
Sulmet izraelite vrasin të paktën 59 palestinezë në Gazë
Sulmet izraelite në të gjithë Gazën vranë të paktën 59 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, thanë zyrtarë spitalorë të mërkurën.
Izraeli po përgatitet të zgjerojë fushatën kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në një luftë shkatërruese që po hyn në muajin e 20-të.
Gjatë sulmeve është goditur edhe një shkollë që strehonte qindra palestinezë të zhvendosur, ku u vranë 27 njerëz të martën mbrëma, sipas zyrtarëve të spitalit Al-Aksa, përfshirë nëntë gra dhe tre fëmijë. Kjo ishte hera e pestë që shkolla në Gazën qendrore është goditur që nga fillimi i luftës.
Një sulm në orët e para të mëngjesit të mërkurën ndaj një shkolle tjetër të kthyer në strehimore në qytetin e Gazës vrau 16 njerëz, sipas zyrtarëve të spitalit Al-Ahli, ndërsa sulme të tjera në zona të ndryshme vranë të paktën edhe 16 njerëz të tjerë.
Shkolla e kthyer në strehimore në Bureij, një kamp refugjatësh urban i populluar, shpërtheu në zjarr. Paramedikët dhe ekipet e shpëtimit nxituan për t’i nxjerrë njerëzit nga flakët.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar sulmet.
Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave, duke thënë se operon nga infrastrukturë civile, përfshirë shkolla. Hamasi e mohon këtë.