori e krimit kundër njerëzimit siç definohet nga GjNP/ICC. GjNP dhe Tribunali i Hagës nuk e përdorin nocionin masakër në proceset e tyre kundër kriminelëve të luftës; në vend të kësaj këto gjykata mbështeten në kategorinë e krimit kundër njerëzimit.

Për ta përcaktuar krimin ndaj familjes Jashari, së pari do ta eliminoj termin masakër, dhe pastaj do t’i shikoj definicionet e vrasjes masivevrasjes dhe shfarosjes si krime kundër njerëzimit, dhe të krimeve të luftësVrasja masive definohet si vrasje e qëllimshme e një numri të madh personash, që i përkasin cilitdo grup (etnik, politik, fetar) për aq kohë sa janë civilë dhe vdekjet e tyre janë shkaktuar qëllimshëmVrasja masive përfshin vrasjen e të paktën tre personave në një incident të vetëm, brenda së njëjtës zonë hapësinore, dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Krimi kundër njerëzimitsiç përshkruhet në Statutin e GjNP-së, përfshin cilindo nga veprimet e mëposhtme, kur kryhet si pjesë e një sulmi në shkallë të gjerë ose sistematik i drejtuar kundër popullatës civile me dijeninë e kryerjes së sulmit, përkatësisht vrasje, shfarosje, skllavërim, deportim ose transferim me forcë i popullsisë; burgim, torturë, dhunim, persekutim i bazuar në baza politike, racore ose etnike; dhe rrëmbim me forcë. Vrasja si krim kundër njerëzimit përfshin vrasjen e një ose më shumë personave, dhe akti/administrimi i saj është pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik i drejtuar kundër një popullate civile (Neni 7.1.a.). Shfarosja si krim kundër njerëzimit i referohet vrasjes së “një ose më shumë personave, përfshirë shkaktimin e kushteve të jetës të kalkuluara qëllimshëm që të shkatërrojnë një pjesë të një populli”, akt ky që ndodh si pjesë e “vrasjes masive të pjesëtarëve të një popullate civile”. (Neni 7.1.b) “Sulmi i drejtuar kundër popullatës civile”, sipas GjNP-së/ICC, përfshin kryerjen e akteve të shumëfishta – që u përmenden më lart – kundër një popullate civile si pjesë ose në avancim të politikës dhe strategjisë së një shteti ose organizate për të kryer një sulm të tillë.

Krimet e luftës, në veçanti, kur kryhen si pjesë e një plani ose politike, ose si pjesë e krimeve të kryera në shkallë të gjerë, përbëjnë shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës, përfshirë vrasje me dashje/me paramendim, torturë ose trajtime çnjerëzore; shkeljet e tjera serioze të rregullave dhe zakoneve të luftës të zbatueshme në konfliktin e armatosur jondërkombëtar, përfshirë sulmet e qëllimshme ndaj popullatës civile që nuk merr pjesë drejtpërdrejt në luftime, duke shkaktuar qëllimisht shkatërrim të gjerë të pasurisë dhe përvetësim të pronës e që nuk justifikohet me nevojë të ndërhyrjes ushtarake dhe që kryhet paligjshëm dhe në mënyrë të kalkuluar; dhe shkelje serioze të Nenit të Përbashkët 3, të të gjitha Konventave të Gjenevës, përkatësisht vrasje, trajtime mizore dhe torturë (GjNP, Neni 8).

 Vrasja e familjes Jashari: krim lufte dhe krim kundër njerëzimit

Krimi kundër familjes Jashari bie në dy nga kategoritë e lartpërmendura: krim kundër njerëzimit dhe krim i luftës, meqë i plotëson kriteret për t’u llogaritur si i tillë: numrin e të vrarëve, statusin juridik të popullsisë dhe përkatësinë e saj etnike/fetare, qëllimin, dhe akti i vrasjes – i sponsorizuar dhe drejtuar nga shteti. Aspekti numerik: në mënyrë që një vrasje të kualifikohet si vrasje masive, sipas definimit të Peck dhe Jenkot, të paktën tre ose katër vrasje duhet të kryhen, afërsisht në të njëjtën kohë, në të njëjtën zonë hapësinore, dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore. Dhe, akti i vrasjes, siç theksojnë Valentino, Huth dhe Balch-Lindsay, duhet të jetë i qëllimshëm dhe i drejtuar kundër cilitdo grup ose popullate civile (etnike, politike, fetare) për aq kohë sa vdekjet e tyre janë shkaktuar qëllimshëm. Numri, koha, hapësira dhe qëllimi janë karakteristikat përcaktuese të vrasjes masive.

A i plotëson rasti i familjes Jashari këto karakteristika për t’u kualifikuar si vrasje masive? Po. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të shkaktuara si rezultat i sulmit ishte 57. Të gjithë të vrarët, përveç Adem dhe Hamëz Jasharit dhe Osman Gecit, ishin civilë. Ata u vranë në të njëjtin vend, në kullën dhe lagjen Jashari, në fshatin Prekaz i Ulët, dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore – ndërmjet 5 dhe 7 marsit të vitit 1998 – dhe akti i vrasjes ishte i qëllimshëm si pjesë e planit dhe politikës shtetërore të RFJ-së dhe Serbisë dhe i fushatës së gjerë dhe sistematike të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës, e lansuar në fillim të vitit 1998.

Qëllimi. Operacioni ushtarak i RFJ-së dhe i Serbisë kundër Jasharëve ishte i qëllimshëm, i cili pasoi dy sulme të mëparshme të drejtuara kundër familjes: i pari në dhjetor të vitit 1990; i dyti më 22 janar të vitit 1998. Familja Jashari ishte në shënjestër të regjimit të Serbisë për shkak të bindjeve dhe aktiviteteve të tyre politike, si dhe origjinës etnike e religjioze: Adem Jashari kishte organizuar dhe marrë pjesë në demonstratat masive kundër terrorit dhe fushatës së dhunshme të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës e filluar në vitin 1990, pas suspendimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989; dhe së bashku me 14 anëtarë të UÇK-së, ishte dënuar në mungesë për “akte terroriste” nga një gjyq që, sipas Human Rights Watch, “haptazi dështoi t’i përmbushte standardet ndërkombëtare”. I trajnuar në Republikën e Shqipërisë në fillim të viteve 1990, Adem Jashari kthehet, me një grup, në Kosovë dhe në vitin 1993 krijon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas sulmit të janarit të vitit 1998, familja Jashari, veçanërisht Adem dhe Hamëz Jashari, ishin nën vëzhgimin dhe përcjelljen e vazhdueshme të policisë së Serbisë.

Tutje, sulmi ndaj Jasharëve ishte i paramenduar dhe i orkestruar mirë, i drejtuar dhe urdhëruar nga Qeveria e Serbisë ose në bashkëpunim me të. Operacioni, siç kish raportuar Amnesty International, ishte ekzekutuar nga Policia Speciale e Serbisë, e trajnuar për operacione speciale si rrëmbim, në përbërje të Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit, Njësisë së Operacioneve Speciale dhe Njësisë Speciale të Policisë, dhe ishte mbështetur nga transportuesit e blinduar të personelit, tanke e autoblinda, që përdornin artileri nga fabrika e municionit në Skenderaj. Forcat e policisë, disa qindra në numër, sipas kësaj organizate, ose mbi 5 000 sish bazuar në dëshmitë e banorëve lokalë, ishin të armatosura rëndë, përfshirë mitralozë të rëndë dhe topa, raketa dhe granatahedhës, pushkë sulmi, si dhe snajper. Sulmi, qartazi, ishte disproporcional në relacion me kërcënimin në fjalë dhe përbënte shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës dhe të Protokolleve të tyre, specifikisht forcat serbe shkelën parimin e dallimit ndërmjet luftëtarëve dhe civilëvetë proporcionalitetit të sulmittë sulmeve pa dallimtë masave paraprake në sulm, dhe parimin e kufizimit të përdorimit të forcës dhe të mjeteve të luftimit.

Për më tepër, qëllimi ishte të vritej e tërë familja! Policia, siç argumenton Qendra për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, ishte urdhëruar të vrasë pa dallim, këdo, qoftë fëmijë, grua apo i moshuar, që përpiqej të ikte ose të hynte në fshat. Human Rights Watch raportonte për ekzekutime jashtëgjyqësore dhe vrasje të paligjshme si rezultat i përdorimit të tepërt dhe pa dallim të forcës kundër civilëve, të arrestuarve dhe të dorëzuarve. Operacioni ushtarak serb, bazuar në dëshmitë e Amnesty International, ishte më i “përgatitur dhe i vendosur”, dhe qëllimi “ishte të eliminonte të dyshuarit dhe familjet e tyre” dhe jo të kapte të dyshuarit e armatosur në mënyrë që të mbroheshin jetët e civilëve të garantuara me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Dhe, ndërsa kreu i forcave të armatosura jugosllave, gjenerali serb Nebojsha Pavkoviq, e quajti sulmin “të suksesshëm”, një veprim normal policor kundër një krimineli të njohur, duke shtuar se “detajet e tjera nuk i mbaj mend”, vrasja e familjes Jashari, nëse i referohemi definicionit të Amnesty International mbi vrasjet politike, ishte “i paligjshëm dhe i qëllimshëm”, i urdhëruar nga qeveria serbe ose në bashkëpunim me të, për shkak të “bindjeve ose aktiviteteve të tyre reale ose të nënkuptuara politike” dhe “fesë ose origjinës etnike”.

Sigurisht që Adem Jashari ka mundur t’i evakuonte gratë, fëmijët dhe të moshuarit derisa e organizonte mbrojtjen, siç sugjerojnë disa gra të zonave urbane në Kosovë teksa e quajnë të çmendur për sakrifikimin e gjithë familjes sepse, siç kish thënë një grua, “askush nuk ka të drejtë që të flijojë fëmijët dhe gruan” pavarësisht prej rrethanave dhe qëllimit. E vërtetë, fillimisht forcat e policisë së Serbisë, derisa gjuanin pandërprerë me armë automatike, u kishin bërë thirrje Jasharëve që të dorëzoheshin, por Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari e kishin organizuar mbrojtjen, në të cilën kishin marrë pjesë edhe burra të tjerë të lagjes, Sherif, Ali, Faik dhe Sinan Jashari. Jasharëve u ishte bërë thirrje të dorëzoheshin, ata kishin refuzuar. Atyre u ishte ofruar të largoheshin nga Kosova, ata nuk kishin pranuar. Në vend të kësaj, e tërë familja vendosi të qëndronte në shtëpi dhe, nëse ishte e nevojshme, siç kishte thënë Hamëz Jashari, të “vdisnin për të mbrojtur shtëpinë dhe atdheun e tyre”.

“Ne nuk kemi ku të shkojmë tjetër, do të qëndrojmë këtu dhe do të vdesim në vendin e të parëve tanë që luftuan gjatë shekujve. Ne kurrë nuk do të largohemi nga Kosova. Ata mund të vijnë kur të duan, ne do t’i presim këtu dhe do t’i përgjigjemi me çfarëdo mundësie e mjeti që kemi. Edhe nëse Evropa na i hap dyert, ne kurrë nuk do të largohemi nga vendi ynë”. (Hamëz Jashari, intervistë pas sulmit të dytë më 22 janar 1998)

Veç kësaj, vrasja e Jasharëve, sipas Di Lellio dhe Schwandner-Sievers, nuk ishte vrasja masive e vetme, as më e keqja gjatë luftës; ajo nuk ishte ngjarja e vetme dhe vdekjet e shkatërrimi i pronës së tyre nuk ishte as fundi i tregimit. Sulmi u pasua nga vrasja masive në Likoshan dhe Çirez, 28 shkurt-1 mars, 1998: 28 shqiptarë ishin ekzekutuar dhe masakruar nga ushtarët dhe paramilitarët e Serbisë. Menjëherë pas saj, fushata ofensive e Serbisë u përhap dhe u shtua në shkallë të gjerë në tërë territorin e Kosovës, duke rezultuar në vrasje masive në Rezallë (prill, 1998), Lybeniq (maj, 1998), Poklek (maj, 1998), Duboc (shtator, 1998), Abri e Epërme (shtator, 1998), Gollubovc (shtator, 1998), që përbënin disa nga gjithsej 186 vrasjet masive të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Më e rëndësishmja, vrasja e familjes Jashari ishte pjesë e planit dhe e politikës shtetërore të RFJ-së dhe Serbisë, si dhe pjesë e fushatës së gjerë dhe sistematike të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës e lansuar në fillim të vitit 1998. Siç theksonte aktakuza e Tribunalit të Hagës kundër Millosheviqit dhe të tjerëve, Sllobodan Millosheviqi, individualisht ose në bashkëpunim me vartësit e tij, Milan Milutinoviq, Nikola Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Vlajko Stojiljkoviq, kishte planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer, ose ndihmuar dhe mbështetur planifikimin, përgatitjen, ose ekzekutimin e fushatës së koordinuar dhe planifikuar mirë për dëbimin e paligjshëm dhe me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës, përfshirë vrasje masive, përndjekje në baza politike, racore ose fetare, shkatërrimin e pronës civile, që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në përputhje me Nenin 7.1 të Statutit të Tribunalit. Dhe qëllimi i kësaj ndërmarrje të përbashkët kriminale “ishte, ndër të tjera, dëbimi i një pjese të konsiderueshme të popullatës shqiptare të Kosovës nga territori i provincës së Kosovës” me qëllim modifikimin e përbërjes etnike në Kosovë në mënyrë që të sigurohet kontrolli i vazhdueshëm i autoriteteve të RFJ-së dhe Serbisë mbi provincën; dhe kjo politikë u arrit përmes një fushate masive ose sistematike të terrorit ose dhunës ndaj popullatës shqiptare të Kosovës duke filluar nga tetori i vitit 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999. Në total, 13 535 persona, shumica dërrmuese e tyre shqiptarë, u vranë, rreth 862 979 të tjerë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, 6 024 u raportuan si të zhdukur dhe supozohet se mbi 20 000 gra u abuzuan seksualisht.

Mjerisht, Millosheviqi vdiq pa u dënuar kurrë për krimet e tij të kryera në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Megjithatë, Shainoviq, Ojdaniq, Pavkoviq, Lazareviq dhe Lukiq, u shpallën fajtorë për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, përfshirë deportim, si krim kundër njerëzimit; transferim me forcë dhe “veprime të tjera çnjerëzore”, si krim kundër njerëzimit; vrasje, si krim kundër njerëzimit dhe shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës; dhe persekutim, si krim kundër njerëzimit (Milutinoviq dhe të tjerë).

Siç u tha më lart, forcat policore të Serbisë, të urdhëruara ose në bashkëpunim me qeverinë, kishin vrarë 54 anëtarë të familjes Jashari, të cilët iu përkisnin shqiptarëve si grupi më i madh etnik në Kosovë, me qëllim që të “shkatërrojnë një pjesë të popullsisë”; ky akt u zhvillua si pjesë e “vrasjes masive të pjesëtarëve të një popullsie civile” dhe u krye si “pjesë e fushatës së gjerë dhe sistematike të Millosheviqit” kundër shqiptarëve, një popull i okupuar. Duke ndodhur në një konflikt të brendshëm, dhe që përfshinte “kryerjen e akteve të shumëfishta”, si vrasje, shfarosje, shkatërrim i pronës civile, dëbim ose transferim me forcë i popullsisë dhe rrëmbim me forcë, sulmi kundër Jasharëve, sipas definicionit të GjPN-së/ICC, ishte vazhdimësi e politikës ose planit shtetëror të Serbisë, i kryer me dijeni ose paramendim dhe, si i tillë, përbën krim kundër njerëzimit, sipas Nenit 7.

Vrasja e familjes Jashari paraqet krim lufte, gjithashtu, i kryer si pjesë e krimeve të tilla në shkallë të gjerë, që do të thotë shkelje e Konventave të Gjenevës në atë se përfshinte vrasje me dashje, shkatërrim i gjerë dhe përvetësim i pronës së familjes Jashari që nuk justifikohet me nevojë të ndërhyrjes ushtarake, dhe ishte kryer në mënyrë të paligjshme dhe të pamorlashme; shkelje të tjera serioze të zbatueshme në konflikte të armatosura të karakterit jondërkombëtar, përfshirë sulme të qëllimshme kundër popullatës civile ose kundër individëve që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime, dhunë ndaj jetës dhe personit, vrasje të të gjitha llojeve; si dhe dëm ose shkatërrim i qëllimshëm i pronës së Jasharëve, siç përshkruhet në Nenin 8 të Statutit të GjNP-së/ICC.

Si përfundim, anëtarët e familjes Jashari, me përjashtim të Adem dhe Hamëz Jasharit dhe Osman Gecit, pjesëtarë të një populli të pushtuar dhe të vrarë në një konflikt të brendshëm të armatosur, e gëzojnë statusin e civilëve në përputhje me Konventën e Katërt të Gjenevës. Prandaj, ata duhet të trajtohen si viktima të luftës dhe t’u ofrohet drejtësi. Vrasja e tyre, ndërkaq, përbën krim lufte dhe krim kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar. Duhet theksuar se vrasja e familjes së Adem Jasharit kurrë nuk është hetuar/ose iniciuar nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, UNMIK-u dhe EULEX-i, ndërsa ky rast nuk është përfshirë as në padinë e Tribunalit të Hagës kundër Millosheviqit dhe të tjerë dhe Milutinoviqit dhe të tjerë, e të mos flasim për Zyrën e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi. Në mars të vitit 2019, ndërkaq Prokuroria Speciale e Kosovës paralajmëroi hapjen e një hetimi paraprak mbi vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes së tij, pasi kishte marrë kompetencat për krime lufte nga EULEX-i dhe pas një verifikimi që dëshmonte se ky rast nuk ishte hetuar asnjëherë.

 (Autorja është hulumtuese, momentalisht e angazhuar si Research Fellow në World Mediation Organization në Berlin. Ajo ka mbaruar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në New School, New York, me fokus studimet e luftës dhe paqes, paqe-ndërtimi, shtet-ndërtimi dhe zhvillimi, si dhe e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare humanitare). 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Kosovës në volejboll, KV Drita, ka filluar përforcimet…