Sythat metaforikë si ajkë poetike

05 nëntor 2025 | 08:36

Sadik Krasniqi

Arif Bozaxhi, Kambanat e diellit, Lena Graphic, Prishtinë, 2019

Libri më i ri me poezi Kambanat e diellit i poetit Arif Bozaxhiu konsiston në vazhdën e vlerave të larta të poeti­kes së veçantë të këtij autori. Poetika e këtij libri është tërësi metaforike. Konstruktin vargor të Bozaxhiut e cilë­son elipsa. Këto elipsa janë sytha metaforike. Themi se janë sytha metaforike ngaqë çelin për së brendshmi, rrinë të tillë pa u bërë fletë as degë, por mbeten gjithmonë sytha që mos t’i vyshkë asnjë stinë. Andaj këta sytha meta­forikë me një hijeshi prej brilandi sikur kanë vetëm stinën e pranverës.

Poezitë e Arifit janë miniatura poetike. Këto miniatura poetike, me denduri figurative, goxha u përngjajnë haikut japonez, megjithëse dendësia emocionale që rrjedh nga ky figuracion nuk bie me lëshimin e frymës si ofshamë në vargun e fundit si te haiku, por kjo dendësi emocionale mbahet në tërë poezinë. Poezitë e këtij poeti janë të çudit­shme, si vazot e mistershme që rrezatojnë bukurinë e të pikturuarit për së brendshmi.

Tekstin poetik ky autor e shkruan me dashurinë, për­qëndrimin, durimin e delikatesën e një piktori që gjakon vizatimin e një dege ulliri në kokërr orizi.

Arif Bozaxhiu nuk ka shkruar shumë libra, e në fletët e tyre pak librave nuk ka poezi të gjata. Intenca e këtij poeti është esenca estetike, të cilën ky poet e realizon përmes dendësisë së figuracionit poetik. Inventari figurativ te ky poet është simbolik, metaforik, metonimik, që përmes kontrasteve, oksimoronit dhe formave të ndryshme, krijon gjetje të bukura poetike. Situatat, gjendjet, ngjarjet, ima­zhet, përjetimet përmbrenda motiveve dhe temave të këtij autori janë sublimacione të shprehura me një sub­tilitet që mahnit çdo lexues.

Eugjenika e vargjeve të tij ka refleksione nga një urti antike, shenjtërie, empirike, diskursive, të gjitha këto të inkorporuara në një erudicion dhe intuicion prej një poeti të vetëdijshëm për misionin e tij. Për me qenë poet, mjaf­ton shpeshherë me i besu artit, duke ia dhuruar jetën kul­tit të tij, thotë Arshi Pipa. Këtë kredo e ka edhe Arifi, të shoqë­ruar edhe me dhunti kreative. Te ky poet poezia nuk impro­vizohet, por arti i poezisë ndodh, siç thotë Vhistler.

Arif Bazaxhiu njëkohësiht shkruan në dy gjuhë, në gjuhën atnore – turqishte dhe në amnore – shqipe, andaj kontributi i tij është edhe përafrimi i këtyre dy kulturave të atdheut. Në këtë formë të të shkruarit dygjuhësh është edhe libri më i ri Kambanat e diellit, por ky libër shoqëro­het edhe me poezitë e përkthyera në gjuhët angleze, gjermane dhe frënge si dhe me disa vështrime kritike të disa njohësve të poezisë të këtij autori, që njëherësh janë poetë të shquara të letërsisë shqipe. Vëllimi i ri Kambanat e diellit, që është njëherësh libër jubilar në shtatëdhjetë e pesëvjetorin e moshës dhe pesëdhjetë e pesëvjetorin e krijimtarisë së tij, fillon me një rekuiem elegjiak kushtuar dhimbjes së zemrës për të birin e vdekur në lulen e rinisë. Duke lexuar poezinë Pika shiu të vënë në kornizë, siç vihen në kornizë portretet e më të dashurve që i takojnë botës së matanshme, na rikujtohen edhe poetët e tjerë që patën të njëjtën tragjedi të fatit si ky poet, Ali Podrimja, Zija Çela, Visar Zhiti, Flutura Açka e të tjerë. Edhe poezia Pika shiu kushtuar Bylentit është një ndër poezitë më të bukura të këtij autori siç janë Lum Lumi dhe Për dashurinë shkruhet pas vdekjes veprat më kulminante të Podrimjes e Çelajt. Kjo poezi e këto vepra janë dhimbje estetike. Në këtë kontekst të dhimbjes së madhe në një rast Zija Çela thotë: Dhimbja është këtu brenda, është bërthamë rrufeje, që kthehet në energji duke ndërruar trajta.

Edhe tek Arif Bozaxhiu kjo “energji rrufeje” sublimohet në një lapidar elegjiak. Në këtë poezi gërshetohen misteri, enigma, sekreti, mistikja, kozmikja, religjioni përmes tran­scedentales metaforike.

Yjet ma zbuluan edhe një sekret

se feja ime është vetëm buzëqeshje

e zotin e kam dëshmi tëfrymëmarrjes

ai më mësoi edhe një madhështi,

shpirti i zogut të gjakut tim është

dashuria.

(Pika shiu)

Kjo poezi është një metapoezi, që vëhet si paratekst poetik i përmbledhjes dhe simbolikisht mbyllet në kor­nizë si sugjerim lexuesit, se në këtë libër duhet hyrë me kujdes dhe me dinjitet siç duhet hyrë në një shtëpi që ka, krahas gëzimit, edhe pikëllim.

Meditacioni lirik i këtij libri lind nga motive, ide e tema të ndryshme që procedohet si strukturë simbolike-meta­forike. Simbolet që defilojnë më së shpeshti në poezitë e këtij libri janë: korbi, dielli, deti, zogu, guri, toka, fara, ëndrra, çelësi, drita, stina, flutura, loti, gjethi, hija, ylli etj. Ndërsa metaforat: shpirti i zogut, zogu i gjakut, nata e lumit, çelësi i shpirtit, kallja e heshtjes, kufijtë e ajrit, dënesje fluture, ëndrra e verdhë, zog vjeshte, derë e vdekjes, dëshirë shiu, ozon i djegur, gjelbërim i shëmtuar, prush deti, pran­verë e ëndrrës, balet mjellme, pesha e vetmisë, galeri yjesh, ëndërr shiu, simfoni yjesh, lule fjalësh, agim yjesh etje.

Duke evidentuar arsenalin simbolik e metatoforik të këtyre poezive, mund të konstatojmë se strukturën poe­tike të poezisë së këtij libri e përbëjnë simbolet konstante të letërsisë shqipe, ndërsa metaforikja është tërësisht kontekstuale – unike.

Me anë të këtyre simboleve dhe metaforave përmes kon­trastit, poeti krijon gjendje, ngjarje, fenomene e pamje estetike që lënë mbresa tejet të thella te recipienti.

Arif Bozaxhiu është ekzemplar i një krijuesi të dinjitet­shëm prej një atdhetari të njerëzishëm. Këtë etikë të tij s’mund ta shmangim gjatë leximit të këtij libri, ngaqë poe­zinë e tij kushtuar fëmijëve të Jasharëve e zë kryevendi, pra si poezinë e parë. Aktit të martirizimit heroik të kësaj familjeje, poeti i bën një lapidar poetik. Me një mjeshtri prej demiurgu, këtij akti i jep përmasa kozmike. Inter­pretimi më i bukur dhe më i saktë i kësaj poezie është vetë poezia:

ZARFI

kur në sytë e zogjve

korbat shuanin etjen,

një fëmijë nga Prekazi,

deshi t’ia dërgojë

një letër diellit..!

asnjë zarf nuk e zuri

letrën e përgjakur.

Çfarë t’i hiqet a t’i shtohet kësaj poezie?! Asgjë s’mund t’i hiqet as t’i shtohet, më sa t’i heqet a t’i shtohet një pikë gjaku lirisë së Kosovës, atij gjaku të shenjtë derdhur nga këta fëmijë e kjo familje. Andaj këtë poezi duhet lexuar me një minutë nderimi si para varrit të Adem Jasharit.

Arti poetik i Arif Bozaxhiut është i nivelit të lartë, poezitë e tij janë meditacione të mendjes me imagjinatë të bujshme. Ky poet bën metamorfozime mahnitëse nga konkretja në abstrakte, nga e logjikshmja në absurde, nga realja në surreale, nga imazhi në mirazh.

Një flutur dhe një zog

m’i vëzhgojnë

ëndrrat

edhe dielli

në sytë e zogut

(Dielli pi ujë në sytë e zogut)

Në opusin poetik të Bozaxhiut vend dominues zë kon­trasti metaforik, me anë të të cilit pozitë e këtij poeti janë krestomaci e letërsisë shqipe.

Te ky libër gjejmë edhe elemente që rrallë hasen në poezinë aktuale shqipe, siç është kuptimi analogjik, por me nuancë dashurie e adhurimi si te poezia Zot, ku poeti shprehet:

Dashurinë që e kam

për ty

o zot

është një gram

më e rëndë

se gjithësia

(Zot)

Arif Bozaxhiu i zë lehtë shenjat që e frymëzojnë, por ato shenja gjithherë janë delikate si fluturat, andaj edhe poezia e tij ka një elegancë prej simfonie solemne. Sido­mos kjo elegancë vjen si një shprehje në tematikën e ero­sit. Sytë e Mona Lizës, thotë poeti, janë simfoni yjesh, ndërsa buzëqeshja në fytyrën e saj është muzikë që shurdhoi Bethovenin.

Poeti ka kohë që jeton dhe krijon në mërgim. Këtij ambi­enti si çdo krijues nuk mund t’i shmanget me indiferencë. Duke bërë shpirtëzimin e gjërave, na jep gjendjen subjek­tive plot ngjyra emocionale.

Të kujt janë

këto këpucë

që tërë natën e lume

qajtën në pragun e shtëpisë.

(Këpucët e tij)

Kështu shprehet në një poezi kushtuar krushqve mër­gimtarë. Përgjithësisht poezitë e Arifit janë poezi që kanë ngjyrën e ambientit, të kohës, ndjeshmërinë e njerëzve. Poetika e Bozaxhiut është tejet konotative dhe transko­dimi i saj mund të bëhet vetëm nga një lexues model si ai semiotik i Ekos. Poezitë e Bozaxhiut janë botuar në shumë antologji shqipe, por edhe botërore, janë përkthyer në gjuhët e kulturave të mëdha evropiane. Poeti është laureat i çmimeve më të larta letrare të vendit dhe ndërkombë­tare. Duke pasur parasysh këto suksese, lirisht mund të themi se ky autor tashmë është emër i majave të poezisë shqipe.

Këtë vështrim tejet modest, krahasuar me artin e poe­zisë së këtij poeti, do ta kisha përfunduar me një thënie të poetit Agim Deva nxjerr nga poezia e tij, që është në këtë libër e që i kushtohet autorit të këtij libri: E paska pasur fatin e fortë – thotë ai për autorin. E unë do të thosha, vërtet Arif Bozaxhiu e paska pasur fatin e fortë, ngaqë qenka lindur me këmishën e fatit prej poeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria gjermane planifikon të rrisë ndihmën financiare për Ukrainën me…