Stoku i kredive për ekonomitë familjare, me normën më të lartë në gjashtë vjetët e fundit
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), stoku i kredive ndaj ekonomive familjare vazhdon të jetë kategoria me normën më të lartë të rritjes në gjashtë vjetët e fundit.
“Në qershor 2017 kjo kategori shënoi rritje vjetore prej 12.5 përqindësh”, thuhet në raportin e BQK-së. Sipas këtij raporti, vlera e gjithsej aseteve të sistemit financiar të Kosovës arriti në 5.56 miliardë euro në qershor 2017, që paraqet një rritje vjetore prej 9.6 përqindësh. Në zgjerimin e aseteve të sistemit financiar kontributin kryesor vazhdojnë ta kenë rritja e sektorit bankar dhe atij pensional, përderisa kontributi i institucioneve të tjera ishte mjaft i ulët”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin e tremujorit të dytë (TM2) 2017. Sipas këtij raporti, rritja e aseteve të sektorit bankar vazhdon të mbështetet kryesisht në përshpejtimin e rritjes së aktivitetit kreditues. “Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend. Stoku i kredive ndaj ekonomive familjare vazhdon të jetë kategoria me normën më të lartë të rritjes në gjashtë vjetët e fundit. Në qershor 2017 kjo kategori shënoi rritje vjetore prej 12.5 përqindësh, ndërsa kreditë e reja të lëshuara për ekonomitë familjare u karakterizuan me ngadalësim të rritjes”, është thënë në këtë raport, duke shtuar se ngadalësimi i rritjes së kredive të reja për ekonomitë familjare u ndikua kryesisht nga zvogëlimi i portofolit të kredive të reja konsumuese.