Studio Artistike “Fenix” – një çerdhe që rrit shqiponja
Ruajtja dhe kultivimi i gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare është një detyrë e shenjtë për çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Këtë mision fisnik e ka marrë me përkushtim të madh artisti i mirënjohur Arsim Berisha, i cili përmes Studio Artistike “Fenix” po mban të gjallë shpirtin e artit dhe trashëgimisë shqiptare.Me punë të palodhur, me pasion të zjarrtë dhe me dashurinë e tij për atdheun, Berisha ka kultivuar ndër vite kulturën shqiptare burimore, duke mbledhur motive, këngë e valle nga të gjitha trevat ku flitet shqip. “Fenix” është bërë simbol i ringjalljes së artit tradicional, një vatër ku rriten breza të rinj që e mbajnë gjallë frymën e kombit përmes lëvizjeve, tingujve dhe veshjeve tona autoktone.
Në prag të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, si çdo nëntor plot emocione e krenari, edhe këtë vit “Fenix” po përgatitet të dalë para publikut me një program të pasur artistik. Me valle e këngë burimore shqiptare, me kostume që bartin historinë dhe ngjyrat e trojeve tona, e me zemra që rrahin në ritmin e daulles shqiptare, valltarët e “Fenix”-it po e përmbyllin me nder e dashuri një tjetër vit krijues.
Me disiplinë shembullore, me djerës në ballë dhe buzëqeshje në fytyra, ata do të ngjiten në skenë për të dhuruar emocione të fuqishme, duke korrur duartrokitje të merituara nga publiku që i ndjek me admirim.“Fenix” mbetet një çerdhe që rrit shqiponja, një strehë ku arti shqiptar jo vetëm ruhet, por rilind çdo herë më i fuqishëm – ashtu si zjarri që nuk shuhet kurrë në zemrën e një populli krenar.
07.11.25 Winterthur
Prof.Gani Shala



