
Takimi i Hamza-Kurti, Krasniqi: As që është diskutuar ndonjë koalicion i mundshëm, qëndrimi ynë është i qartë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur para medieve për takimin e së hënës që kryetari i LV-së, Albin Kurti e ka pasur me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
Krasniqi ka thënë se Kurti “me insistim” ka shprehur dëshirën për këtë takim, në të cilin theksuar se nuk është diskutuar asnjë çështje që lidhet me krizën politike apo “ndonjë koalicion të mundshëm”.
“E para, unë besoj që z. Hamza ka qenë shumë i qartë dhe e ka treguar fiks ashtu siç ka ndodhur. Z. Kurti, me insistim ka dëshiruar që të ketë një takim për të diskutuar për temat ndërkomunale, që realisht s’është punë e tij, por në një situatë kur ai vërtet s’merret me asnjë temë në interes të qytetarëve, është i mirë për të bërë show e propagandë”,
“Në traditën e shqiptarit është kur të vjen edhe i huaji te dera, me ia hapë derën dhe në momentin që ai ka shkuar në zyrën e z. Hamza në Mitrovicë, ne s’jemi në hasmëri – normalisht që mirëpritet se z. Hamza është një nga të paktët politikanë që vërtet ka ndërtuar vetëm ura bashkëpunimi e komunikimi me të gjithë, duke pasur një kontribut të drejtpërdrejtë të depolarizimit të kësaj skene politike”, ka thënë ai.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se qëndrimi i qartë i PDK-së është që të mos bëjë koalicion me LDK-në.
“Kështu që, është e vërtetë, as që është pritur, e as që kemi dëshirë, e as që është diskutuar për çfarëdo çështje që lidhet me krizën nacionale, me krizën politike, e aq më pak me ndonjë koalicion të mundshëm”, ka thënë ai.