Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe përpjekjet e propagandës serbe për ta ndërlidhur UÇK-në me Osama Bin Ladenin (23)

24 janar 2024 | 11:30

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (23)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së njëzet e tre, ka folur për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe përpjekjet e propagandës serbe për ta ndërlidhur UÇK-në me Osama Bin Ladenin. Ai ka theksuar se shpërndarja e kësaj gënjeshtre synonte ta trondiste opinionin publik perëndimor, në veçanti opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Epoka e re”: Cilat ishin sajimet e reja të cilat propaganda serbe ia paraqiste opinionit publik ndërkombëtar si “argumente” të gjoja lidhjes së “fondamentalistëve islamikë” me UÇK-në?
Bardhyl Mahmuti: Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër World Trade Center në Nju-Jork, Pentagonit dhe aeroplanit që u rrëzua në Pensilvani, krijuan një kontekst të ri në orientimin strategjik të politikës së shteteve të demokracive perëndimore në përgjithësi dhe asaj amerikane në veçanti. Lufta kundër terrorizmit global të proveniencës religjioze doli në plan të parë. Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas këtyre sulmeve monstruoze, ishte i favorshëm për ta shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit “të ri” të Beogradit (pas arrestimit të Sllobodan Millosheviqit) aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të Bardhë” u përsërit deklarata e Millosheviqit në fjalën hyrëse në procesin gjyqësor kundër tij, se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës”. Shërbimet sekrete serbe shpërndanë gënjeshtrat, se kinse “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës ‘Al Kaeda’ dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi (siç e emërojnë Dukagjinin)”. Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit, “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të ‘Al Kaedës’, Ajman Al-Zawahirit, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të pranishëm ishin edhe Bashkim Gazidede, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…”.
Shpërndarja e kësaj gënjeshtre synonte ta trondiste, para së gjithash, opinionin publik perëndimor, në veçanti opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Gënjeshtra se gjoja Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Kosovë dhe se kinse kishte krijuar bazat e “Al Kaedës” në këtë pjesë të Evropës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Ladeni të ketë qëndruar në Shqipëri”, kjo sajesë gjeti një vend të konsiderueshëm në mediet dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe, si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar.
Për të qenë të besueshme në opinionin publik të shteteve perëndimore, provat konkrete, që do të dëshmonin për rrezikun nga “fondamentalizmi islamik shqiptar”, imponohen si domosdoshmëri. Në funksion të këtij qëllimi shërbimet sekrete të Serbisë dhe të Maqedonisë orientuan një numër teologësh myslimanë shqiptarë, që ishin bashkëpunëtorë të tyre, që të përhapin ndër shqiptarë frymën e mobilizimit për një “luftë të shenjtë”. Të jem i qartë. Propaganda për një “luftë të shenjtë” islamike nuk është produkt i shërbimeve sekrete sllave, por i rrymave islamike që dëshironin t’i jepnin dimensionin politik religjionit. Ajo që është karakteristike për t’u veçuar ka të bëjë me mobilizimin e institucioneve shtetërore serbe dhe maqedonase për të krijuar njerëz me origjinë shqiptare që do të implikoheshin në këtë luftë. Ky rezultat do t’i ngjallte shpresat e tyre që në këtë raport forcash bë skenën politike ndërkombëtare, ku shtetet e demokracisë kanë fuqinë kryesore, ta krijonin imazhin e rrezikut që gjoja i kanoset Evropës dhe Perëndimit nga “fondamentalizmi islamik shqiptar”.

“Epoka e re”: Përpara se të flasim për teologët shqiptarë të përfshirë në përhapjen e propagandës serbe, na duket e udhës të ndriçojmë një aspekt të kësaj problematike. “Librat e bardhë” ngërthejnë në vete elementet kyçe të kësaj strategjie, mirëpo Serbia mobilizoi edhe resurse të tjera propagandistike që i shoqëruan këto “libra”.
Bardhyl Mahmuti: Keni të drejtë. Përveç akseve të sulmeve propagandistike të përfshira në të ashtuquajturit “libra të bardhë”, Serbia nxori në tregun e vet të brendshëm dhe në atë ndërkombëtar pretendimet e moçme “shkencore”, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë përpara ardhjes së Perandorisë Osmane”, se kinse “shqiptarët janë serbë të islamizuar, të cilët, me ndihmën e Perandorisë Osmane, kanë pushtuar territoret serbe”, se gjoja “shqiptarët nuk kanë historinë e tyre dhe as personalitete historike”, se gjoja “shqiptarët vjedhin historinë serbe dhe maqedonase”, se gjoja “shqiptarët vjedhin figurat e shquara të popujve të tjerë”, se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar, por trim serb”, se gjoja “Nënë Tereza nuk është shqiptare, por vllahe” e kështu me radhë.

“Epoka e re”: Çfarë do të përzgjidhnit për lexuesit nga përmbajtja dhe autorët e këtyre pretendimeve “shkencore”?
Bardhyl Mahmuti: Bëhet fjalë për qindra libra nga historianë, gjuhëtarë, etnologë dhe njerëz të fushave të ndryshme, të botuara në kohën kur krijoheshin shtetet kombëtare në Ballkan, me të vetmin qëllim, që shqiptarët të paraqiteshin si popull që nuk meritonin ta kishin shtetin e vet të pavarur.
Nëse i analizojmë këto vepra, që u krijuan në funksion të kësaj strategjie politike, mund të veçojmë disa shtylla të saj që përsëriten vazhdimisht.
Fillimisht po përmend mohimin e prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe këmbënguljen e tyre, se “shqiptarët janë krijesë e Perandorisë Osmane”. Kështu, historiani Marko Markoviq hedh poshtë si të pavërtetë prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe këmbëngul se “deri në shekullin XVII nuk ka pasur shqiptarë”. Historianët që kishin hyrë në shërbim të krijimit të shtetit të Serbisë, i cili do të shtrihej edhe në një pjesë shumë të madhe të Shqipërisë, krijuan dhe përhapën tezën, se gjoja “para ardhjes së turqve, Kosova dhe pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë ishin tërësisht serbë. Madje ‘termi’ shqiptar nuk simbolizon një popull të veçantë, por është një term gjeografik ku kanë mundur të jetojnë serbë, turq, grekë e hebrenj”.
Me një fjalë, shumica absolute e historianëve serbë mbështetin tezën se “shqiptarët nuk kanë ekzistuar si popull, ata janë serbë të konvertuar në fenë islame. Ata nuk janë as ‘arbanasë’, as ‘arnautë’ e as ‘albanezë’. Ata kanë qenë dhe janë serbë pastër”! Përderisa historiani serb Radovan Samardžić (Samarxhiq) pretendon se “30 %-40 % e shqiptarëve kanë prejardhje sllave” historianë të tjerë lëshohen në garë se kush do t’i nxjerrë “statistikat më të sakta”. Marko Mladenović (Mlladenoviq) nuk u kënaq me këto pohime, por “zbuloi” se “2/3 e popullsisë shqiptare ka origjinë serbe”, Veselin Đuretić (Gjuretiq) e rriti përqindjen e shqiptarëve me prejardhje serbe në 80 %, ndërsa për Jovan Hadži-Vasiljević (Haxhi-Vasileviq), “arnautët (arnautashi) janë fundërrina të popullit serb të asimiluar të cilët nuk kanë vetëdije kombëtare” .

“Epoka e re”: Si e shpjegoni paradoksin e propagandës serbe kur nga njëra anë pretendon të ofrojë “fakte shkencore”, nga ana tjetër fyen shqiptarët si “fundërrina të popullit serb”?
Bardhyl Mahmuti: Nuk brengoseshin fare për kundërthëniet që kishin pretendimet e tyre. Atyre u interesonte të përhapnin sa më shumë tezat e lartpërmendura të cilat shoqëroheshin me pohimet se gjoja shqiptarët e krijuar në këtë mënyrë, “me ndihmën e turqve, dëbuan popullin serb përmes vrasjeve, plaçkitjeve, djegieve të fshatrave të tëra, përvetësimit të pronave …”, sepse ishin të bindur që dikush do të binte në grackë të këtyre sajesave dhe do t’i merrte për të vërteta. Me qëllim që t’i traumatizonin popujt e Evropës, “shkencëtarët” serbë shkuan kaq larg, saqë shqiptarët i përshkruanin si “njerëz me bisht”. Sipas mjekut dhe politikanit serb Vladan Đorđević (Vlladan Gjorgjeviq), që njihet si themeluesi i Kryqit të Serbisë dhe i Shoqatës së Mjekëve të Serbisë, “I vetmi dallim që ekziston mes shqiptarëve që jetojnë në Veri nga ata të Jugut, ka të bëjë me gjatësinë e bishtit. Madje edhe në shekullin XIX në mesin e shqiptarëve kishte njerëz me bisht, që jetonin në drurë, të cilëve bishti u nevojitej për t’u kacavjerrë nëpër pemë. Ata nuk kanë as kulturë, as gjuhë të tyren, as alfabet e as histori… Ata janë egërsira të vërteta…”.
Trajtimi i tillë i shqiptarëve nga pseudoshkenca serbe bëhej në funksion të qëllimeve politike për ta penguar krijimin e shtetit shqiptar në Ballkan, sepse shteti shqiptar ishte pengesa kryesore e aspiratave serbe për ta marrë Shkodrën, Durrësin dhe një pjesë të madhe të Shqipërisë. Për këtë arsye shqiptarët përshkruhen si njerëz të egër, si “lëkurëkuqtë e Evropës”, të cilët “nuk kanë nevojë për shtet”, të cilët “nuk dinë të ndërtojnë shtet” por që, “fatkeqësisht, përkundër dëshirës së Zotit, Austro-Hungaria dhe Italia dëshirojnë ta krijojnë shtetin e këtyre lëkurëkuqve të Evropës”. Madje për Stojan Protić (Protiq), i cili shkruante edhe me pseudonimin Balkanikus, “çështja shqiptare nuk ka ekzistuar asnjëherë si çështje politike, përderisa Austro-Hungaria dhe Italia nuk e shtruan si të tillë.”
Mund të citoj me qindra historianë dhe publicistë serbë që nëpërmjet shkrimeve të tilla pseudo-shkencore kishin për qëllim të krijonin opinionin se gjoja “krijimi i shtetit shqiptar nuk ishte vullnet i aspiratave të popullit tonë, por ishte vendim politik i fuqive të huaja për të krijuar një koloni gjermane në Ballkan.”.

“Epoka e re”: Nga ajo që thatë më lart del se aktualizimi i tezave të moçme serbe për shqiptarët kishte të bënte me kontekstin e ri të krijuar pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.
Bardhyl Mahmuti: Aktualizimi i tezave të lartpërmendura serbe lidhet drejtpërdrejt me faktin se misioni i Kombeve të Bashkuara duhej t’i përgatiste kushtet paraprake për përcaktimin e statusit final të Kosovës. Në këtë kontekst historik për ardhmërinë e Kosovës, Serbia i orientoi të gjitha veprimtaritë propagandistike në funksion të paraqitjes së Kosovës si gjoja “vend i tyre i shenjtë, i ripushtuar nga shqiptarët myslimanë”. Në arsenalin e tyre propagandistik u rikthyen të gjitha mitet për gjoja “Kosovën si djep i civilizimit serb”, “dëbimin e serbëve nga Kosova”, “pushtimin e Kosovës nga shqiptarët” e të ngjashme me këto, që kishin për qëllim ta paraqisnin strukturën aktuale të popullsisë së Kosovës, me rreth 90 % shqiptarë, gjoja si rezultat i pushtimit të huaj. Me një fjalë, përmes kësaj propagande ata synonin të gjenin mbështetje ndërkombëtare për pretendimet e tyre për “të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën”. Në funksion të kësaj strategjie, propaganda serbe përhapi lajmin se gjoja “një dokument zyrtar i Perandorisë Otomane i vitit 1455, që gjendet në arkivin historik të Stambollit, dëshmon se në shekull XV, në hapësirën e Kosovës dhe Dukagjinit, nuk ka pasur shqiptarë. Në tërë hapësirën nga Bjeshkët e Nemuna e deri në Kopaonik kishte vetëm 46 familje shqiptare!”. Në fund, për ta përshtatur diskursin me rrethanat e reja, Serbia përpiqet të paraqitet si viktimë e një “komploti amerikan për shkatërrimin e një shteti sovran dhe për pushtimin kolonial të tij nga ana e NATO-s” dhe, rrjedhimisht, “pavarësia e Kosovës nuk është vullnet i popullit të saj, por projekt i imperialistëve amerikanë”!

“Epoka e re”: A u besonte dikush pretendimeve të tilla serbe?
Bardhyl Mahmuti: Nuk mund t’i dimë saktësisht efektet e kësaj propagande në rrafshin ndërkombëtar, mirëpo në rrafshin e brendshëm kjo propagandë mban gjallë në imagjinatën e shumicës së popullit serb sajesat e tilla si vërtetësi të pakontestueshme! Për ta përforcuar besueshmërinë e pretendimeve serbe, Shërbimet Sekrete të Serbisë vunë në lëvizje të gjitha mekanizmat e tyre, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për të gjetur “shqiptarë” të cilët do t’i “vërtetonin tezat serbe”. Fatkeqësisht, një numër i konsiderueshëm teologësh luajtën “vallen e dreqit”!

“Epoka e re”: A mund të bëheni më konkret: kush janë teologët që luajnë “vallen e dreqit”?
Bardhyl Mahmuti: Mund të citoj me dhjetëra emra teologësh që pretendojnë se, para ardhjes së Perandorisë Otomane, në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë apo që numri i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vogël dhe se gjoja “shqiptarët janë krijuar nga turqit”! Megjithatë, do të kufizohem vetëm në rastet, që më duken se përfshijnë në mënyrën më të plotë mohimin e historisë sonë kombëtare.
Në një ligjëratë të mbajtur në xhaminë e Prizrenit, imami i kësaj xhamie, Irfan Salihu, u mundua t’i bindte besimtarët se gjoja: “në vitin 1445, vetëm 1 % e qytetarëve në Kosovë ishin shqiptarë, ndërsa turqit sollën shqiptarët në Kosovë dhe u dhanë toka atyre”.
Shtrimi i temave historike në mënyrën se si veproi Irfan Salihu është përpjekje për të manipuluar me besimtarët që vijnë për të’ikryer obligimet fetare. Cilat janë motivet e shpërndarjes së propagandës serbe dhe neo-otomane nga një numër i teologëve myslimanë që këmbëngulin për rishkrimin e historisë sonë, kjo është çështje që nuk mund të trajtohet në kuadër të kësaj interviste. Ajo që mund të pohohet pa asnjë mëdyshje, lidhet me hapësirën e madhe që u dha deklaratave të tilla nga makineria propagandistike e Beogradit. Të gjitha mediet serbe u vërshuan me titullin bombastik: “Të dhëna të reja historike!!! Hoxha Irfan Salihu: Në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë, ata i sollën turqit” . Çdokush që shfleton mediet serbe rreth kësaj teme do të bindet se teologu Irfan Salihu dhe të gjithë ata që mendojnë si ai i ka bërë një shërbim shumë të madh strategjisë së propagandës serbe.

“Epoka e re”: Reagimet e shumta ndaj këtij qëndrimi e detyruan Bashkësinë Islame të Kosovës ta pezullojë nga puna për një afat njëvjeçar.
Bardhyl Mahmuti: E saktë! Megjithatë, vlen të përmendet se ndaj vendimit të BIK-ut për pezullim nga puna të Irfan Salihut pati shumë reagime nga teologë të ndryshëm. Do ta veçoja qëndrimin e Forumit të të Rinjve Myslimanë, i cili doli në mbështetje të plotë pohimeve të Irfan Salihut se gjoja “në Kosovë nuk kishte pasur shqiptarë para ardhjes së Turqisë”. Përmenda këtë forum, sepse është tregues që dëshmon se një pjesë e rinisë së besimit mysliman është viktimë e shtrembërimit të tillë të fakteve historike.
Vërtet duhet të jesh i verbuar skajshmërish nga kjo propagandë për të besuar se paskan ardhur turqit në Kosovë dhe, në vend se të na turqëzojnë, na e paskan mësuar gjuhën shqipe dhe na paskëshin bërë shqiptarë!!!

(Muhamet Mavraj / Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skitari kosovar Klos Vokshi ka garuar sot në Lojërat Olimpike…