
Suspendimi i policëve në Skenderaj- vendimi erdhi nga drejtoria e Policisë, s’u dha rekomandimi nga IPK’ja
Policia e Kosovës ka suspenduar tre zyrtarë policorë në Skenderaj përgjatë së martës, për shkak se të njëjtit s’kishin reaguar kur është sulmuar eskorta e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga qytetarët.
Merret vesh nga burime brenda institucioneve të sigurisë se suspendimi ka dalë direkt nga zyra e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Pra, vendimi është marrë pa rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. Megjithatë, ky është “rast i veçantë“, meqë çdoherë IPK’ja rekomandon suspendimin e zyrtarëve policorë në rast të mosrealizimit të detyrave të tyre zyrtare.
Kjo ka lënë dyshime në instrumentalizimin e Policisë së Kosovës nga ana e partisë në pushtet, të cilët gjenden në detyrë tash e disa muaj.
Në komunikatën e policisë për suspendimin e tre zyrtarëve policorë pretendohet se janë koordinuar me IPK’në.
“Sot, me datë 10.06.2025 në ndërlidhje me rastin e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike ( PRQP) ndaj eskortës se Kryeministrit gjatë vizitës në Skenderaj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug ka ndërmarrë disa veprime dhe në koordinim edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës ( IPK) ka marrë vendimin për suspendimin e tre (3) zyrtarëve policor të Stacionit Policor Skenderaj në kohëzgjatje prej 72 orësh“, thuhet në njoftim.