Sulmi terrorist antisemit në Sidney, numri i viktimave shkon në 16 të vdekur

15 dhjetor 2025 | 12:20

Siç transmetojnë mediat e shumta ndërkombëtare, numri i viktimave nga sulmi i mbrëmshëm terrorist gjatë një feste të Hanukës në Bondi Beach të Australisë ka arritur në 16, kanë njoftuar sot autoritetet australiane.

Sulmi është cilësuar zyrtarisht si një akt terrorist antisemit.

Sipas policisë, autorët e sulmit ishin dy persona, babë e bir. Babai, 50 vjeç, u vra nga forcat e rendit në vendngjarje, ndërsa djali 24-vjeçar ndodhet në gjendje kritike për jetën pas plagëve të marra. Mbi 30 persona të tjerë po trajtohen në spitale për plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Në vendngjarje janë gjetur gjithashtu dy mjete shpërthyese të improvizuara.

Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti publik të organizuar nga komuniteti hebraik në kuadër të festës së Hanukës. Autoritetet australiane kanë nisur hetime të gjera për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e plota të sulmit.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit u ka bërë thirrje shtetasve izraelitë jashtë vendit të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të shmangin tubimet publike të pasigurta, përfshirë ato në sinagoga, shtëpi Chabad dhe aktivitete festive, për shkak të rrezikut të sulmeve të ngjashme.

Mes viktimave është rabini Eli Schlanger, zëvendësdrejtor i Chabad Bondi, i cili kishte shërbyer për 18 vjet në Sidney. Aktiviteti që ai organizoi, “Hanuka pranë detit”, synonte të ishte një ngjarje familjare për festimin e dritës, ngrohtësisë dhe solidaritetit komunitar.

Gjithashtu njoftohet se ka mbetur i vrarë edhe Alex Kleytman, 83- vjeçar, i mbijetuar i Holokaustit.

Autoritetet australiane kanë rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin, ndërsa nga mbarë bota po vijnë mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti me viktimat dhe komunitetin hebraik në Australi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luana Vjollca ka mahnitur fansat e saj me fotot e…