Tahiri kërkon hetime gjithëpërfshirëse për vrasjen e Ivanoviqit

16 janar 2018 | 16:59

Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, ka dënuar vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ai ka thënë se asgjë nuk mund ta arsyetoj dhunën dhe veprat penale, pavarësisht se nga kush apo ndaj kujt manifestohen.

Në këtë kontekst Tahiri, ka thënë se ka kërkuar nga autoritetet përkatëse të realizojnë sa më shpejtë që është e mundur, hetime gjithëpërfshirëse lidhur me këtë rast.

“Akti i vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Oliver Ivanoviq është absolutisht i papranueshëm dhe i patolerueshëm për shoqërinë tonë, prandaj, veprime të tilla meritojnë një përgjigjeje të menjëhershme. Të gjitha institucionet përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin duhet të veprojnë dhe të jenë të pakompromis në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësit e këtij akti të përballën me drejtësinë. Andaj kam kërkuar nga autoritetet përkatëse që në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore të realizojnë sa më shpejtë që është e mundur, hetime gjithëpërfshirëse ndaj këtij akti të tmerrshëm, me qëllim që ky rast të ndriçohet sa më parë dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës. Po ashtu, kërkoj nga qytetarët që posedojnë informata, të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe ligjit në mënyrë që të zbardhet ky rast dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Tahiri.

Ministri Tahiri i ka shprehur ngushëllime familjes së Ivanoviqit si dhe ka kërkuar nga qytetarët që sulmi i sotshëm në asnjë rrethanë mos të ndikojë në frymën e bashkëjetesës shumetnike në Republikën e Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot,…