
Struga synon trofeun e parë historik në Kupën e Maqedonisë
Struga Trim Lum dhe Vardari do të përballen në një duel të zjarrtë për trofeun e Kupës së Maqedonisë. Dy skuadrat do të matin forcat në finalen që do të zhvillohet në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, të mërkurën në ora 20:00.
Në konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes, përfaqësuesit e Strugës u shfaqën të vendosur dhe plot besim. Trajneri Ilço Gjorgjioski dhe mesfushori me përvojë, Bunjamin Shabani, folën për rëndësinë e këtij takimi dhe gatishmërinë e ekipit për të bërë histori.
“Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme kundër Vardarit. Të gjithë do të japim maksimumin dhe besoj se si ekip kemi fuqinë të arrijmë te trofeu. Jemi të përgatitur, kemi lojtarë me përvojë dhe jetojmë për ndeshje të tilla. Nuk mendoj se fakti që luajmë në Shkup do të jetë ndonjë pengesë, pavarësisht numrit të tifozëve në tribuna. Kemi kaluar sfida të mëdha edhe në arenën evropiane, prandaj ajo është një përparësi për ne”, u shpreh Shabani.
Ai theksoi se përballjet e kaluara me Vardarin nuk kanë ndikim në finalen e nesërme: “Ndeshjet e mëparshme nuk kanë rëndësi, nesër do të jetë një përballje krejtësisht e re. Do të vendosin detajet e vogla”.
Struga është në kërkim të trofeut të parë në histori dhe finalja pritet të jetë një spektakël i vërtetë futbolli.