Syla: Partneriteti publiko-privat, forma më e përshtatshme për investime në ‘Trepçë’

07 tetor 2019 | 14:59

Kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka thënë se pa investime të huaja rimëkëmbja e “Trepçës” do të ishte shumë më e ngadalshme dhe thuajse e paarritshme. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se partneriteti publiko-privat si formë e investimit do të ishte forma më e përshtatshme e kësaj kohe deri në fuqizimin e ndërmarrjes “Trepça”. Ndërkaq sa i përket konkursit të fundit për punësim në “Trepçë”, konkurs ky që u cilësua për poenë politikë, Syla ka thënë se shtimi i numrit të punëtorëve është i domosdoshëm.

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

Kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka thënë se gjendja aktuale në “Trepçë” nuk është e kënaqshme dhe se vazhdimisht janë duke u përballur me mungesë të prodhimit, gjë e cila edhe po shkakton vonesën në paga dhe kryerjen e obligimeve të tjera siç janë shpenzimet operative.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Syla ka thënë se trendi i rritjes së prodhimit veçse ka filluar të ngrehet në muajt e fundit. “Trendi i rritjes së prodhimit veçse ka filluar të ngrehe në muajt e fundit, edhe pse larg jemi prej asaj që është e pritshme nga ana jonë. Siç e ceka më lart, një bashkim forcash mes fuqisë së re punëtore dhe investimeve në teknologji, ky trend veçse do të jetë edhe më i lartë. Fuqia e re punëtore dukshëm do ta ndryshojë trendin e prodhimit për të mirë, përkundër teknologjisë së vjetruar”, është shprehur ai. Syla ka thënë se pa investime të huaja rimëkëmbja e “Trepçës” do të ishte shumë më e ngadalshme dhe thuajse e paarritshme.

Sipas tij, partneriteti publiko-privat do të ishte forma më e përshtatshme e investimit në këtë kohë deri në fuqizimin e ndërmarrjes “Trepça” pasi, sipas tij, do të ruhej ndikimi i qeverisë në këtë ndërmarrje dhe do të ishte më lehtë që të kontrollohet investimi dhe kahet e drejtimit të “Trepçës”. “Pa investime të huaja rimëkëmbja e ‘Trepçës’ do të ishte shumë më e ngadalshme dhe thuajse e paarritshme. Mbase partneriteti publiko-privat si formë e investimit do të ishte forma më e përshtatshme e kësaj kohe deri në fuqizimin e ndërmarrjes sepse do të ruhej ndikimi i qeverisë në ndërmarrje dhe do të ishte më lehtë të kontrollohet investimi dhe kahet e drejtimit të “Trepçës”, ka thënë ai.

Sa i përket konkursit të fundit për punësim në “Trepçë”, konkurs ky që u cilësua për poenë politike, Syla ka thënë se shtimi i numrit të punëtorëve është i domosdoshëm. “E kuptoj një gjuhë të tillë, sidomos kur ishte në fushatë zgjedhore. Gjithsesi, ju njoftoj dhe garantoj që menaxhmenti i ‘Trepça Sh. A’ këtë konkurs e ka hapur për të sjellë fuqi të re punëtore, e cila do të ndikonte në performancë më të mirë të ndërmarrjes. Më lejoni të theksoj, me aq sa na është bërë e ditur neve si bord mbikëqyrës, nga ana e menaxhmentit, një numër i konsiderueshëm nga punëtorët aktualë këtë vit do të dalin në pension andaj, pos të tjerash, konkursi është në funksion të plotësimit të atyre vendeve dhe ripërtërirjes së moshës mesatare”, ka thënë Syla.

“Epoka e re”: Z. Syla, cila është gjendja e ndërmarrjes “Trepça”?

Syla: Gjendja aktuale në “Trepça Sh. A.” nuk është e kënaqshme dhe vazhdimisht jemi duke u ballafaquar me mungesë të prodhimit, i cili po shkakton vonesë në paga dhe kryerje të obligimeve të tjera siç janë shpenzimet operative. Pa dyshim kjo mungesë e prodhimit është e ndikuar edhe nga teknologjia e vjetruar dhe mungesat e investimeve në këtë drejtim për vite me radhë. Si rrjedhojë e tërë kësaj, binomi i fuqisë punëtore dhe teknologjisë adekuate do të rezultonte me prodhim më të mirë dhe me rimëkëmbje më të shpejtë të “Trepçës”.

 “Epoka e re”: Megjithëkëtë keni deklaruar se prisni që trendi i rritjes së prodhimit të vazhdojë dhe se me fuqinë e re punëtore do të stabilizohet prodhimi. A po ndodh kjo?

Syla: Patjetër. Trendi i rritjes së prodhimit veçse ka filluar të ngrehët në muajt e fundit, edhe pse jemi larg prej asaj që është e pritshme nga ana jonë. Siç e ceka më lart, një bashkim forcash mes fuqisë së re punëtore dhe investimeve në teknologji, ky trend veçse do të jetë edhe më i lartë. Fuqia e re punëtore dukshëm do ta ndryshojë trendin e prodhimit për të mirë përkundër teknologjisë së vjetruar.

“Epoka e re”: Kishte zëra se konkursi i fundit ishte për poenë politikë. A qëndron kjo?

Syla: E kuptoj një gjuhë të tillë, sidomos kur ishte në fushatë zgjedhore. Gjithsesi, unë ju njoftoj dhe garantoj që menaxhmenti i ‘Trepça Sh. A’ këtë konkurs e ka hapur për të sjellë fuqi të re punëtore, e cila do të ndikonte në performancë më të mirë të ndërmarrjes. Më lejoni të theksoj, me aq sa na është bërë me dije neve si bord mbikëqyrës nga ana e menaxhmentit, një numër i konsiderueshëm nga punëtorët aktualë këtë vit do të dalin në pension andaj, pos të tjerash, konkursi është në funksion të plotësimit të atyre vendeve dhe ripërtërirjes së moshës mesatare. Gjithsesi, konkursi është shpallur nga ana e menaxhmentit dhe jo nga bordi mbikëqyrës.

“Epoka e re”: Pa investime të huaja a mund të flitet për rimëkëmbje të “Trepçës”, pasi 80 për qind të aksioneve i zotëron Qeveria e Kosovës?

Syla: Pjesëmarrja e qeverisë si aksionare, me pronar të 80 për qind të aksioneve, e ka të pashmangshme rrugën e investimeve kapitale në “Trepça Sh. A.” për ta rimëkëmbur atë. Prandaj i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës që në bashkëpunim me bordin e “Trepça Sh. A.” ta gjejnë formën adekuate të investimeve, gjithmonë brenda kufijve të lejueshëm që përcakton Ligji për “Trepçën” dhe statuti i saj. Pa investime të huaja rimëkëmbja e “Trepçës” do të ishte shumë më e ngadalshme dhe thuajse e paarritshme.

“Epoka e re”: Në Ligjin për “Trepçën” kemi disa mënyra të investimeve apo dhe mundësi të privatizimit apo shitjes së një pjese të aksioneve. Cila është rruga ideale që “Trepça” do të kontribuonte në GDP të vendit?

Syla: Është ligji që përcakton katër forma kryesore të investimeve: Partneriteti publiko-privat, investimet direkte private, investimet e përbashkëta dhe emetimi dhe shitja e aksioneve. Që të katër këto forma janë të përshtatshme dhe do të ishin një lëvizje e madhe drejt ngritjes së “Trepçës” dhe bërjes së saj një konkurrente në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar dhe një kontribuues në GDP-në e vendit. Mbase partneriteti publiko-privat si formë e investimit do të ishte forma më e përshtatshme e kësaj kohe deri në fuqizimin e ndërmarrjes, sepse do të ruhej ndikimi i qeverisë në ndërmarrje dhe do të ishte më lehtë që të kontrollohet investimi dhe kahet e drejtimit të “Trepçës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtar i dytë i zbulimit amerikan ka kontaktuar Inspektorin…