Syla: Edhe në Vatikan kërkuam drejtësi për ish-bashkëluftëtarët që janë në Hagë
Gazmend Syla, nënkryetari i OVL UÇK-së, ka folur për takimin që patën në Vatikan, bashkë me kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucati, me arqipeshkvin Vincenzo Paglia.
Në emisionin “Info Magazine” ai tha se i kanë paraqitur të gjitha kërkesat e tyre që të ketë drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
“Në rrafshin diplomatik, për t’i treguar shqetësimet tona që i kemi lidhur me procesin në Gjykatën Speciale atje dhe me padrejtësitë që po bëhen në atë gjykatë.”
“Morëm premtimin nga zoti Paglia dhe jemi të bindur që zëri ynë do të shkojë në veshin e duhur. Gjasat reale janë që të thuhen të gjitha detajet që i folëm sot në takim,” ka thënë Syla.
Syla ka deklaruar se: “Ne kërkojmë drejtësi dhe i theksuam problemet tona, me të cilat çdo ditë po ballafaqohen ish-bashkëluftëtarët tanë atje, që këto shqetësime të ngriten edhe në nivel vendi, edhe në nivel ndërkombëtar. Ata na thanë se është tepër e rëndësishme që ne shkuam me kërkesa konkrete se si të veprohet tutje.”



