Takim bilateral ndërmjet ATK-së dhe Drejtorisë së të Hyrave Publike të Maqedonisë së Veriut

30 qershor 2025 | 15:52

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sami Salihu, me bashkëpunëtorë, ka pritur të hënën në zyrat e saj delegacionin nga Drejtoria e të Hyrave Publike të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e administrimit tatimor.

Gjatë këtij takimi u diskutua për tema me rëndësi strategjike dhe operacionale për të dyja administratat, përfshirë: përdorimin e zgjidhjeve të teknologjisë informative me burim të hapur; procedurat për rimbursimin automatik të TVSH-së; si dhe menaxhimin e rrezikut të përmbushjes tatimore.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sami Salihu, ka theksuar rëndësinë e qasjes dhe përvojës së ATK-së në këto fusha, me theks të veçantë në zhvillimet teknologjike që ATK-ja ka implementuar me sukses, ka përmirësuar efikasitetin dhe transparencën në shërbimet ndaj tatimpaguesve.

Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i DHP të Maqedonisë së Veriut, Fisnik Mela, ka thënë se për “ne si administratë tatimore është me rëndësi të mësojmë nga përvojat konkrete dhe të suksesshme si ato të ATK-së. Zhvillimet që kemi parë në përdorimin e zgjidhjeve të hapura, procedurat e avancuara për rimbursim automatik të TVSH-së dhe qasja ndaj menaxhimit të rrezikut janë shembuj të mirë të modernizimit që synojmë edhe ne”.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe promovimit të praktikave më të mira në administrimin tatimor, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale.

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se mbetet e përkushtuar për të ndarë përvojat e saj dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet homologe në rajon dhe më gjerë, në funksion të një administrimi modern, efikas dhe në shërbim të qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka kritikuar vendimin e qeverisë së…