Tahiri: Do ta konfiskojmë pasurinë e fituar me krim dhe korrupsion

13 gusht 11:35

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim ushtruesin e detyrës së  shefit të EULEX-it,  Bernd Thran, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe trendëve të reja që janë duke zënë vend brenda sistemit të drejtësisë.

Gjatë këtij takimi, Tahiri ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve me theks të veçantë në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Ndër politikat më të rëndësishme që kam drejtuar si ministër i Drejtësisë, ka qenë ajo e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale. Sot jemi të vendosur për ta parë drejtësinë në vepër, në konfiskimin e secilës pasuri të fituar nga krimi e korrupsioni”, ka thënë ai.

Sipas ministrit Tahiri, me zbatimin e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të marrë karakter të fuqishëm dhe të pa kompromis.

“Si shoqëri ne ende kemi sfida që burojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive, përveç ndjekjes penale është edhe konfiskimi i çdo pasurie të fituar me krim dhe korrupsion nga gjësendet e imta deri tek asetet multimilonëshe. Ne do ta bëjmë ligjin e ri për konfiskimin e pasurisë armë kryesore kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Zbatimi i këtij ligji duhet të marrë karakter të fuqishëm dhe për këtë prokurorët dhe gjyqtarët që shërbejnë në sistemin e drejtësisë po përgatiten e duhet të përgatiten edhe më tej”, ka theksuar Tahiri.

Po në këtë takim është diskutuar edhe për masat e agjendës ‘Drejtësia 2020” si dhe proceset e monitorimit të gjyqësorit nga ana e EULEX-it.

/Epoka e re/ 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partneri kinez i kompanisë japoneze të automjeteve Honda, Guangzhou Automobile…