Stoltenbergu: NATO po monitoron situatën në veri, Kosova dhe Serbia të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës
Derisa situata në veri ende është e tensionuar dhe serbët po vazhdojnë të mbajnë të bllokuar rrugën në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, reagime të shumta ka pasur edhe nga të huajt.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve së fundi është deklaruar edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbergu.
Ai ka theksuar se forcat e NATO-s janë të gatshme, të afta dhe vigjilente, derisa pyetej për veriun e Kosovës.
Po ashtu, Stoltenbergu ka deklaruar se NATO është duke e monitoruar situatën me kujdes.
Më tutje, ai ka kërkuar nga të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia, që t’i shmangin tensionet që nxisin përshkallëzim.
“Forcat e NATO-s dhe BE-së bashkëpunojnë ngushtë. Këshilla ime për të gjitha palët është që të përmbahen nga retorika që kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensionet”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Stoltenbergu ka treguar edhe për historinë e NATO-s për të ndaluar dy luftërat në Ballkan, atë në Bosnje dhe atë në Kosovë, në vitin 1999.
“NATO është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar për t’i dhënë fund dy luftërave etnike, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona janë ende të pranishme atje përmes Forcat e NATO-s, gjegjësisht KFOR-i i cili ka gati 4000 anëtarë dhe është faktor kyç në stabilizimin e rajonit dhe situatës”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Ndryshe edhe sot veriu i Kosovës po mbetet nën barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.
Të njëjtit po vazhdojnë të mbajnë kamionët në rrugë, për të ndaluar kështu qarkullimin dhe për të pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe bizneseve në këto anë.



